“Me këtë veprimtari shkojmë akoma më tej duke u njohur edhe me vepra të plota letrare të një të sërë krijuesish, pjesëtarë të shoqatës suaj, komentuar në këtë takim nga studiues nga më të njohurit”, ka thënë prof. dr. Marenglen Spiro, sekretar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave
Tiranë – Në sallën “UNESCO” të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, të premten mbrëma janë prezantuar tetë autorë shqiptarë nga Mali i Zi, për të cilët kanë folur studiues të njohur.
Veprimtaria është organizuar nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe e Shkencave, Muzeu Historik Kombëtar, Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi dhe Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave në Mal të Zi.
Në fjalën përshëndetëse, sekretari i ASHASH-it, prof. dr. Marenglen Spiro, ka thënë se ata kanë qenë të informuar me veprimtarinë botuese të shqiptarëve në Mal të Zi nëpërmjet revistave shkencore në gjuhën shqipe që botohen në Mal të Zi, si “Lemba”, “Dija”, “Buzuku” dhe “Malësia”.
“Ato na kanë lënë një përshtypje të pashlyer si pasqyra të ligjërimit letrar shqip me ngjyrat, veçantitë, pasuritë historike e kulturore të trevave ku jetoni. Ato janë pjesë e pandarë e kulturës sonë, shkencës e komunikimit letrar e shpirtëror, aspekte të jetës të cilat kanë mbajtur gjallë ndër kohëra identitetin e kombit shqiptar”, ka thënë ai.
Ndërsa duke folur për prezantimin e tetë autorëve shqiptarë nga Mali i Zi, ai ka thënë se me këtë veprimtari “shkojmë akoma më tej duke u njohur edhe me vepra të plota letrare të një të sërë krijuesish, pjesëtarë të shoqatës suaj, komentuar në këtë takim nga studiues nga më të njohurit”.
Kryetari i Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, prim. Dr. Gani Karamanaga, ka thënë se shqiptarët në Mal të Zi kanë nevojë për ndihmën e shtetit shqiptar.
“Ne mendojmë se ndihmesa prej Shqipërisë dhe Kosovës për shqiptarët në Mal të Zi duhet të jetë më e madhe”, ka thënë ndër të tjera ai.
Për librin e mr. Ali Bardhit “Varrezat në Anë të Malit – Ulqin” ka folur studiuesi dr. Moikom Zeqo, për librin e Ali Dacit “Shtigjet e përgjakura” shkrimtari Sadik Bejko, për përmbedhjen me tregime të Anton Gojçajt “Ndërmjet kapakëve“ studiuesja e letërsisë prof. dr. Klara Kodra, për librin e prim. Dr. Gani Karamanagës “Në derë të oborrit” prof. as. Dr. Olimbi Velaj, për librin e Gjekë Gjonajt “Bijtë e shqipes“ studiuesi Gjokë Dabaj, për librin e prof. dr. Simë Dobrecit “Krijime popullore shestanese“ gjuhëtari prof. dr. Emil Lafe, për librin e akademikut Zuvdija Hoxhiq (Berisha) “Të gjithë të mitë“ prof. dr. Xhevat Lloshi dhe për romanet e Mark Lucgjonajt “Fshati i heshtjes” dhe “Ligji i maskave” ka folur studiuesja e letërsisë Ma. Liridona Sinishtaj.
Të pranishmit i kanë përshëndetur edhe Dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, dhe Safet Kurtagiq, drejtor i Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave
Përpos autorëve, anëtarëve të ASHASH-it, studiuesve dhe dashamirëve të kulturës, e pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Artemis Dralo, zëvendësministre për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë. i. k.
