Pjesëmarrës piktorë nga 15 vende

Kolonia artistike është mbyllur me ekspozitën që u hap të dielën në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit, ku piktorët pjesëmarrës ekspozuan punimet e tyre, të punuara gjatë ditëve të qëndrimit në Ulqin

Ulqin – Për gjashtë ditë, nga data 3-8 maj, Ulqini ishte qyteti mikpritës i dhjetëra piktorëve nga 15 vende të botës, përfshirë vendet e rajonit, të cilët morën pjesë në koloninë artistike të organizuar nga Shoqata “Art Dulcinium” në bashkëpunim me Organizatën Turistike të Ulqinit.
Gjatë qëndrimit të tyre në Ulqin, piktorët nga Bosnja e Hercegovina, Brazili, Britania e Madhe, Gjermania, Kina, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia, Palestina, Rusia, Senegali, Serbia, Sllovenia dhe Shqipëria, kanë vizituar vende të ndryshme, ku janë njohur me bukuritë, monumentet natyrore, historike e kulturore të këtij qyteti etj., të cilat u kanë shërbyer si frymëzim për punimet e tyre.
Kolonia artistike është mbyllur me ekspozitën që u hap të dielën në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit, ku piktorët pjesëmarrës ekspozuan punimet e tyre, të punuara gjatë ditëve të qëndrimit në Ulqin.
Kryetarja e Shoqatës “Art Dulcinium”, Vahida Nimanbegu, në emër të organizatorit, ka falënderuar piktorët pjesëmarrës dhe ka shprehur dëshirën që ata të vijnë sërish në Ulqin.
Ajo ka thënë se në koloni janë tubuar piktorë nga katër kontinente: Azia, Afrika, Amerika Jugore dhe Evropa.
Piktorët i ka përshëndetur Ismet Karamanaga, kryetar i Shoqatës së Miqve të Kalasë “Kalaja”, i cili e ka vlerësuar koloninë artistike si një manifestim të qëlluar, në mesin e shumë veprimtarive kulturore të mbajtura gjatë ditëve të fundit në Ulqin.
“Unë shpresoj se ju do të vazhdoni të vini tek ne, se keni fituar frymëzim që të jeni edhe më kreativë, edhe më të mirë, sepse nuk ka asgjë më të mirë sesa arti. Arti është ajo çfarë na lidh të gjithë neve”, është shprehur ai.
Në emër të piktorëve pjesëmarrës, ka përshëndetur piktorja kroate Nives Çiçin-Shain.
“Ne jemi shumë të kënaqur sepse kemi kaluar ditë shumë të bukura këtu. Mikpritja juaj është e madhe, qyteti juaj është i mrekullueshëm, dhe ne kemi kaluar një kohë shumë të bukur të jetës sonë. Ajo atmosferë familjare që kemi përjetuar, për secilin nga ne, ka vlerë më të madhe sesa çdo gjë”, ka thënë ndër të tjera ajo.
Shoqata “Art Dulcinium”, e drejtuar nga piktorja Vahida Nimanbegu, ka organizuar deri tani disa koloni artistike me karakter ndërkombëtar. i. k.

 

Të fundit

më të lexuarat