Ulqin – Të mërkurën e kaluar, më 25 mars 2026, në Qendrën për Kulturë në Ulqin u mbajt manifestimi solemn me rastin e Ditës së shkollës së mesme të përzier “Vëllazërim-Bashkim”. Kjo ngjarje mblodhi nxënës, mësimdhënës, prindër dhe mysafirë të shumtë, duke krijuar një atmosferë festive dhe plot emocion.
Programi filloi në Galerinë e Qendrës për Kulturë, ku u hap një ekspozitë me piktura të realizuara nga nxënësit e shkollës. Veprat e ekspozuara dëshmuan talentin dhe kreativitetin e të rinjve, ndërsa njëkohësisht ishin edhe në shitje. Të ardhurat nga shitja e tyre do të shkojnë në mbështetje të aktiviteteve dhe nevojave të shkollës.
Pas kësaj u hap manifestimi qendror, ku të pranishmit i përshëndeti drejtoresha e shkollës, Ardita Kovaçeviq. Në fjalimin e saj, ajo theksoi rëndësinë e kësaj dite si një moment që i bashkon të gjithë dhe rikthen vëmendjen te rrugëtimi, sakrificat dhe arritjet ndër vite.
“Sot është një ditë e veçantë për ne – Dita e shkollës sonë. Një ditë që na bashkon, na kujton rrugëtimin tonë, sakrificat dhe arritjet e ndërtuara ndër vite. Kjo ditë është një moment reflektimi, mirënjohjeje dhe falënderimi për të gjithë ata që janë pjesë e këtij rrugëtimi”, u shpreh ajo.
Drejtoresha Kovaçeviq shprehu mirënjohje të veçantë për mësimdhënësit, duke theksuar rolin e tyre të pazëvendësueshëm në edukimin e brezave.
“Ju jeni shtylla e kësaj shkolle, zemra e saj dhe forca që e mban gjallë çdo ditë”, theksoi ajo.
Një pjesë e veçantë e fjalimit të saj iu kushtua mësimdhënësve dhe stafit shkollor që këtë vit përmbyllin rrugëtimin e tyre profesional me daljen në pension: pedagogia Fatmire Molla, profesoresha e gjuhës gjermane Irma Qetkoviq, profesorët Selatin Avdiu, Nezir Gjeçbritiq dhe Shefika Gjoni, si dhe sekretari Muzafer Gjoni. Për ta u shprehën falënderime të sinqerta për kontributin e dhënë ndër vite.
Në vijim, ajo i falënderoi nxënësit si krenarinë e shkollës, si dhe prindërit, bashkëpunëtorët, bizneset dhe institucionet që mbështesin vazhdimisht punën dhe zhvillimin e saj.
Në përmbyllje të fjalës së saj, Kovaçeviq tha se ka pasur nderin por edhe përgjegjësinë që të jetë drejtoreshë e kësaj shkolle për pesë vite me radhë dhe ta udhëheqë atë në shumë sfida dhe suksese.
“Por asgjë nuk mund të ndërtohet vetëm. Çdo sukses i kësaj shkolle është fryt i punës së përbashkët, i përkushtimit dhe i dashurisë për arsimin dhe për fëmijët tanë. Jam krenare për këtë shkollë, për nxënësit e saj, për njerëzit e saj dhe për gjithçka që kemi arritur së bashku. Jam e bindur se kjo shkollë do të vazhdojë të rritet, të zhvillohet dhe të mbetet një vatër dijesh dhe vlerash për shumë breza që do të vijnë”, ka thënë ajo.
Pas fjalimit, u shfaq një dokumentar që pasqyronte punën dhe arritjet e shkollës gjatë vitit 2025, duke sjellë momente të rëndësishme nga jeta shkollore.
Programi artistik vazhdoi me interpretimin e korit të shkollës, i cili performoi këngë të bukura dhe emocionuese. Gjithashtu, nxënësit prezantuan edhe pika të ndryshme vallëzimi, duke i dhënë ngjyrë dhe gjallëri kësaj dite festive.
Manifestimi u përmbyll me duartrokitje dhe ndjenja krenarie, duke dëshmuar edhe një herë se shkolla e mesme “Vëllazërim-Bashkim” mbetet një vatër e rëndësishme e dijes, edukimit dhe vlerave për brezat që vijnë.
