Çështja e demarkacionit mes komunës së Tuzit dhe asaj të Podgoricës ka qenë pjesë e një procesi të gjatë që ka përfshirë takime komisionesh të të dyja palëve për përcaktimin e kufijve administrativë të komunave dhe ndarjen e pasurisë ndërmjet tyre.
Ky proces ka nisur që nga viti 2018, kur Tuzi, sipas Ligjit për organizimin territorial, fitoi statusin e komunës së plotë dhe ka kaluar deri në fazën e arbitrazhit.
Çështja është riaktualizuar sërish ditëve të fundit, pasi Komuna e Tuzit, përmes një kumtese për media të dërguar redaksisë sonë, njoftoi se procedura para Komisionit të Arbitrazhit kishte përfunduar.
Në këtë njoftim theksohet se të gjitha propozimet për ndryshime territoriale të Komunës së Tuzit, nga të dyja palët në procedurë, janë refuzuar, gjë që sipas tyre, është konstatuar qartë në procesverbal.
“Me këtë, mbeten në fuqi kufijtë e Komunës së Tuzit të përcaktuar me ligjin në fuqi”, thuhet në kumtesë.
Po ashtu, thuhet se “propozimi i Komunës së Tuzit për ndarjen e pasurisë është i vetmi propozim që gjatë procedurës së arbitrazhit nuk është refuzuar dhe, si i tillë, përfaqëson modelin e vetëm të pranuar të ndarjes së pasurisë në këtë procedurë.”
Në njoftim theksohet se, për Komunën e Tuzit, procesi konsiderohet i përfunduar.
“Komuna e Tuzit nuk do të marrë pjesë në përpjekje për ndryshimin e mëvonshëm të rezultatit të procedurës përmes çfarëdo propozimesh, aranzhimesh apo marrëveshjesh të reja që nuk kanë qenë pjesë e procedurës së arbitrazhit.”
Po ashtu kanë bërë të ditur se “kufijtë e komunës së Tuzit mbeten të përcaktuar me ligjin në fuqi, ndërsa të drejtat dhe interesat e Komunës së Tuzit do të mbrohen me të gjitha mjetet demokratike, institucionale dhe juridike.”
Megjithatë, një ditë para se të njoftojë dorëheqjen e saj, kryetarja e Komisionit të Arbitrazhit, Dragana Gjurishiq, në prononcimin për gazetën “Koha javore” u shpreh se procesi i arbitrazhit për ndarjen territoriale dhe ndarjen e pasurisë ndërmjet Komunës së Tuzit dhe Podgoricës nuk ka përfunduar, “sepse i njëjti përfundon me marrjen e vendimit nga Komisioni i Arbitrazhit, i cili i dorëzohet Qeverisë së Malit të Zi, ndërsa në rastin konkret për një pjesë të lëndës së arbitrazhit nuk është zhvilluar as votimi”.
Ndërkohë, një ditë më vonë, u njoftua se kryetarja e këtij komisioni ka dhënë dorëheqje dhe e ka dorëzuar atë në Qeverinë e Malit të Zi.
Lidhur me çështjen e demarkacionit në fjalë, redaksia jonë, për t’i ofruar lexuesit një pasqyrë më të plotë të zhvillimeve, ka tentuar të marrë një prononcim nga kryetari i Komunës së Tuzit lidhur me rezultatin e procedurës së arbitrazhit, kufijtë administrativë të komunës dhe hapat e mëtejshëm institucionalë. Atij iu dërguan pyetje me shkrim dhe u tentua kontaktimi telefonik, por deri në mbylljen e gazetës nuk ka marrë përgjigje prej tij.
Po ashtu, është kontaktuar për një prononcim edhe njëri prej anëtarëve të Komisionit të Arbitrazhit që përfaqësoi Komunën e Tuzit në këtë proces, por pa një përgjigje nga ai.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri dhe njëri ndër anëtarët e Komisionit të Arbitrazhit nga Komuna e Tuzit, Nik Gjeloshaj, në një reagim në profilin e tij në fejsbuk, ka komentuar dorëheqjen e kryetares së Komisionit të Arbitrazhit, duke theksuar se arsyeja lidhet me pakënaqësinë ndaj rezultateve që, sipas tij, konfirmonin kufijtë ekzistues të komunës së Tuzit dhe “hapin rrugën për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së ndarjes së pasurisë dhe tregonin se do të ishte e pamundur të refuzoheshin kërkesat e argumentuara të Komunës së Tuzit për një pjesë të Rakiqit, Malin e Kakarriqit dhe një pjesë të Fundnave”.
Ky veprim, shton ai, vetëm sa e ka bërë edhe më të qartë se rezultati i Komisionit nuk është pranuar sepse ishte në favor të së drejtës dhe të fakteve, pra në favor të Malësisë.
“Në vend që të mundësonte formalizimin e vendimit, kryetarja e Komisionit me veprimin e saj vuri në pikëpyetje rezultatin e një pune shumëvjeçare dhe shtyu edhe më tej zgjidhjen e një çështjeje që qytetarët e Tuzit e presin që nga themelimi i komunës”, është shprehur Gjeloshaj.
Sipas tij, edhe pse procesi i përcaktimit të territorit është vonuar nga ky veprim, nuk do të hiqet dorë nga asnjë kërkesë e Komunës së Tuzit.
Ndërkaq, lidhur me çështjen e demarkacionit midis dy komunave, përfaqësuesi i subjektit politik Rilindja Shqiptare, Prelë Ujkaj në disa reagime të publikuara në profilin e tij në fejsbuk, ka ngritur shqetësime për procesin e demarkacionit, duke pretenduar se ai është një proces që duhet të anulohet pasi, sipas tij, lë jashtë më shumë se 25 për qind të territorit të Komunës së Tuzit dhe “ua mohon qytetarëve të drejtat e garantuara me Kushtetutën e Malit të Zi, duke ua ndryshuar qendrën administrative”.
Ujkaj ka apeluar që të shpallet harta, siç e ka quajtur ai, “e vërtetë administrative, jo ajo e komunave kadastrale”.
Ai ka paralajmëruar ndjekjen e kësaj çështjeje në instanca shtetërore dhe ndërkombëtare.
Po ashtu, ka njoftuar mbajtjen e një proteste paqësore, ditën e nesërme (e premte), më 3 korrik 2026, nga ora 10 deri në 12, para ndërtesës së Komunës së Tuzit, me moton: “Malësia nuk zvogëlohet”.
Ndërkohë, në rrjetet sociale dhe përmes adresave të ndryshme publike, përgjatë këtyre ditëve janë shfaqur reagime nga qytetarë dhe aktivistë, të cilët shprehin pakënaqësi ndaj procesit të demarkacionit dhe pretendojnë se është cenuar territori i Malësisë.
Në disa prej këtyre reagimeve kërkohet transparencë më e madhe institucionale dhe sqarim i detajuar i hartës së prezantuar.
Pas dorëheqjes së kryetares së Komisionit të Arbitrazhit dhe në mungesë të një vendimi përfundimtar të këtij komisioni, çështja e demarkacionit midis Komunës së Tuzit dhe kryeqytetit Podgoricë mbetet ende pa një epilog.
T. Ujkaj
