Kurorëzim i punës së frytshme krijuese

Kompleti përbëhet nga katër libra: “Ulqin, ti legjendë” (folklor për Ulqinin), “Ulqin, ti det” (poezi për Ulqinin), “Ulqin, ti gjurmë kohe” (publicistikë për Ulqinin) dhe “Ulqin, ti Kala jetike” (proza për Ulqinin)

Ulqin – Qendra për Kulturë – Ulqin dhe Bashkimi i Krijuesve Shqiptarë në Malin e Zi organizuan të enjten mbrëma në Bibliotekën e Qytetit përurimin e kompletit “Tetralogjia e Ulqinit” të autorit Hajro Ulqinaku.
Kompleti përbëhet nga katër libra: “Ulqin, ti legjendë” (folklor për Ulqinin), “Ulqin, ti det” (poezi për Ulqinin), “Ulqin, ti gjurmë kohe” (publicistikë për Ulqinin) dhe “Ulqin, ti Kala jetike” (proza për Ulqinin).
Shkrimtari Hajro Ulqinaku ka treguar se si lindi kompleti “Tetralogjia e Ulqinit”, për të cilin ai ka thënë se është “Komedia hyjnore” e tij dhe e Ulqinit.
Ai ka theksuar se me kohë, me punë dhe me mund ka arritur ta bëjë këtë komplet.
“Shkrimtarët dhe autorët e ndryshëm gjithandej Ulqinit, ish-Jugosllavisë dhe gjithë botës shkruan si është më së bukuri për Ulqinin. Me ditë e net nxora nga librat e mi, librat tuaj, poezi, proza, reportazhe, shkrime të tjera eseistike etj., i sistemova që të kemi në dorë këtë komplet”, ka thënë Ulqinaku.
Në emër të botuesit, Bashkimit të Krijuesve Shqiptarë në Mal të Zi, prim. Dr. Gani Karamanaga e ka vlerësuar përurimin si një mbrëmje të veçantë dhe një moment historik për Ulqinit.
“Ulqini është një ndër ato qytete të artit dhe kulturës të cilët e kanë tetralogjinë për folklor, poezi, prozë dhe shkrime të tjera”, ka theksuar ai, duke shtuar se “kjo meritë i takon Hajro Ulqinakut, i cili në këtë mënyrë e kurorëzon punën e vet 60-vjeçare shumë të frytshme në krijimtari të llojllojshme”, ka thënë kryetari i BKSHMZ-së.
Ndërkaq, drejtori i Qendrës së Kulturës – Ulqin, Astrit Salaj, ka përkujtuar se kjo është hera e dytë që brenda një periudhe të shkurtër kohore shkrimtari Hajro Ulqinaku përuron një vepër, e cila siç ka thënë ai, “për nga volumi mund të konsiderohet vetëm si madhështore”.
Ai ka thënë se “duhet ta pyesim veten nëse e gëzon autori Hajro Ulqinaku atë vëmendje dhe atë vlerësim që e meriton”.
Botimin e kompletit “Tetralogjia e Ulqinit” e ka mbështetur Komuna e Ulqinit dhe Organizata Turistike – Ulqin.
Gjatë përurimit, poezi nga autorë të ndryshëm kushtuar Ulqinit, pjesë të “Tetralogjisë së Ulqinit” lexoi udhëheqësja Eljana Hasanaga – Peku.
Në fund të përurimit, autori ndau libra për të gjithë pjesëmarrësit në përurim. i. k.

Të fundit

më të lexuarat