Ndërthurje e mesazheve artistike dhe fetare

Drama trajton një temë universale, siç është nëna, dashurinë ndaj saj, raportet familjare, problemet e brezave në familjen e sotme etj. Krahas mesazheve artistike që përcjell në rreth 40 minuta, drama ngërthen në vetvete edhe mesazhe fetare, duke treguar rolin e nënës dhe peshën e fjalës së saj

Ulqin – Për dy net me radhë, të enjten dhe të premten, adhuruesit e artit dramatik në Ulqin ndoqën në sallën e Qendrës së Kulturës premierën e dramës “Nana” të Teatrit “Teuta”, e cila është drama e parë e përgatitur nga ky teatër.
Drama me autore Arlinda Morinën trajton një temë universale, siç është nëna, dashurinë ndaj saj, raportet familjare, problemet e brezave në familjen e sotme etj. Krahas mesazheve artistike që përcjell në rreth 40 minuta, drama ngërthen në vetvete edhe mesazhe fetare, duke treguar rolin e nënës dhe peshën e fjalës së saj. Drama përçon mesazhin se amaneti i nënës duhet respektuar dhe çuar në vend.
Regjinë e dramës e ka punuar Munib Abazi, ndërsa në rolin e asistentes së regjisë është Edina Mustafiq. Në rolin e nënës paraqitet aktorja Vjosa Tasholli nga Kosova, kurse rolet tjera i luajnë aktorët nga Ulqini Muho Uruçi, Anes Kurti, Albana Kurti Zeçeviq dhe Bashkim Alaj.
Skenografinë dhe kostumografinë për shfaqjen e ka realizuar Jetmira Hoxha, muzikën Ardian Hasanaga, kurse ndriçimin Musa Hoxha.
Prania e publikut në dy netët e shfaqjes është dëshmi e etjes për këtë lloj të artit, i cili mungon pothuajse në tërësi në qytetin e Ulqinit, me përjashtim të sezonit veror kur pjesë teatrale shfaqen në Festivalin “Skena Verore”.
Teatri “Teuta” është themeluar para disa muajsh me qëllim të ringjalljes së jetës teatrore dhe kulturore në Ulqin. Drejtuesit e këtij teatri kanë thënë në prezantimin e tij se, për publikun vendas dhe të huaj, do të sjellin shfaqje kombëtare dhe ndërkombëtare të gjinive të ndryshme. i.k.

Të fundit

më të lexuarat