Kur arti takohet me skenën

Ne mund të qëndrojmë përballë një telajoje me orë të tëra dhe të kërkojmë një shenjë, një ngjyrë apo një material që e çon veprën aty ku duhet të shkojë. Aktori bën diçka të ngjashme me trupin, zërin dhe praninë e tij. Kjo më bëri të mendoj se, edhe pse gjuhët tona artistike janë të ndryshme, procesi i krijimit na afron shumë

Kaltrina Hoti

Të jesh pjesë e edicionit të parë të Festivalit të Instalacionit dhe Performancës Alternative, kushtuar mjeshtrit të skenës Enver Petrovci, ishte për mua një nder i veçantë, por edhe një përvojë shumë e rëndësishme në rrugëtimin tim si artiste.
Ky festival i organizuar nga Instituti “Teatri Sokol Plakolli” në Prishtinë, më 22-25 shtator 2026, iu kushtua figurës së Enver Petrovcit dhe ndau çmimin “Mjeshtri i Skenës Enver Petrovci”, duke bashkuar artistë të instalacionit, performancës dhe teatrit.
Për mua kishte një kuptim të veçantë të isha pjesë e një ngjarjeje që nderonte një artist i cili e dinte pse ishte artist; një artist që mbrojti idetë e tij dhe ia kushtoi një pjesë të rëndësishme të jetës së tij skenës, teatrit dhe brezave që erdhën pas tij.
Unë vij nga Mali i Zi dhe punoj në një fushë tjetër të artit. Por gjatë këtyre ditëve kuptova edhe një herë se sa shumë gjëra na bashkojnë. Ne, artistët pamorë, kemi telajon, ngjyrën, materialin, hapësirën dhe heshtjen; ata kanë skenën, trupin, lëvizjen, fjalën dhe veprimin. Por në thelb, pyetjet janë shpesh të njëjta: Çfarë duam të themi? Pse kemi nevojë ta themi? Çfarë ndiejmë përpara se ta shprehim? Dhe çfarë ndodh me atë që krijojmë pasi e lëmë të dalë përballë publikut?
Gjatë festivalit pata mundësinë të takohem me aktorë dhe artistë të rinj e me përvoja të ndryshme. Për mua, këto takime ishin një mundësi për të dëgjuar, vëzhguar dhe mësuar. Më interesoj veçanërisht të shoh se si një aktor hyn në skenë dhe, përmes lëvizjes, zërit, fjalës dhe trupit, ndërton një botë të tërë. Ne mund të qëndrojmë përballë një telajoje me orë të tëra dhe të kërkojmë një shenjë, një ngjyrë apo një material që e çon veprën aty ku duhet të shkojë. Aktori bën diçka të ngjashme me trupin, zërin dhe praninë e tij. Kjo më bëri të mendoj se, edhe pse gjuhët tona artistike janë të ndryshme, procesi i krijimit na afron shumë.
Në këtë festival pata gjithashtu nderin të vlerësohem me Çmimin për Instalacionin më të Mirë, për veprën “Arnimi i së kaluarës”. E mora këtë çmim me mirënjohje të madhe, jo vetëm si vlerësim për një vepër, por si pjesë e një takimi artistik që më dha mundësinë të shoh artin nga një kënd tjetër.
Festivali solli edhe vlerësime të tjera: Çmimin stimulues për debutuesin më të suksesshëm dhënë Zurijet Sulejmanit; Çmimin për regjinë më të mirë – Sulejman Rushitit, për shfaqjen “Toksinat”; Çmimin për performancën alternative më të mirë – Teuta Lagjës, për “Skena vazhdon”; Çmimin për aktorin më të mirë – Xhevat Limanit, për shfaqjen “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”; si dhe Çmimin e nderit për bashkëpunëtorin më të mirë në skenë – Vanesa Petrovcit (jashtë konkurrencës).
Përtej çmimeve, për mua vlera më e madhe e këtij festivali ishte takimi – takimi me njerëz që e kanë zgjedhur skenën si mënyrë për të shprehur atë që mbajnë brenda vetes, takimi me artistë të tjerë dhe mundësia për të parë se si një ide mund të marrë jetë nëpërmjet trupit, fjalës, lëvizjes dhe pranisë.
Kjo përvojë më bëri të mendoj edhe për vetë arsyen pse krijojmë. Ndoshta arti nuk ka nevojë gjithmonë të shpjegohet. Ndonjëherë ai ka nevojë vetëm të jetë i vërtetë.
Dhe pikërisht kjo është ajo që mora më vete nga Prishtina: një ndjenjë mirënjohjeje për të qenë pjesë e një ngjarjeje që nderoi një artist të skenës, por edhe një bindje të re se, pavarësisht nëse kemi një telajo përpara apo një skenë, ne artistët jemi duke kërkuar diçka të ngjashme – një mënyrë për ta kthyer atë që ndiejmë në diçka që mund t’ia japim botës.
Për mua, si artiste që vij nga Mali i Zi, të isha pjesë e këtij festivali ishte një nder i madh. Por ishte edhe një mësim. Dhe disa takime nuk mbarojnë kur kthehesh në shtëpi; ato vazhdojnë të punojnë brenda teje.

Të fundit

më të lexuarat