Poetja nga TuziNevila Neziraj – Nikaj fitoi Çmimin e Parë

Pjesëmarrjen në veprimtari të tilla poetja nga Tuzi e konsideron me rëndësi për afirmimin e krijuesve shqiptarë në Mal të Zi. Sipas saj, festivale të tilla krijojnë mundësi për shkëmbim kulturor dhe për ta bërë të dëgjueshme edhe poezinë në gjuhën shqipe

Poetja nga Malësia, me origjinë nga Shqipëria, Nevila Neziraj – Nikaj, ka fituar Çmimin e Parë në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë “Zagrli me stihom 5” (Më përqafo me vargje), të mbajtur më 23 tetor në Cetinë. Në këtë aktivitet, ku janë përfshirë poezi të autorëve nga rajoni dhe më gjerë, Neziraj – Nikaj u vlerësua si autorja më e mirë me poezinë e saj të titulluar “Vlera e gruas”.
Në prononcimin për gazetën “Koha javore”, Neziraj – Nikaj tregon se ky vlerësim ishte i papritur, pasi në festival morën pjesë krijues me përvojë dhe vepra të botuara dhe se fillimisht kishte shkuar si adhuruese e poezisë, pa pritur të merrte një çmim.
“Unë kisha nderin të vlerësohem me çmimin e parë, si autorja më e mirë. U ndanë gjithsej gjashtë çmime dhe, sinqerisht, nuk e kisha pritur aspak që njëri prej tyre të ishte për mua. Përballë meje kishte autorë të shumtë, me përvojë të gjatë krijuese, me libra të botuar, vepra të vlerësuara dhe poezi që të mbeteshin në mendje. Prandaj, për mua, vetë pjesëmarrja në “International Poetry Contest For Montenegro” me mbi një mijë poezi të autorëve nga rajoni dhe më gjerë, që më pas botohen në antologjinë “Zagrli me stihom” ishte vërtet një vlerë më vete”, tha Neziraj – Nikaj.
Për të, ky çmim është një kujtim i paharrueshëm dhe një vlerësim që do ta mbajë me shumë mirënjohje.
Neziraj e konsideron këtë çmim edhe si një nxitje për të vazhduar krijimtarinë, ndërsa thekson se poezitë e saj janë botuar për herë të tretë në antologjinë “Zagrli me stihom“, ndërsa në këtë festival ajo mori pjesë për herë të dytë.
“Ky vlerësim përfaqëson shumë më tepër se një çmim. Për mua është një inkurajim i madh për të vazhduar rrugëtimin tim krijues me më shumë besim, përkushtim dhe dashuri për fjalën e shkruar. Përveç kësaj, është hera e tretë që poezitë e mia botohen në antologjinë ‘Zagrli me stihom’”, shprehet ajo.
E pyetur se çfarë e frymëzon për të krijuar, Neziraj – Nikaj thotë se çdo autor shkruan fillimisht nga një nevojë e brendshme, nga një ndjenjë që kërkon të shprehet, nga një mendim që nuk gjen qetësi derisa të bëhet varg.
“Kur krijimtaria jote vlerësohet edhe nga të tjerët, ndien se ajo që ke shkruar ka arritur të prekë dikë përtej botës sate të brendshme. Ky çmim më gëzon veçanërisht sepse erdhi në një festival ndërkombëtar, ku rreth një mijë poezi janë botuar në antologjinë ‘Zagrli me stihom’, vëllimi 5, e ku dyzet autorët më të mirë interpretuan poezitë e tyre, unë u vlerësova me çmimin e parë”, theksoi ajo.
Frymëzimin e saj, Neziraj – Nikaj e gjen te ndjenjat njerëzore, kujtimet, mungesa, dhimbja dhe shpresa. Ajo e sheh poezinë jo vetëm si mënyrë për të shprehur përjetimet personale, por edhe si një formë komunikimi për çështjet shoqërore.
“Frymëzimi im lind nga gjithçka që përbën boshtin njerëzor, nga ndjenjat, dashuria, malli, mungesa, kujtimet, dhimbja, shpresa dhe forca që njeriu gjen brenda vetes edhe në momentet më të vështira. Poezia shpesh vjen dhe si pasojë e asaj që nuk mund ta shprehim me zë të lartë para botës por zgjedhim formën e të shkruarit. Këtë po e lidh me temat sociale shoqërore të shekullit tonë, ku poezia behet edhe thirrje dhe lutje”, thotë Neziraj – Nikaj.
Në poezitë e saj ajo thotë se përpiqet që të jetë e sinqertë me veten dhe me lexuesin.
“Vazhdoj ta them gjithmonë”, shton ajo, “se poezia është ushqimi më i mirë për shpirtin tim, dhe nëse një autor e din mirë se cili ushqim ia qetëson shpirtin, atëherë pse të mos të ushqehet me vargje”.
Pjesëmarrjen në veprimtari të tilla ajo e konsideron me rëndësi për afirmimin e krijuesve shqiptarë në Mal të Zi. Sipas saj, festivale të tilla krijojnë mundësi për shkëmbim kulturor dhe për ta bërë të dëgjueshme edhe poezinë në gjuhën shqipe.
“E konsideroj një mundësi shumë të rëndësishme dhe një hap të çmuar për afirmimin e krijuesve shqiptarë në Mal të Zi. Madje me vjen keq që nuk kam qenë aktive dhe me parë, që nga fillimet e mia si krijuese, por ja që nuk është vonë asnjëherë, sepse veprimtari të tilla krijojnë mundësi të mira komunikimi mes autorëve, kulturave dhe gjuhëve të ndryshme. Për ne si autorë që krijojmë në gjuhën shqipe është veçanërisht e rëndësishme të kemi hapësira ku fjala jonë mund të dëgjohet, të lexohet dhe të vlerësohet përtej rrethit tonë të zakonshëm kulturor. Dhe të them të vërtetën, këtë e ndieva nëCetinë”, shprehet Neziraj – Nikaj.
Ajo shton se pavarësisht se poezia e saj ishte e vetmja që u interpretua në gjuhën shqipe, duartrokitjet ishin të shumta, urimet po ashtu, ndërsa ky takim me autorë nga vendet e ndryshme ia përforcoi bindjen se poezia mund të bëhet një gjuhë e përbashkët edhe kur autorët nuk flasin të njëjtën gjuhë.
Krahas poezisë, Neziraj po punon edhe për një roman me karakter komik. Ajo thotë se angazhimet e shumta, veçanërisht në gazetari, ia kanë kufizuar kohën që mund t’i kushtojë këtij projekti, por synon ta përfundojë sa më shpejt.
“Aktualisht, jam duke punuar për një roman me karakter komik, një projekt që e kam për zemër pasi shkrimet e mia janë të zhanrit dramë, tragjedi. Kësaj here kam dëshirë t’u sjell të qeshura lexuesve dhe shpresoj ta përfundoj sa më parë, por për shkak të angazhimeve të mia të shumta, veçanërisht në fushën e gazetarisë, më është dashur t’i kushtoj pak më pak kohë nga sa do të dëshiroja, por kjo nuk do të thotë se e kam lënë pas dore si dëshirë apo si synim”, thotë ajo, duke shtuar se poezia për të vazhdon të jetë pjesë e pandashme në jetën e saj.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat