“Shpesh në shoqërinë moderne ndodh që njeriu të pushojë së reflektuari atëherë kur më së shumti është nevoja për një kthim në kohë. Këtë përherë na kujton nëntori. Edhe këtë 28 Nëntor do të theksojmë se jemi ndër popujt e rrallë, autokton, që jetojnë të grimcuar në shtete rreth e qark tokës amë, jemi gegë e toskë, jemi shqiptarë që na bashkon një gjuhë, një flamur, një gjak“, ka thënë kryetari i KKSH-së, Genci Nimanbegu
Ulqin – Në sallën e mbushur përplot të Qendrës së Kulturës në Ulqin, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Mal të Zi shënoi të martën mbrëma 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit kombëtar me një manifestim të gërshetuar me këngë, muzikë dhe recitime.
Manifestimi ka filluar me intonimin e Himnit Kombëtar.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i KKSH-së, Genci Nimanbegu, ka thënë se 28 Nëntori është festa që i bashkon shqiptarët anembanë botës dhe që ata i bën një.
“Andaj, jemi tubuar që në shoqërinë e njëri-tjetrit të kthejmë sytë nga e kaluara jetike, jemi mbledhur të kujtojmë kush jemi. Shpesh në shoqërinë moderne ndodh që njeriu të pushojë së reflektuari atëherë kur më së shumti është nevoja për një kthim në kohë. Këtë përherë na kujton nëntori. Edhe këtë 28 Nëntor do të theksojmë se jemi ndër popujt e rrallë, autokton, që jetojnë të grimcuar në shtete rreth e qark tokës amë, jemi gegë e toskë, jemi shqiptarë që na bashkon një gjuhë, një flamur, një gjak“, ka thënë ai.
Nimanbegu ka theksuar se gjatë këtyre katër viteve, KKSH ka pasur fokusin në ruajtjen e identitetit shqiptar dhe si rrjedhim është angazhuar në çështjet e arsimit shqip në Mal të Zi.
Ai ka përmendur disa nga të arriturat në fushën e arsimit, informimit në gjuhën shqipe etj.
„Demokratizimi i mëtejshëm i Malit të Zi, kërkesat politike për decentralizim, rritja e ingerencave të komunave, përmirësimi i të drejtave politike, avancimi i të drejtave që na takojnë të gjithëve pa dallim politik, treve, gjinie apo feje, do të jenë synimi ynë i vazhdueshëm“, është shprehur ai, duke shpresuar që edhe në vazhdim KKSH-ja do të vazhdojë të kontribuojë në ndalimin e asimilimit kombëtar.
Më pas për të pranishmit është shfaqur programi kulturor, ku kanë marrë pjesë SHKA “Dulcinea” nga Ulqini, Grupi Folklorik i Shkollës Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” – Ostros”, Ansambli “Tradita” nga Ana e Malit, Grupi i Folklorit “Trëndafilat e Shën Terezës”, SHKA “Ana e Malit” dhe rapsodi Ilmadi Zaga, SHKA “Zana e Ulqinit”, si dhe aktori i Teatrit „Migjeni“ – Shkodër, Bruno Shllaku, të cilët me paraqitjen e tyre kanë krijuar emocione dhe elektrizuar atmosferën tek të pranishmit.
Me këtë rast, Shoqata “Qyteti Krijues” organizoi në Galerinë e Arteve të Qendrës së Kulturës ekspozitën me veshje tradicionale dhe punime të dorës.
Po të njëjtën ditë, është organizuar edicioni i gjashtë i Maratonës së Pavarësisë në relacionin Shkodër – Ulqin.
Aktivitetet për shënimin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit janë realizuar në kuadër të projektit të mbështetur nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave.
Në manifestim kanë marrë pjesë ndër të tjerë ministri për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicave, kryetari i Komunës së Ulqinit dhe përfaqësues tjerë të pushteti vendor, ambasadorët e Republikës së Shqipërisë, Kosovës, Kroacisë, zëvendës ambasadorja e Maqedonisë, dhe shumë personalitete të tjera nga fusha të ndryshme. i. k.
