Të dielën, në moshën 72-vjeçare vdiq mësimdhënësi i fizikës, Abaz Mustafa. Ai u lind në vitin 1954 në fshatin Sukubinë të Anës së Malit, ku kreu ciklin e ulët të shkollës fillore. Pas shkollës së plotë tetëvjeçare, vazhdoi studimet në Universitetin e Prishtinës – dega e Fizikës.
Pas kthimit në vendlindje, ka punuar arsimtar i fizikës në shkollën e mesme “Vëllazërim-Bashkim” dhe shkollën fillore “Marshall Tito” në Ulqin. Gjatë karrierës së tij të gjatë si mësimdhënës, ai edukoi shumë gjenerata të nxënësve duke përcjellë tek ata dashurinë për lëndën e fizikës dhe shkencat e natyrës në përgjithësi. Ai i takon plejadës së mësimdhënësve të përkushtuar që arsimin e kishin mision. Dashurinë e tij për arsimin e përcolli edhe te fëmijët e tij, dy prej të cilëve e kanë trashëguar mësimdhënien.
Edhe pas daljes në pension vazhdoi të jetë aktiv si mësimdhënës, ku së fundi ka qenë i angazhuar në shkollën fillore në Mërkot.
Ai e kishte pasion sportin. Ishte njëri ndër tifozët më të flaktë të Klubit të Futbollit “Otrant” nga Ulqini, i cili fitoren e javës së fundit ndaj ekipit të Jezeros ia dedikoi pikërisht atij.
Varrimi i të ndjerit u bë të hënën, më 21 shtator 2026, në vendlindjen e tij në Sukubinë.
(Kohapress)
