Autori Gjonaj me këto hulumtime hap shtigje për një qasje të përgjithshme të pozitës së shqiptarëve në Malin e Zi, duke përfshirë këtu përfaqësuesit politikë, të cilët edhe pse nuk u zgjodhën në mënyrë demokratike, megjithatë janë tregues të mekanizmave të sistemit me të cilat u munduan të animohen pakicat në këtë vend
Libri i Gjekë Gjonajt “Deputetët shqiptarë në Malin e Zi në periudhën e monizmit (1946-1990)” paraqet një qasje dokumentare dhe arkivore për një periudhë të rëndësishme historike. Është kjo periudha kur shqiptarët në Malin e Zi dhe në përgjithësi shqiptarët në rajon, mbesin nën ndikimin e sistemit të ashpër komunist. Edhe pse kjo mbetje u bë pa dëshirën e tyre, ata megjithatë në kushtet më ekstreme ideologjike u përpoqën të mbijetojnë në atë sistem jo edhe aq joshës për komunitetin shqiptar në Malin e Zi. Veprimtaria e tyre për mbijetesë ishte e pranishme në të gjitha proceset politiko-shoqërore, duke përfshirë këtu edhe institucionin popullor, Parlamentin e Malit të Zi.
Autori Gjonaj me këto hulumtime hap shtigje për një qasje të përgjithshme të pozitës së shqiptarëve në Malin e Zi, duke përfshirë këtu përfaqësuesit politikë, të cilët edhe pse nuk u zgjodhën në mënyrë demokratike, megjithatë janë tregues të mekanizmave të sistemit me të cilat u munduan të animohen pakicat në këtë vend. Autori përmbledh dokumente, fakte biografike, dëshmi, përshkrime dhe shumë çështje të tjera që e bëjnë më të besueshëm këtë libër, por që pasqyrojnë edhe përfaqësimin kompleks të shqiptarëve gjatë këtij harku kohor. Edhe pse Gjonaj arrin në përfundim “se shqiptarët ishin të përfshirë në jetën politike dhe shoqërore të Malit të Zi në mënyrë të barabartë me të gjithë popujt e tjerë”, ai me qëllim nuk komenton dhe nuk jep opinione për veprimtarinë e përfaqësuesve politikë të shqiptarëve në Malin e Zi, disa prej të cilëve, për shkak të qëndrimeve mohuese ndaj vlerave kombëtare u cilësuan si persona “kontroversë”.
“Deputetët shqiptarë në Mal të Zi në periudhën e monizmit (1946-1990)” është një libër i veçantë, ku me përkushtim dhe pedanteri përshkruhet organizimi politik dhe pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë proces. Krahas përfaqësuesve politikë të shqiptarëve trajtohet edhe përbërja e organeve të pushtetit të Malit të Zi në kohën e monizmit, duke e shndërruar këtë libër në një monografi të pasur, e cila do të jetë një burim referimi për studiuesit e ardhshëm.

