Një jetë në shërbim të fesë

“Një element tjetër që duhet të veçohet gjatë punës së tij është kontributi i dhënë në unifikimin e besimtarëve myslimanë në trevat ku jetojnë dhe punojnë ata, si dhe duke nxitur frymën e bashkëjetesës ndërfetare dhe të respektit të ndërsjellë në mes konfesioneve”, ka thënë kryeimami i Ulqinit, mr. Ali Bardhi.

Ulqin – Bashkësia Islame në Malin e Zi, gjegjësisht Mexhlisi i Bashkësisë Islame – Ulqin organizoi të shtunën mbrëmjen e titulluar “Një jetë në shërbim të fesë” kushtuar Haxhi Rexhep ef. Likës, ish-kryeimam i Tuzit dhe i Ulqinit.
Në fjalën e tij, kryeimami i Ulqinit, mr. Ali Bardhi ka thënë se Rexhep ef. Lika është personalitet i shquar i vendit tonë, i cili kontribuoi si imam dhe si predikues i mësim-besimit në Ulqin dhe vazhdon të kontribuojë edhe tani në pension.
“Me dijen, aftësitë e mençurinë e tij gjithmonë ka ditur që të promovojë vlera të duhura në kohën e vet, duke i prezantuar ato në mënyrë të kuptueshme dhe të qartë tek xhemati, si dhe çdoherë është munduar që të ruajë dhe të promovojë islamin bazë, të gërshetuar me traditën e vendit”, ka theksuar ai.
Bardhi ka thënë se “një element tjetër që duhet të veçohet gjatë punës së tij është kontributi i dhënë në unifikimin e besimtarëve myslimanë në trevat ku jetojnë dhe punojnë ata, si dhe duke nxitur frymën e bashkëjetesës ndërfetare dhe të respektit të ndërsjellë në mes konfesioneve”.
Sipas kryeimamit të Ulqinit, “edukimi jo si një hoxhë i thjeshtë, por si një dijetar i vërtetë, i pajisur me dituri të ndryshme fetare, atdhetare, shkencore, e bëjnë Haxhi Rexhep ef. Likën një njeri me dhunti të veçanta për thithjen e diturive si dhe transmetimin e tyre tek populli”.
Ai është shprehur po ashtu se puna, veprimtaria, edukimi e përkushtimi i Haxhi Rexhep ef. Likës për hapësirën ku ka jetuar e vepruar do të nderohet dhe vlerësohet gjithmonë.
“Ne si institucion fetar dhe si imamë duhet të ndjehemi krenarë që jemi trashëgimtarë të këtyre figurave të shquara të vendit tonë dhe më gjerë, si dhe të marrim përsipër të çojmë më tej punën dhe veprimtarinë e tij”, ka përfunduar Bardhi.
Për jetën dhe veprimtarinë e haxhi Rexhep ef. Likës kanë folur edhe prim. Dr. Gani Karamanaga në emër të besimtarëve të Ulqinit, Flora Basha si ish-nxënëse e mejtepit të udhëhequr nga Rexhep ef. Lika, kryeimami i Tuzit Islam Pepiqi, imami Ali ef. Mehani në emër të imamëve të vjetër, zëvendësi i Reisit të Bashkësisë Islame në Malin e Zi Omer Kajoshaj, të cilët kanë vlerësuar dhe çmuar lart punën dhe kontributin e tij.
Në fjalën e tij, Rexhep ef. Lika ka falënderuar folësit dhe të pranishmit, si dhe organizatorët e mbrëmjes.
Haxhi Rexhep ef. Lika u lind në fshatin Brajshë të Komunës së Ulqinit, në vitin 1940. U edukua në qendra të rendësishme të edukimit. Më pas u kthye për t’i shërbyer vendit dhe popullit të tij, fillimisht në treva të ndryshme në Mal të Zi, derisa u emërua kryeimam në Tuz dhe më pas në Ulqin. Ai njihet dhe çmohet nga të gjithë si model i klerikut që përçoi tek besimtarët vlerat dhe virtytet më të mira fetare dhe atdhetare.
(Kohapress)

Të fundit

më të lexuarat