Nëse ndokush nuk di të kthehet nga të parët e vet, nuk di të gëzohet as për trashëgimtarët e vet. E që e duam dhe nuk e harrojmë të kaluarën, dëshmon edhe angazhimi Juaj për të ruajtur qytezën e Kishave, pasurinë tonë shpirtërore në Shas. Argjipeshkvia e Tivarit askurrë nuk ka hequr dhe as s’do të heq dorë nga këto Kisha, nga ato themele dhe nga vende të tjera të shenjta të të parëve tonë. Askush nuk ka të drejtë dhe askujt nuk i lejohet që ato vende të shenjta të të parëve tonë, t’i përvetësojë”, kumtoi ndër të tjera argjipeshkvi i Tivarit, Imzot. Rrok Gjonlleshaj
Dubravë – Kuvendi Françeskan i Tuzit ka organizuar për të pesëmbëdhjetin vit me radhë, takimin e përvitshëm tashmë tradicional me mërgimtarët i cili u mbajt në Dubravë, afro 10 kilometra nga Tuzi.
Ky aktivitet sikurse edhe gjatë viteve të shkuara, tuboi një numër relativisht të madh të banorëve nga të gjitha viset e Malësisë por dhe një numër të madh të mërgimtarëve tonë nga shtete të ndryshme të Evropës, Amerikës, Australisë e gjetiu.
Këtë vit, ky takim iu kushtua 550- vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Në emër të Kuvendit Françeskan të Tuzit dhe si organizator i tubimit ka përshëndetur at. Pashko Gojçaj i cili tha se me ardhjen e përvitshme, mërgimtarët i japin gjallëri vendit, duke dëshmuar kështu se nuk e kanë harruar vendlindjen e tyre. “Takimet me ju janë gjithmonë të përmallshme dhe shumë të gëzueshme. Të përmallshme se na kujtojnë të kaluarën tonë të dhimbshme, kurse të gëzueshme se duke u shoqëruar me njëri- tjetrin, i forcojmë lidhjet tona të cilat na hapin një perspektivë të mirë drejt ardhmërisë sonë. Kisha vendase nuk e harron kurrë kontributin tuaj ndaj vendlindjes tash 50 vjet me radhë, prandaj kjo mbrëmje është minimumi i asaj që ju e meritoni”, theksoi në mes tjerash Gojçaj Ai tha se kjo mbrëmje i dedikohet në veçanti kryeheroit kombëtar, Gjergj Kastriotit- Skënderbeut. t. u.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “829” të revistës Koha Javore
