“Kur shumica e poezisë shqipe të kohës, kur u shfaqe Ti, ishte e ngarkuar me figuracionin e përsëritur, Ti i dhe asaj aromën e papërsëritshme të detit, apo më vonë atë ironinë e deriatëhershme të paparë, për ta zgjuar poezinë shqipe nga një gjumë letargjik, duke e emancipuar atë, për ta bërë të krahasueshme me poezinë e gjuhëve të mëdha”, ka thënë në fjalën e rastit mr. Haxhi Shabani
Ulqin – Në sallën e mbushur përplot të Kuvendit të Komunës së Ulqinit, të enjten u mbajt orë përkujtimore me rastin e vdekjes së poetit, studiuesit dhe pedagogut universitar, prof. dr. Basri Çapriqi.
Ora përkujtimore filloi me një minutë heshtjeje në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e Çapriqit.
Në emër të organizatorit, kryetari i Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, Ismet Kallaba, ka thënë se Basri Çapriqi është modeli dhe shëmbëlltyra më e mirë e intelektualit shqiptar.
“Ai do të bëhej urë bashkëpunimi ndërmjet krijuesve të Ulqinit dhe krijuesve shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare. Ai ishte përfaqësues i denjë i Ulqinit dhe i shqiptarëve në Mal të Zi në kryeqytetin e Kosovës. Me karizmën e tij, kudo ka përfaqësuar me dinjitet Ulqinin, Kosovën dhe shqiptarët në përgjithësi”, ka theksuar ndër të tjera ai.
Kryetari i “Art Club”-it ka thënë se Çapriqi ishte i lidhur shpirtërisht me Ulqinin.
“Basri Çapriqi nuk ishte prej atyre që kur ikin nga Ulqini, e harrojnë atë. Prandaj Ulqini i ka borxh Basriut”, ka theksuar Kallaba. i. k.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “799” të revistës Koha Javore
