
Me rastin e 25-vjetorit të Shkollës së Muzikës në Ulqin (1995-2020), këto ditë doli nga shtypi Monografia e autorit Jusuf Lika.
Recensionet për këtë monografi u shkruan nga: Akademiku Zuvdija Hoxhiq-Berisha, Prof.Dr. Ruzhdi Ushaku dhe Prof. Dr. Sllobodan Jerkov.
Recensenti i kësaj monografie, Zuvdija Hoxhiq-Berisha thotë: “Shkolla për Arsimimin Fillor të Muzikës është shndërruar në një institucion arsimor dhe artistik me reputacion të lakmueshëm. Në mënyrë më të thjeshtë, mbi këtë ndërmarrje kulturore, më të vërtetë fenomen, dëshmon edhe Monografia me rastin e 25-vjetorit të Shkollës”. Recensenti tjetër, Sllobodan Jerkov vë në dukje se “Kultura e në veçanti kultura muzikore, pasqyrohet përmes formave të dukurive dhe pastaj përmes qëndrimit të popullit ndaj trashëgimisë së vet.. Sa më e pasur të jetë kultura muzikore, aq më i pasur është edhe populli”. Ndërkaq studiuesi nga Ulqini, Ruzhdi Ushaku thotë: “Për jetën profesioniste të Ulqinit ishte ngjarje e shënuar kulturore hapja e Shkollës së Muzikës në Ulqin në vitin 1995..”
Autorin e Monografisë, Jusuf Lika përvoja jetësore e mësoi që sakrifica nuk është e kotë nëse njëriu bën atë që do më së shumti…” Ëndrra ime fëmijërore u realizua”, thotë ai.
Në kapitullin VI, mund të lexojmë për profesorët që kanë dalë nga kjo shkollë. Ata janë:
Fatime Buzuku, Ilir.ana Gjoni, Jelena Knezheviq, Laureta Jacoviq, Lluka Gjaçiq, Gjylie Pelingu, Adrian Peroviq, Jozo Jakoviq, Milica Ivanoviq, Hristina Dragoviq, Ivana Pekiq, Vanja Goroviq, Maida Resulbegoviq-Goca, Jelena Ivanoviq.
Autorit të këtij teksti i lejohet që të vë në pah dy emra të veçantë:
Iliriana Gjoni
Është nxënëse e gjeneratës së parë të Shkollës së Muzikës në Ulqin. Ndër të tjera ajo është zgjedhur si fituese e bursës Erasmus dhe kalon në Universitetin e Muzikës në Kalsruhe (Gjermani), ku me notën më të lartë kryen studimet master në degët piano-solo dhe piano-muzikë kamertale.
Paralelisht fillon veprimtarinë e vet edhe si pedagoge. Në klasën e saj gjinden fituesit e çmimeve të para në garat kombëtare të Gjermanisë.
Gjylie Pelingu
Pasi kreu mësimet në Shkollën e Muzikës në Ulqin, shkollimin e lartë bachelor dhe master i ka kryer në Tiranë, në Universitetin e Arteve te profesoresha Manjola Nallbani.
Është fituese e garave nacionale dhe ndërkombëtare.
Që në vitin 2013 është anëtare e ESMA-së (Europian Summmer Music Academy).
Jeton në Ulqin.
Ishte kënaqësi dhe përjetim shpirtëror duke dëgjuar interpretimet e Ilirjana Gjonit dhe Gjylie Pelingut.
Shkolla e Muzikës në Ulqin ishte ëndrra e disa gjeneratave. Por, nismëtari dhe realizuesi i këtij projekti madhështor është Jusuf Lika i cili është njëkohësisht edhe autori i kësaj Monografie.
Shumë nxënës kanë kaluar nëpër këtë shkollë, disa kanë arritur suksese të veçanta, por u ka shërbyer edhe të tjerëve që të kenë një kulturë dhe edukim muzikor.
Fillimisht, Shkolla e Muzikës së Ulqinit ishte degë e Shkollës së Muzikës nga Tivari. Por, së shpejti u transformua si institucion i veçantë dhe i pavarur.
Gati të gjitha manifestimet kulturo-artistike në Ulqin kanë qenë të përcjella nga nxënësit dhe mësimdhënësit e Shkollës së Muzikës në Ulqin. Ato manifestime zbukuruan festimet lidhur me Ditën e Ulqinit dhe Skenën Verore në Ulqin.
Ishin prezentë edhe në përurimet e veprave të autorëve nga Ulqini dhe rajoni dhe ishin pjesëmarrës në shumë gara republikane dhe ndërkombëtare.
Monografia flet edhe për fillimet e jetës muzikore në Ulqin. I kujton edhe ata të cilët kanë dhënë kontribut në folklor dhe në jetën muzikore gjatë shekullit XX.
Me respekt po i veçoj disa emra: profesorët e muzikës Qamil Gorana, Hajdar Axhemi, Fiqiri Hasanaga. Po aty e kanë vendin edhe bartësit e folklorit Rexhep dhe Munib Abazi, Kabil Mehmeti, Beqir Truma, Atif Hasanaga.
Me veçanti po e përmend edhe violinistin Ali Tahir Zhygjelin.
Në fund
Ulqini mund të krenohet me arritjet e Shkollës së Muzikës.
Falënderime dhe respekt për autorin e Monografisë, Jusuf Lika.




