Studiuesi ka bërë personalisht kërkime në terren, duke i vëzhguar dhe shënuar me kujdes faktet. Të dhënat mbi dasmën “siç ishte dikur” i siguroi duke intervistuar “bartësit”, të cilët i rrëfyen mbi detajet e ceremonialit të dikurshëm të dasmës – ashtu siç e mbajnë mend vetë – ose – siç kanë dëgjuar prej të tjerëve. Studiuesi ka konsultuar edhe literaturën përkatëse dhe ka bërë hulumtime arkivore
Anton Gojçaj
Prurja e re studimore që fokusohet te fisi i Hotit titullohet “Ceremoniali i dasmës në Hot” dhe është libri i parë i Luigj Dedvukaj-t (lindi në vitin 1977). Autori ka mbaruar studimet në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës (në degën e Pedagogjisë së përgjithshme muzikore, drejtimi i muzikës), kurse studimet pasuniversitare në Qendrën e Studimeve të Albanologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit (fusha e Etnologjisë-Folklorit) në Tiranë. Libri është rezultat i hulumtimeve që autori i bëri gjatë punimit të mikrotezës, në kërkim të gradës master i shkencave.
Struktura e jashtme e këtij punimi i përmbush kriteret themelore të punimit shkencor.