Flora Brovina nderohet pas vdekjes me Çmimin “Teuta”

Në edicionin e 12-të të Manifestimit Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve”, krijues nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria nderuan veprën e poetes dhe humanistes shqiptare. Çmimin për Vepër Jetësore e pranoi i biri, Ylli Begaj, ndërsa u promovua edhe përmbledhja e saj poetike në gjuhën malazeze “Pas frymës FJALA…”.

Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” ia ndau pas vdekjes Çmimin për Vepër Jetësore “Teuta” poetes, humanistes dhe veprimtares së njohur shqiptare, dr. Flora Brovina, duke nderuar kontributin e saj të çmuar në letërsi, kulturë dhe rezistencën kombëtare shqiptare.
Vendimi për shpalljen e Flora Brovinës laureate e 12-të e këtij çmimi ishte marrë në fillim të vitit, ndërsa ceremonia e dorëzimit u zhvillua në Mirditë, në kuadër të edicionit të 12-të të Manifestimit Letrar Trekufitar “Muzat e Alpeve”. Çmimin, në praninë e familjarëve dhe të krijuesve nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria, e pranoi i biri i saj, Ylli Begaj.
Në hapje të manifestimit, kryetarja e Shoqatës “Teuta”, shkrimtarja dhe gazetarja Ajetë Sh. Beqiraj, theksoi rëndësinë e angazhimit kulturor në zhvillimet shoqërore dhe kombëtare.
“Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve ‘TEUTA’ mbështet çdo zë që ngrihet për barazi, liri dhe një jetë të dinjitetshme, kundër diskriminimit, shtypjes dhe çdo force që cenon të ardhmen e kombit, integritetin e vendit dhe dinjitetin e qytetarit. Sepse qëndresa nuk është vetëm kujtim i së kaluarës, por përgjegjësi për të ardhmen tonë!”, u shpreh Beqiraj.
Kryetari i Bashkisë së Mirditës, Albert Melyshi, vlerësoi bashkëpunimin kulturor dhe rëndësinë e manifestimeve të tilla për jetën artistike të trevës.
“Ju falënderoj që keni zgjedhur Mirditën për t’u takuar, për të kujtuar, diskutuar dhe ndarë momente të veçanta mes krijuesve. Aktivitete të tilla e pasurojnë jetën kulturore e artistike dhe i japin gjallëri jetës letrare, të cilën Mirdita e ka të domosdoshme dhe e meriton”, deklaroi Melyshi.
Studiuesi Ndue Dedaj solli në vëmendje traditën e pasur rapsodike të Mirditës, veçanërisht atë të poeteshave të vajit, ndërsa historiani Julian Vlashi foli për trashëgiminë historike të trevës, nga fisi ilir i Pirustëve deri te Principata e Arbrit.

Promovohen botimet e “Teutës” dhe poezia e Flora Brovinës
Një tjetër moment i rëndësishëm ishte promovimi i antologjisë së dytë të “Teutës”, e cila përmbledh krijime nga pesë laureatët e fundit të Çmimit për Vepër Jetësore: Nazmi Rrahmani, Zuvdija Hoxhiq – Berisha, Xhevahir Spahiu, Rexhep Qosja dhe Zija Çela.
Në parathënien e saj, shkrimtari Rudolf Marku i cilëson antologjitë e “Teutës” si dëshmi të një udhëtimi të përbashkët kulturor, ku letërsia i kapërcen kufijtë gjeografikë dhe shpirtërorë.
Në këtë kuadër u promovua edhe përmbledhja poetike e Flora Brovinës “Pas frymës FJALA…” (“Poslije daha RIJEČ…”), e përkthyer në gjuhën malazeze nga Qazim Muja.
Redaktorja në gjuhën malazeze, Dr. Svetllana Kaleziq – Radonjiq, e vlerësoi krijimtarinë e Brovinës si poezi të vuajtjes dhe rezistencës, ku ndërthuren motivet e dashurisë, natyrës, lirisë dhe dinjitetit njerëzor.
Arsyetimin për ndarjen e Çmimit “Teuta” e paraqiti shkrimtari, aktori dhe regjisori Xhevat Limani, i cili vlerësoi se Brovina i përket grupit të rrallë të krijuesve që e kanë shndërruar poezinë në zë të lirisë dhe qëndresës.
“Poezia e Flora Brovinës ngërthen një vistër të gjerë motivesh shqetësuese për fatin e popullit shqiptar në Kosovë dhe më gjerë. Thirrjet e saj poetike për paqe dhe dashuri njerëzore janë kryeboshti tematik i një strukturimi të ndjeshëm poetik”, thuhet në arsyetimin e Limanit.
Duke pranuar çmimin në emër të familjes, Ylli Begaj falënderoi organizatorët dhe pjesëmarrësit për nderimin e veprës dhe kujtimit të nënës së tij.
“Ju falënderoj të gjithëve që u mblodhët për të nderuar kujtimin dhe veprën e nënës sonë. Ajo e kishte shumë për zemër këtë manifestim dhe merrte pjesë me shumë dëshirë. Sot, edhe pse nuk është fizikisht mes nesh, jemi thellësisht të lumtur që kujtimi, fjala dhe vepra e saj vazhdojnë të jetojnë”, tha ai.