D. Teliqi
Shfaqja “Si ta doni” në skenën e gjimnazit “Vëllazërim-Bashkim”
Ky bashkëpunim ndërmjet shkollës dhe Teatrit “Teuta” po dëshmohet si mjaft i suksesshëm, duke krijuar mundësi konkrete për aktivizimin e nxënësve në jetën kulturore dhe artistike. Duke pasur parasysh se Ulqini nuk ka një teatër të mirëfilltë, iniciativa të tilla marrin një rëndësi të veçantë, pasi i afrojnë të rinjtë më pranë artit skenik dhe u japin hapësirë për të zhvilluar talentin dhe kreativitetin e tyre
Në ambientet e shkollës së mesme të përzier “Vëllazërim-Bashkim” të enjten (26 mars 2026) u zhvillua një aktivitet i veçantë artistik në kuadër të shënimit dhe kremtimit të Ditës së Shkollës. Në bashkëpunim me Teatrin “Teuta” u vu në skenë shfaqja teatrore “Si ta doni”, vepër e Uiliam Shekspirit (William Shakespeare).
Në hapje të aktivitetit, drejtoresha e shkollës Ardita Kovaçeviq shprehu kënaqësinë për organizimin e kësaj mbrëmjeje artistike dhe për pjesëmarrjen e nxënësve dhe të pranishmëve, duke vlerësuar njëkohësisht bashkëpunimin me Teatrin “Teuta”.
“Jam shumë e lumtur që sot po shohim një angazhim kaq të madh të nxënësve dhe interesim nga publiku. Këto aktivitete e pasurojnë jetën shkollore dhe i japin hapësirë të rinjve të shprehin talentin e tyre. Një falënderim i veçantë shkon për Teatrin ‘Teuta’ – për përkushtimin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm”, u shpreh ajo.
Shfaqja u realizua nën regjinë e Edina Mustafiq – Avdiut, ndërsa skenografia dhe kostumografia u përgatitën nga Jetmira Hoxha. Përmes një pune të përkushtuar, u krijua një atmosferë artistike e veçantë, e cila tërhoqi vëmendjen dhe interesimin e publikut të pranishëm.
Në këtë projekt morën pjesë nxënësit: Anes Kurti, Harisa Mehmeti, Rinesa Morina, Damir Rexha, Donart Çobaj, Qazim Tula, Edin Asllani, Erijon Kallaba, Leart Seferi, Leart Markashi, Brikena Dragovoja dhe Mabel Hoxha, të cilët me interpretimin e tyre sollën në skenë emocion, energji dhe profesionalizëm.
Fabula e veprës “Si ta doni” e Uiliam Shekspirit paraqitet e thjeshtë në ndërtim, por e pasur në përmbajtje. Në qendër të saj qëndron konflikti mes dy vëllezërve të ligj dhe dy vëllezërve të mirë, një përplasje që shoqërohet me pengesa të shumta, sidomos në rrugën drejt bashkimit të çifteve, ndër të cilat spikat lidhja e Rozalindës me Orlandon, role të interpretuara me përkushtim nga Anes Kurti dhe Harisa Mehmeti. Megjithatë, këto tensione zgjidhen natyrshëm dhe pa vështirësi, duke çuar drejt një përfundimi të lumtur dhe pajtues.
Megjithëse e njohur për elementet e saj komike, vepra shkon përtej humorit, duke trajtuar tema të thella si identiteti, dashuria, liria dhe rolet shoqërore. Përmes personazheve dhe situatave të ndryshme, ajo fton publikun të reflektojë mbi pranimin e vetvetes dhe mbi ndikimin që shoqëria ushtron në zgjedhjet individuale.
Në këtë interpretim skenik, theksi u vendos në ngjarjet e zhvilluara brenda oborrit mbretëror, ku konflikti për pushtet dhe padrejtësi mes dy vëllezërve nxjerr në pah tensione dhe përçarje familjare. Këto përplasje, megjithatë, tejkalohen në fund përmes faljes dhe pajtimit, duke përcjellë një mesazh të fuqishëm mbi rëndësinë e mirëkuptimit dhe harmonisë.
Njëkohësisht, dashuria paraqitet si një element kyç i veprës, që ndikon në afrimin e personazheve dhe në zgjidhjen e konflikteve. Ajo shfaqet si një forcë transformuese, që sjell ndryshim, pajtim dhe ekuilibër, duke i dhënë gjithë shfaqjes një dimension të thellë emocional dhe reflektues.
Ky bashkëpunim ndërmjet shkollës dhe Teatrit “Teuta” po dëshmohet si mjaft i suksesshëm, duke krijuar mundësi konkrete për aktivizimin e nxënësve në jetën kulturore dhe artistike. Duke pasur parasysh se Ulqini nuk ka një teatër të mirëfilltë, iniciativa të tilla marrin një rëndësi të veçantë, pasi i afrojnë të rinjtë më pranë artit skenik dhe u japin hapësirë për të zhvilluar talentin dhe kreativitetin e tyre.
D. Teliqi
