
Ka njerëz dhe ngjarje që, edhe pas shumë vitesh, mbeten të gjalla në kujtesën tonë. Jo vetëm për atë që kanë bërë, por edhe për gjurmët që kanë lënë në jetën e brezave pas tyre. Një histori të tillë dua ta ndaj me lexuesit, sepse lidhet me shkollën tonë, me njerëzit që hodhën themelet e arsimit në Anën e Malit, përmes një dëshmie të çmuar që ma dorëzoi njëri prej mësimdhënësve të mi të parë, Haxhi Taipi.
Gjithçka nisi para disa vitesh, gjatë një vizite në vendlindjen time. Atë ditë erdhi të më takonte mësuesi im, Haxhi Taipi, i cili më kishte dhënë mësim në klasat e ulëta dhe kishte qenë kujdestar i klasës sime në klasën e pestë të shkollës fillore në Katërkollë. Ai ka lindur në vitin 1932, ku edhe sot, në moshë të thyer, gëzon shëndet dhe vazhdon të jetë plot jetë.
Me mësuesin kam ruajtur gjithmonë marrëdhënie të mira dhe një respekt të veçantë. Duke e njohur pasionin tim për muzikën dhe këngën, ai kishte menduar të më besonte një krijim të tij. Pikërisht për këtë arsye, gjatë asaj vizite, nxori nga xhepi një zarf dhe ma dorëzoi.
Brenda tij ndodhej një dorëshkrim, një baladë kushtuar ish-mësuesit dhe drejtorit të tij, Junuz Divanit. Mësues Haxhiu më tregoi se e kishte shkruar atë me shumë ndjenjë, por edhe me njëfarë dhimbjeje, sepse, sipas tij, figura e Junuzit dhe kontributi i tij për arsimin në Anën e Malit nuk po merrnin vlerësimin që meritonin. Ai mendonte se një njeri i tillë nuk duhej të mbetej në harresë dhe se emri i tij duhej të përcillej te brezat e ardhshëm.
Pastaj më kërkoi që, duke u mbështetur në vargjet e kësaj balade, të përpiqesha të krijoja një këngë. E pranova me kënaqësi këtë kërkesë dhe i premtova se do t’i studioja vargjet, me qëllim që prej tyre të krijoja një këngë kushtuar kësaj figure të shquar të arsimit tonë me ndihmën e muzikantëve të tjerë.
Dorëshkrimi mbeti për një kohë në sirtarin tim, por amaneti i tij nuk më doli nga mendja. Gjithmonë e kam ndier si detyrë, por edhe si një dëshirë timen, që këtë dëshmi ta ndaj me publikun. Për mua, rëndësia e këtij dorëshkrimi nuk qëndron vetëm te bukuria e vargjeve. Ai ka edhe vlerë të veçantë historike, sepse Haxhi Taipi, i lindur më 1932, ishte njëri ndër nxënësit e parë të shkollës në Katërkollë, ku kishte qenë nxënës i drejtpërdrejtë i Junuz Divanit, në vitet e para pas Luftës së Dytë Botërore. Por ai me krenari flet edhe për kujtimet e tij si nxënës i mësuesit Prenk Jakova, i cili kishte shërbyer në këtë shkollë.
Këto dëshmi kanë rëndësi të veçantë, sepse vijnë nga një njeri që i ka përjetuar vetë ato kohë dhe na ndihmojnë të kuptojmë më mirë se me çfarë përkushtimi e sakrifice u hodhën themelet e arsimit shqip në Anën e Malit.
Nëpërmjet vargjeve të tij, të shkruara në dialektin e trevës, autori na kthen në një periudhë të vështirë të jetës sonë. Ai kujton udhëtimet e gjata në këmbë, ndriçimin me kandil, bukën e misrit që ndahej me hise dhe ujin e puseve. Këto janë pamje të një kohe kur jeta ishte e rëndë dhe mundësitë për arsimim ishin të pakta.
Në atë realitet të vështirë, Junuz Divani paraqitet si një njeri që nuk u pajtua me prapambetjen. Me vetëm nëntë nxënës nisi rrugën e shkollës, e luftoi analfabetizmin dhe u përpoq të sillte ndryshime në jetën kulturore e shoqërore të trevës së Anës së Malit.
Në vargjet e Haxhi Taipit përmenden edhe kontributet e Junuzit për sjelljen e energjisë elektrike, hapjen e sallës së parë të kinemasë dhe organizimin e orkestrinës popullore, e cila ndihmoi në ruajtjen dhe ngritjen e folklorit vendas.
