Sipas revistës “Njeriu”, ishte një dramë e shkruar nga një student – Asim Lohja, e cila pritej të botohej së shpejti, por që ishte vënë në skenën e teatrit të Shkodrës e të Tiranës dhe kishte korrur një sukses të jashtëzakonshëm, për të cilin kishin shkruar fletoret e Tiranës e të Shkodrës
Hajrudin S. Muja
Një mik imi më dhuron një botim të vjetër të Revistës “Njeriu”, e përmuajshme shpirtnore dhe kulturore e organizatës “Drita hyjnore”, e cila u botua nga korriku 1942 deri në shtator 1944. Revista për të cilën po flas, i përket muajit shkurt të vitit 1943. Në të bëhet fjalë për një dramë “Për mproje t’Ulqinit”, për të cilën unë, por as shumica e lexuesve, nuk besoj se kanë dëgjuar. Ishte një dramë e shkruar nga një student – Asim Lohja, e cila sipas revistës, pritej të botohej së shpejti, por që ishte vënë në skenën e teatrit të Shkodrës e të Tiranës dhe kishte korrur një sukses të jashtëzakonshëm, për të cilin kishin shkruar fletoret e Tiranës e të Shkodrës.
Drama ishte ndarë në katër akte dhe shqyrtonte përpjekjet e vullnetarëve shqiptarë të Ulqinit, të cilin bashkë me Tivarin, Berlini ia kishte falë Malit të Zi.
Dy aktet e para e paraqesin ngjarjen në Shkodër, fillimisht në një dhomë të vjetër shkodrane, ku pleqtë konsultohen për ndihmën që duhej çuar vëllezërve të tyre, dhe për përgjigjen që do t’i jepnin Pashës, i cili me çdo kusht mundohej t’i ndalte shqiptarët që të mos luftojnë kundër malazezëve.
Akti i dytë, në oborrin e kështjellës së Shkodrës, ku ishin mbledhur paria, refuzojnë ofertat e përfaqësuesit të Sulltanit, që mundohej me i thyer me para.
Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “784” të revistës Koha Javore
