Studimi monografik “Epigrafika islame në Plavë e Guci”, e studiuesit, shkrimtarit, publicistit dhe pedagogut plavjan, Halil R. Markishiq, paraqet veprimtari hulumtuese – historiografike dedikuar vendlindjes së vet dhe jep kontribut të rëndësishëm procesit të pashtershëm dhe të pafund të studimit të së kaluarës së trevës të Plavë-Gucisë
Temë hulumtimi e këtij studimi, është epigrafika islame, respektivisht mbishkrimet e shkruara me shkrim arab në gjuhët: osmane, turke dhe arabe, në xhamia, nishane, kulla dhe në shtëpia. Në harmoni me tematikën, studimi në fjalë, pas pjesës hyrëse përmban katër kapituj, në kuadër të së cilëve autori me sukses në formë interesante prezanton epigrafikën e ruajtur islame të trevës së Plavë-Gucisë.
Në kapitullin e parë: mbishkrimet në xhamia, ka prezantuar katër foto- mbishkrime në teknikën bardhë e zi në xhamitë e Plavës dhe dy sosh në xhamitë e Gucisë; Në kapitullin e dytë: mbishkrimet në nishane (shenja), ka prezantuar 13 mbishkrime në nishanet në Plavë dhe gjashtë sosh në ato të Gucisë; Në kapitullin e tretë: mbishkrimet në kulla, ka prezantuar shtatë foto-mbishkrime në kullat në Plavë dhe nëntë sosh në ato në Guci, dhe në kapitullin e katërt: mbishkrimet në shtëpia, ka prezantuar mbishkrimin në shtëpinë e Abedin A. Kandiqit në Plavë dhe mbishkrimin në shtëpinë e Ismet Radonçiqit në Guci.
Autori Halil R. Markishiq përmes prizmës së shpjegimit dinamik dhe thelbësor, të së kaluarës historike, lexuesin e njofton me fakte e argumente të reja të cilat qartë hedhin dritë në ca aspekte të errëta dhe deri më tani jo mjaft të njohura të së kaluarës së kësaj treve.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “796” të revistës Koha Javore