“TEUTA për Florën”, homazhe poetike në Deçan
Pas aktiviteteve në Mirditë, karvani letrar vazhdoi në Deçan, ku në sallën e bibliotekës së Qendrës Rinore u organizua mbrëmja poetike “TEUTA për Florën”.
Kryetari i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, vlerësoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi kulturor, duke theksuar se synimi i nismave të tilla është “integrimi, bashkëpunimi, shkëmbimi i përvojave dhe ndërtimi i paqes për brezat që vijnë pas nesh”.
Ndërkaq, nënkryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Xheladin Mjeku, e kujtoi Brovinën si figurë emblematike të letërsisë dhe humanizmit shqiptar.
“Flora mbetet një figurë emblematike në fushën e letërsisë, si humaniste dhe një luftëtare e pathyeshme deri në frymën e fundit. Vepra që ajo la pas në të gjitha fushat është një shembull të cilit vështirë ia gjen krahasimin”, u shpreh Mjeku.
Kujtime për jetën dhe veprimtarinë e Brovinës ndanë edhe shkrimtari Ali Daci dhe poetja Farida Zmijani – Ramadani, e cila vuri në pah kontrastin ndërmjet brishtësisë së saj në poezi dhe forcës në jetë.
“Flora Brovina ishte një figurë e veçantë e poezisë, humanizmit dhe qëndresës kombëtare. Kujtimet me të nisin nga krijimtaria poetike dhe veprimtaria e saj humanitare para dhe gjatë luftës në Kosovë, vazhdojnë përmes dhimbjes së burgimit dhe emocionit të çlirimit, për të mbetur gjallë në miqësinë dhe bashkëpunimin tonë ndër vite”, u shpreh Daci.
“Si ka mundësi që një grua kaq e qetë të jetë kaq e guximshme në jetë? Gra të tilla meritojnë respektin e të gjithëve!”, tha poetja Farida Zmijani – Ramadani.
Poeti malazez Boris Jovanoviq Kastel theksoi lidhjet historike dhe kulturore ndërmjet shqiptarëve dhe malazezëve, duke vlerësuar rolin e poezisë si urë bashkimi ndërmjet popujve.
E themeluar në shkurt të vitit 2013, Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “Teuta” ka organizuar veprimtari në 25 qytete të Kosovës, Malit të Zi dhe Shqipërisë, duke promovuar shkëmbimin kulturor dhe bashkëpunimin letrar.
Me këtë nderim, Flora Brovina bëhet laureatja e dymbëdhjetë e Çmimit “Teuta”. Ndonëse fizikisht mungon, fjala, poezia, humanizmi dhe qëndresa e saj vazhdojnë të jetojnë përtej kohës dhe kufijve.

Dafina Teliqi – Rexha

Të fundit

më të lexuarat