Jeta nuk është poezi, por poezia është jetë

“Autori me tone melankolike, mallëngjimi, por dhe kënaqësie i këndon vendlindjes në disa poezi, edhe është metafora kyçe: pikturon një ndjenjë të çiltër, duke regjistruar se në të gjitha ëndrrat, kujtimet më të bukura që janë ngulitur në shpirtin e tij, është dashuria më e kristaltë për ‘vendlindjen trime’”, ka thënë poeti Ibrahim Berjashi

Ulqin – Në prani të një numri të konsiderueshëm të dashamirëve të letërsisë, miqve dhe shokëve të autorit, të shtunën mbrëma në Galerinë e Qendrës së Kulturës – Ulqin u bë përurimi i përmbledhjes me poezi “Malësi e mall” të Fiqret Mujeziqit.
Për librin kanë folur poeti Ibrahim Berjashi dhe përkthyesi e kritiku Qazim Muja.
Poeti Ibrahim Berjashi, i cili e ka bërë përzgjedhjen e poezive që janë përfshirë në vëllimin poetik “Malësi e mall”, ka thënë se me të drejtë apostrofohet se “kur flitet mbi letërsinë shqipe në përgjithësi, nuk duhet harruar as atë që krijohet në diasporë nga autorët me origjinë nga viset etnike shqiptare në Malin e Zi, pa marrë parasysh nivelin e diskursit dhe atë ideoartistik”.
Ai ka thënë se në këtë përmbledhje me poezi, Mujeziqi “sjell para lexuesve përkushtimet e tij poetike mbi dashurinë edhe mallin që ruan për ambientet e vendlindjes, ndaj njerëzve të afërt të tij, kujtimet rinore, të cilat i ka përjetësuar në këtë vepër letrare”. i.k.

Të fundit

më të lexuarat