“Ali Podrimja in memoriam” është libri që shkrimtari grek, Dino Koubatis, ia dedikon poetit kosovar Ali Podrimja. Në promovimin e librit, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, javën e kaluar, ishin të pranishëm autori i librit, Dino Koubatis, ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, si dhe miq e artdashës.
Dino Koubatis në promovimin e librit ka thënë se Podrimja ishte “një mik i shtrenjtë dhe vdekja e tij ishte si një humbje ndërkombëtare”. Siç ka kujtuar ai, kur mori përsipër të bënte një vepër për të, nuk mendoi të shkruante diçka të thjeshtë, “por, të bëj një studim të thelluar dhe analizë krahasuese për veprën e tij”.
Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, ka thënë se poezia e Podrimjes është zë i fuqishëm i Kosovës në botë. . Ai ka shtuar se arti i vërtetë përmes poemave të Podrimjes i kanë dhënë atij një emër të merituar në Panteonin e letrave shqipe.
Gjatë promovimit foli dhe botuesi Muhamet Kurti, i cili ka vlerësuar lart gjithë krijimtarinë e poetit Podrimja. Por në një parantezë të tij botuesi nga Gjakova, duke iu drejtuar Pandeli Majkos me fjalët “vëllanë që e duam shumë”, ka thënë se “kur politika vjen te kultura, do të thotë që i kemi punët mirë”.
