“Duke u mbështetur në dy koncepte gjeografike që përdoren gjerësisht për të kufizuar raportet midis gjeohapësirës dhe etnogjenezës së një komuniteti njerëzor, autori ka ditur të trajtojë një problematikë të gjerë e komplekse të karakterit historik, gjeopolitik, demografik, ekonomik, social dhe mjedisor të lëndës së marrë në studim”, ka thënë redaktori i librit, prof. Dr. Selman Sheme
Ulqin – Në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin, të shtunën mbrëma është përuruar libri “Etnia dhe hapësira” i dr. Nail Dragës, i cili është botuar vitin e kaluar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”.
Në libër janë përmbledhur 11 studime, referate dhe kumtesa të prezantuara nga autori në dy dekadat e fundit, në konferencat dhe tubimet shkencore të mbajtura në Mal të Zi, Kosovë dhe Shqipëri.
Redaktori i librit Prof. Dr. Selman Sheme ka thënë se libri “Etnia dhe hapësira” ka si objekt kryesor studimi hapësirën etnogjeografike shqiptare të skajit veriperëndimor të trungut etnik, që historikisht ka qenë dhe është populluar nga shqiptarët.
“Duke u mbështetur në dy koncepte gjeografike që përdoren gjerësisht për të kufizuar raportet midis gjeohapësirës dhe etnogjenezës së një komuniteti njerëzor, autori ka ditur të trajtojë një problematikë të gjerë e komplekse të karakterit historik, gjeopolitik, demografik, ekonomik, social dhe mjedisor të lëndës së marrë në studim”, ka thënë ai. i. k.
