Arsimi, shtyllë e qëndresës së shqiptarëve në këto treva

“Për shqiptarët që jetojnë jashtë shtetit amë, sidomos për ne shqiptarët që jetojmë në trevat shqiptare në Mal të Zi, 7 Marsi ka rëndësi edhe më të madhe. Kjo është dita kur kujtojmë sakrificat dhe kontributin e brezave të tërë të mësuesve arsimdashës e patriotë, të cilët kanë dhënë çdo gjë nga vetja për të arsimuar dhe edukuar të rinjtë. Po të mos kishte qenë arsimi në gjuhën amtare, ndoshta sot nuk ishte folur shqip në këto treva”, ka thënë në fjalën përshëndetëse kryetari i KKSH-së, Genci Nimanbegu

Ulqin – Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi shënoi 7 Marsin – Ditën e Mësuesit me një manifestim në Qendrën e Kulturës – Ulqin, ku morën pjesë mësimdhënës në pension dhe aktivë, nxënës, prindër, përfaqësues të arsimit, kulturës, pushtetit vendor, anëtarë të KKSH-së etj.
Për pak më shumë se një orë, ata kanë ndjekur programin e larmishëm, të përgatitur enkas për Ditën e Mësuesit, ku kanë marrë pjesë aktorë dhe këngëtarë vendas, grupe të vallëzimit, pedagogë të Shkollës së Muzikës në Ulqin dhe kori i fëmijëve i kësaj shkolle etj. Pjesë e programit kanë qenë edhe disa inserte filmike arkivore të dokumentarëve mbi të kaluarën e shkollave të Ulqinit.
Programi e ka arritur kulmin, me paraqitjen në skenë të aktorit Mirush Kabashi, Mjeshtër i Madh i Skenës dhe Nderi i Kombit, i cili me recitimin e tij ka fituar ovacione nga i gjithë publiku i pranishëm. i.k.

Më gjerësisht mund ta lexoni në numrin “756” të revistës Koha Javore

Të fundit

më të lexuarat