
Bashkëpunimi i partive shqiptare dhe atyre serbe në Malin e Zi dikur ka qenë i paimagjinuar. Ky lloj raporti është diktuar nga zhvillimet e përgjithshme politiko-shoqërore në ish-Jugosllavi. Partitë politike serbe në Malin e Zi, disa prej të cilave ishin degë e atyre në Serbi, mbështetnin hapur politikën hegjemoniste dhe nacionalshoviniste serbe gjatë viteve ‘90 të shekullit të kaluar. Por faktori vendimtar në këto marrëdhënie ishte sjellja e Serbisë ndaj Kosovës, suprimimi i autonomisë së saj, shtypja dhe represioni ndaj popullit shqiptar në Kosovë etj.
Në atë kohë nuk ishin vetëm partitë proserbe në Malin e Zi të papranueshme për bashkëpunim për partitë shqiptare, por edhe vetë Partia Demokratike e Socialistëve në pushtet, si pasardhëse e Lidhjes Komuniste të Malit të Zi. Në fillim të viteve ‘90 kjo parti ishte thjesht pasuese dhe zbatuese e verbër e politikës vëllavrasëse serbe, të personifikuar nga udhëheqësi i Serbisë, Sllobodan Millosheviq, deri në vitin 1997 kur ajo u përça dhe u nda në dy pjesë: ithtarët e ish-kryeministrit Millo Gjukanoviq, të cilët kishin një shumicë jobindëse në parti, do të ndryshonin kursin e PDS-së, duke filluar të distancoheshin nga politika e Millosheviqit dhe orientuar më tepër nga interesat e vetë Malit të Zi; në anën tjetër, ithtarët e ish-presidentit Momir Bullatoviq, të cilët tashmë kishin mbetur pakicë brenda PDS-së, do të krijonin partinë e re – Partinë Popullore Socialiste, duke i qëndruar besnik politikës së Millosheviqit. Kjo ndarje pati ndikim edhe në politikën shqiptare në Malin e Zi. Derisa Lidhja Demokratike në Mal të Zi vazhdoi të ishte konsistente në qëndrimet e saj, duke refuzuar çdo lloj bashkëpunimi me PDS-në në pushtet, partia tjetër shqiptare Unioni Demokratik i Shqiptarëve pranoi të bashkëpunojë, duke u bërë pjesë e Qeverisë së Malit të Zi, me arsyetimin se nëpërmjet pjesëmarrjes në Qeverinë e Malit të Zi do t’i realizonte më mirë të drejtat e shqiptarëve. Kjo mund të cilësohet edhe si thyerja e parë në raportet (bashkëpunimin) midis partive shqiptare dhe pushtetit në Malin e Zi.
Ndryshimi i politikës së jashtme të Malit të Zi, përpjekjet për t’u distancuar nga Serbia, lufta e Kosovës dhe ndihma e Malit të Zi për të ikurit nga Kosova, si dhe situata e përgjithshme në rajon, ndikoi në përafrimin e politikës shqiptare me PDS-në në pushtet që u kurorëzua me shpalljen e pavarësisë së Malit të Zi në vitin 2006, ku mbështetja plebishitare e shqiptarëve kishte rol vendimtar. Por ky kontribut i shqiptarëve për pavarësinë e Malit të Zi nuk u shpërblye kurrë, ndërsa vetë partitë shqiptare nuk ditën ta shfrytëzonin dhe kapitalizonin atë. Përkundrejt kësaj, mosbesimi dhe politika e frikësimit të shqiptarëve do të vijonte. Rasti më dramatik është aksioni policor “Fluturimi i shqiponjës”, i inskenuar nga shërbimet sekrete të Malit të Zi, ku një grup i shqiptarëve nga Malësia u dënuan me dhjetëra vite burg për një vepër penale që s’e kishin kryer.
Pavarësisht kësaj, partitë shqiptare do të vijonin të ishin pjesë e pushtetit, më tepër si dekor dhe patericë sesa me ndonjë përfaqësim real, deri në rrëzimin nga pushteti të PDS-së në vitin 2020.
Pas formimit të shumicës së re parlamentare dhe qeverisëse në vitin 2020, partitë shqiptare nuk ishin pjesë e pushtetit të formuar nga partitë opozitare të deriatëhershme, por shumë shpejt do të kthehen në pushtet në Qeverinë e pakicës së kryeministrit të parë parë shqiptar në Malin e Zi, Dritan Abazoviq.