Por një nga pjesët më domethënëse të kësaj dëshmie është qëndrimi i guximshëm i Junuz Divanit për mbrojtjen e gjuhës shqipe. Sipas asaj që përcjell autori në baladën e tij, kur përfaqësues të sistemit komunist kërkuan të pengonin mësimin në gjuhën shqipe dhe të impononin gjuhën serbe, Junuzi nuk u lëkund dhe nuk u tërhoq. Ai qëndroi në mbrojtje të gjuhës sonë, duke rrezikuar edhe vetë pozitën dhe sigurinë e tij. Ky qëndrim e bën figurën e tij edhe më të rëndësishme në kujtesën tonë arsimore dhe kombëtare.
Në fund të krijimit, Haxhi Taipi thekson se ato që ka shkruar nuk janë përralla, por të vërteta të mbështetura në ngjarje që i ka parë dhe përjetuar vetë.
Pa ndryshuar fjalët e autorit, po përcjell dorëshkrimin e tij, ashtu siç është shkruar. Ndërsa dëshirën e mësuesit që emri i Junuz Divanit të jetojë edhe përmes një kënge të bukur tradicionale, shpresoj ta realizoj në një të ardhme të afërt.
Balladë për Junuz Divanin
O Junuz, more burrë,
Emni i jot s’harrohet kurrë.
Ty të lindi nana prej Tivarit,
Për me i kontribue Anës Malit.
E lumja ajo nanë që të ka rritë,
Junuz Divanin me traditë.
Anën e Malit në dritë e ka qitë,
Anës Malit emnin në qiellë ja ka ngritë.
Ajo është e tija meritë,
Si nata me ditë,
Si diellë e hana,
Junuz nuk banë ma nana.
Në shkollën shtatëvjeçare themelore,
Punën vetëm me 9 nxansa fillove.
Në kushte të vështira punove,
Nxansat i mësove dhe i edukove,
Me ata inteligjencën krijove.
Ma tutje punën e vazhdove,
Kurset analfabetike formove,
I organizove dhe i kontrollove,
Shkrim-lexim dhe abecedën jau mësove,
Betejën me sukses e përfundove.
Në qarkun e Tivarit kur shkove,
Termocentralin elektrik fitove,
Rrymën elektrike e instalove,
Katërkollën me rrymë e ndriçove,
Në kino sallë filma tregove,
Mënyrën e jetesës e ndryshove.
Punën ma tutje e vazhdove,
Shoqninë kulturo-artistike formove,
Instrumentistat popullorë i bashkove,
Orkestrinën popullore formove,
Në festival more pjesë dhe triumfove,
Dhurata dhe medalje fitove,
Folklorin në kupë të qiellit e çove.
Edhe kurset shëndetësore formove,
Ndihmën e parë dhe higjienën jau mësove,
Mikrobet dhe sëmundjet ngjitëse luftove,
Shëndetësinë dukshëm e përmirësove.
Në shkollë një emisar erdhi dhe propozoi,
Me e kthy mësimin vetëm serbisht tentoi,
Drejtori këtë propozim e kundërshtoi,
Guximin dhe patriotizmin tregoi,
Mësimin vetëm në shqip e vazhdoi,
Anën e Malit prej rrezikut e shpëtoi.
Shumë e vështirë ka qenë ajo jetë,
Të gjithë kemi qenë analfabetë,
Kemi udhtuar kamb pa tamabil,
Kemi ngranë bukë misrit, shllin me hirrë,
Ujë pusash kemi pirë,
Shtëpijat i ndriçonim me kandill,
Të mbuluam me struga jemi gëdhir.
E vështirë ka qenë ajo jetë,
Kurrë ma ajo mos u kthefët.
Mësuesi i popullit po ju tregon,
Qofshi të lumtur ju gjithmonë.
Junuz Divanin kurrë mos ta harrojmë,
Bustin gjithmonë t’ia vizitojmë,
Karanfila dhe lule të freskëta t’i çojmë,
Ta përshëndesim dhe ta falënderojmë,
Se këto gjana ai i meriton.
Mësuesi i jonë pushoftë në paqe,
Shpirti i tij të shkojë në parajsë.
Me nxanësit e tij dhe gruan e vet,
Emri i tij le të rrojë për jetë.
Le të rrojë sa të jetë jeta,
Çka ka ba ai janë të gjitha të vërteta,
Nuk janë batuta as barcaleta,
Këto që shkrujta janë të gjitha të vërteta.
(Teksti origjinal, i shkruar nga mësuesi Haxhi Taipi)
