POEZI: Ali Gjeçbritaj

Ora e maleve

Nuk e di çfarë je, grua apo gjarpër
të kanë vënë mes gjinjve të fryrë
nuset e reja dhe vajzat e virgjëra.
Të kanë vendosur në trarin
në ballë të derës së shtëpisë
na solle fat, ndëshkove armiqtë
verbove syrin e keq.
Jeni të bardha, prore të lumtura
unë them jeni të mira,
të bukura, pa ua theksuar emrin.
Mua më keni lëvizur gjakun në damarë
në shekuj sollët vetëm bekimin
nga bota mashtruese flakët mallkimin.
Shpresa në orët e maleve tona
nuk e fikë dot braktisja
as heshtja që flet, as ikja.

Zana e malit

Ndihmon trimat, i mbushë me burrëri,
ndihmon kreshnikët në betejë,
ndihmon poetët, i mbushë me frymëzim,
ndihmon vajzat, i mbushë me bukuri.
Mbrojtja e saj bri dhie të egra,
kryetrimi e vendosi në përkrenare.
Në majat e bjeshkës
qielli gati preket me dorë
nuk ikëm nga tradita
flasim me zë të lartë, këndojmë
u bëjmë në dije, mos na shitoni.
Jo, nuk jeni xheloze, na hijeshoni.
Nuk je si Artemida, as si Diana
assesi me ta s’të krahasoj
je si ilirikja Thana.
Ruaji o Zot në malet tona
të bukurat Zana.

Vasalët

Dikur vasalët kishin vetëm një qafë,
Të gjithë
Tirani i priste me një shpatë.
Më vonë, diktatori me një plumb,
I vriste në kokë
Kundërshtarët i hidhte në lumë.
Sulltani i vriste gratë në harem
Se në majë të hundës
Nga xhelozitë u tremb.
Sot në shekullin e ri
Padroni modern
zi e më zi
ia kalon monizmit
me njëmendësi.
Sa shumë vasalë ka sot
Pakkush e di.

Dy stinë

Patë e çka nuk patë në stinën e mbrapshtë
Fjalë të pista, pordhë, shurrë, fendë e mut
Rrena, dallavera, hajni e kurvëni
Ngjarje të pista sa të duash
s’ti zë veshi e s’ti sheh syri.
Patë e çka nuk patë në stinën e mbarë
Simpati, dashuri, fejesa, martesa, dasma
Dashamirësi, miqësi, urtësi, bujari e begati
Buelleku i mbushi zemrat,
plotësoi zbrazëtinë e një stine më parë.
Stinë e mbrapshtë, qafën e këputsh
Stinë e mbarë, gjithmonë ardhsh e mbarë.

Dialog

Më tha popullorçe:
Burri të bën zojë,
burri të bën tojë.
Popullorçe edhe përgjigjja:
Gruaja e keqe
e bën burrin teneqe.
Hajt e merre vesh
kush ka sot të drejtë.

Të fundit

më të lexuarat