Ajo që dikur konsiderohej e paimagjinueshme ndodhi në vitin 2023, kur shqiptarët u bënë pjesë e Qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Millojko Spajiq. Megjithëse dy partitë më të mëdha serbe në Malin e Zi (Demokracia e Re Serbe dhe Partia Popullore Demokratike që ishin pjesë e koalicionit “Për ardhmërinë e Malit të Zi”), të njohura për politikën e tyre të hapur proserbe dhe lidhjet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ishin zyrtarisht pjesë e saj, ato e mbështetën atë si pjesë e marrëveshjes politike duke zgjedhur kryetar të Kuvendit Andrija Mandiqin, kryetar i Demokracisë së Re Serbe. Pikërisht këtu ndodhi ajo që mund ta quajmë thyerje në bashkëpunimin e partive shqiptare me partitë serbe, në rastin konkret me Andrija Mandiqin si kryetar i partisë më të madhe serbe në Malin e Zi. Kujtojmë se deputeti i koalicionit Aleanca Shqiptare, Genci Nimanbegu, nuk pranoi të votojë për zgjedhjen e Mandiqit kryetar të Kuvendit, por pas dorëheqjes së tij këtë e bëri Fatmir Gjeka, i cili ishte deputet për një kohë të shkurtër, para se të bëhej ministër i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave.
Partitë shqiptare e justifikuan qëndrimin e tyre me pretekstin se ato kanë marrëveshje politike me kryeministrin Millojko Spajiq, jo me partitë serbe, ndonëse faktikisht ato përbënin boshtin dhe ofronin mbështetjen kryesore të kësaj qeverie, gjë që do të konfirmohej më vonë me hyrjen e tyre edhe de jure në Qeverinë e Malit të Zi. Me këtë fillon një fazë e re në politikën shqiptare në Malin e Zi. Disa mundohen ta arsyetojnë këtë me atë se kanë ndryshuar koha dhe rrethanat politike, të tjerët mendojnë se shqiptarët mund të përfitojnë nga serbët dhe kërkesat e tyre etj.
Që prej kësaj kohe, bashkëpunimi i partive shqiptare, kryesisht i Forumit Shqiptar, me partitë serbe dhe kryetarin e Kuvendit Andrija Mandiq është zhvilluar në mënyra dhe forma të ndryshme. Për opinionin shqiptar në Malin e Zi ky raport dhe ngjarjet që e kanë shoqëruar atë, lë shteg për enigma dhe pikëpyetje.
Së pari, si arriti Andrija Mandiqi si kandidat për president të fitonte 827 vota në komunën e Tuzit në zgjedhjet presidenciale në Malin e Zi, të zhvilluara në vitin 2023, ndonëse zyrtarisht nuk ishte përkrahur nga asnjë parti shqiptare?! Disa opinionistë dhe analistë kanë shprehur hapur dyshimin se kemi të bëjmë me një marrëveshje të fshehtë ndërmjet Mandiqit dhe partive shqiptare, konkretisht Forumit Shqiptar. Dyshimi i tyre bazohet edhe në numrin e votave që ky koalicion shqiptar fitoi jashtë trevave shqiptare, në komunat ku nuk jetojnë shqiptarë, në zgjedhjet parlamentare në qershor të vitit 2023.
Po aq enigmatik për opinionin shqiptar mbeti takimi i udhëheqësit të Forumit Shqiptar, Nik Gjeloshaj, dhe deputetit të këtij koalicioni dhe nënkryetarit të Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, me dy kryetarët e partive serbe – Andrija Mandiq dhe Millan Knezheviq. Për këtë takim opinioni u njoftua nga deklarata për shtyp e Demokracisë së Re Serbe.
Së fundi, nënkryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Nikollë Camaj, para marrjes së vendimit nga kryesia e Forumit Shqptar deklaroi se nuk do të votojë për shkarkimin e Andrija Mandiqit, me pretendimin se iniciativa e tillë vjen nga PDS, parti e cila gjatë viteve të nëntëdhjeta ka mbështetur dhe ndihmuar krimet e kryera gjatë luftës në ish-Jugosllavi. Megjithëse Forumi Shqiptar kishte marrë vendim për të votuar për shkarkimin e Mandiqit nga posti i kryetarit të Kuvendit, në ditën e votimit ai nuk u paraqit në sallën e Kuvendit të Malit të Zi, ku për shkak të mungesës së kuorumit dështoi mbajtja e seancës.
Si përfundim, megjithëse partitë shqiptare dhe përfaqësuesit e tyre në pushtet që janë pjesë e koalicionit qeverisës me partitë serbe përpiqen të arsyetojnë se një politikë e këtillë shkon në favor të shqiptarëve, zor të bindin se me politikën e tyre nuk janë bërë pjesë e lojës së Mandiqit. E vërteta është se ato kanë hyrë në një lojë politike ku mund të (për)fitosh ose të humbasësh, ashtu si në një bastore. Megjithatë koha do ta tregojë nëse ky lloj raporti (bashkëpunimi) ishte në favor apo në dëm të shqiptarëve në Malin e Zi.
Dhe në fund, edhe një pikëpyetje tjetër: Sa të sinqertë ishin partitë (politikanët) shqiptare në shkarkimin e Mandiqit apo ishin të detyruar të mbështetnin iniciativën nën trysninë e opinionit publik?!
