Në mëngjesin e ditës së martë, më 15 shtator 2026, anekënd trojeve shqiptare si vetëtimë u përhap lajmi i hidhur se në Prishtinë, në moshën 76-vjeçare u nda nga jeta Dr. Flora Brovina, pediatre, poete, gazetare, veprimtare e të drejtave të njeriut, humaniste dhe një nga figurat e njohura të jetës publike në Kosovë, duke lënë pas një trashëgimi të gjatë dhe të ngjeshur me përpjekje dhe angazhime humanitare dhe politike.
Për më shumë se pesë dekada, Flora Brovina bashkoi profesionin e saj me veprimtarinë shoqërore dhe politike. Ajo ishte mjeke pediatre, poete, veprimtare për të drejtat e njeriut, ish e burgosur politike, veterane e UÇK-së, deputete gjatë gjashtë legjislaturave dhe njëra prej nënshkrueseve të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, duke u bërë një nga personalitetet më të njohura të jetës publike, kulturore dhe politike në vend dhe më gjerë.
Ajo lindi më 30 shtator 1949 në Skenderaj – Drenicë të Kosovës, ndërsa u rrit në Prishtinë. Kishte një jetë të bujshme dhe të vrullshme me batica dhe zbatica të shumta. Që në fëmijëri Brovina ishte e lidhur fort me librin. Për shkak të një fëmijërie të vështirë dhe natyrës së saj të mbyllur, ajo gjeti te letërsia një mënyrë komunikimi. Dashuria për librin u kthye më vonë në poezi dhe shkrime letrare. Në shkollën fillore, mësuesja e saj, Lirie Tanefi nga Elbasani, ishte ndër personat që e frymëzuan për të shkruar. Ajo më pas udhëhoqi edhe grupin letrar në shkollë.
Një nga figurat më të rëndësishme në jetën e Brovinës ishte gjyshja e saj, të cilën ajo e konsideronte modelin e parë të saj për barazinë gjinore dhe qëndresën. Gjyshja e lindur në vitin 1900, kishte përjetuar burgosje, luftë dhe humbje. Ajo kishte qenë aktive në veprimtaritë e grave të Gjakovës gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore dhe ishte përfshirë në protesta kundër burgosjeve, në mobilizim dhe në aktivitete tjera të kohës. Brovina e kujtonte veçanërisht një këshillë të gjyshes: “Të ecësh kryelart, për mikun dhe armikun”.
Përvojat e gjyshes ndikuan edhe në mënyrën se si Flora Brovina e shihte luftën. Ajo nuk e shihte konfliktin vetëm përmes ndarjes “mik-armik”, por përmes dhimbjes njerëzore që lufta ua shkaktonte të gjithëve.
Flora Brovina i nisi studimet për mjekësi në Beograd, kurse i përfundoi në Prishtinë, duke u specializuar si pediatre dhe më pas si pediatre klinike në Zagreb, edhe pse më parë kishte menduar të studiojë stomatologjinë.
Në rininë e hershme të saj, Flora Brovina punoi edhe si gazetare e shëndetësisë dhe çështjeve sociale në gazetën e përditshme “Rilindja” të Prishtinës, me ç’rast unë (autor i këtij teksti) në redaksinë e kësaj gazete, si korrespondent i saj nga komunat e Dragashit dhe Plavës, pata rastin të njihem me të. Në këtë kontekst theksoj se Flora Brovina disa vite ishte edhe pjesëmarrëse aktive e manifestimit tradicional kulturor “Takimet letrare dhe kolonia figurative e Plavës”.
Karrierën profesionale, Flora Brovina e zhvilloi për vite si pediatre, ndër të tjera edhe në repartin e Pediatrisë së Spitalit të Përgjithshëm në Prishtinë.
Përvoja e saj personale, profesioni i mjekes, letërsia dhe gazetaria u ndërthurën në një jetë të karakterizuar nga angazhimi shoqëror.
Në vitin 1992, pediatrja Flora Brovina themeloi organizatën Lidhja e Gruas Shqiptare, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të grave si dhe për ofrimin e ndihmave humanitare e mjekësore. Gjatë viteve ‘90, Brovina u bë një nga aktivistet më të shquara shqiptare në Kosovë për mbrojtjen e të drejtave të grave kundër regjimit shtypës të Serbisë, duke kulmuar me angazhimin e saj si doktoreshë në strukturat mjekësore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë viteve të luftës, Flora Brovina qëndroi në Kosovë dhe e vijoi punën humanitare e mjekësore në Prishtinë. Në vend që të largohej, Brovina vazhdoi t’u ofronte kujdes grave, fëmijëve dhe familjeve të goditura nga lufta. Në të njëjtën periudhë ajo drejtoi edhe një strehimore të ngritur për gra dhe fëmijë.
Historia e Flora Brovinës është historia e një gruaje që u rrit në një familje të goditur nga burgosjet politike, por që e shndërroi atë përvojë në forcë. Ajo e ndërtoi jetën mes librave, mjekësisë dhe gazetarisë, ndërsa figura e gjyshes mbeti një pikë referimi për mënyrën se si e kuptonte lirinë, dinjitetin dhe barazinë e gruas.
Në kulmin e luftës në Kosovë, më 20 prill 1999, Flora Brovina u rrëmbye nga shtëpia ku po qëndronte nga policia serbe dhe u burgos. Lajmi për rrëmbimin e saj u bë publik më 24 prill 1999, kur djali i saj arriti të kontaktonte organizatën ndërkombëtare të shkrimtarëve PEN, duke kërkuar që rasti i saj të bëhet i njohur në mbarë botën. Në ditët e fundit të luftës, ajo u transferua bashkë me mbi 2000 shqiptarë të tjerë në Serbi, si pengje lufte të burgosura. Më 9 dhjetor 1999, ajo u dënua nga një gjykatë në Nish me 12 vite burgim, por Gjykata Supreme e Serbisë e ktheu rastin e saj në rigjykim. Pas presionit ndërkombëtar, si nga organizatat për të drejtat e njeriut, Amnesty International dhe Human Rights Watch, por edhe nga Parlamenti Evropian, Brovina u lirua nga burgu më 1 nëntor të vitit 2000, pas 19 muajsh të kaluar në burgje. Rasti i saj u bë një nga shembujt më të njohur të persekutimit të shqiptarëve të Kosovës gjatë dhe pas luftës, ndërsa figura e saj mbeti e lidhur me mjekësinë, poezinë, mbrojtjen e fëmijëve dhe angazhimin për të drejtat e njeriut.
Veprimtaria e Flora Brovinës tërhoqi vëmendjen e opinionit ndërkombëtar edhe në periudhën kur ajo ndodhej në burg.
PEN-i suedez e nderoi në vitin 1999 me Tucholsky Prize, një çmim që u kushtohej shkrimtarëve të përndjekur, të kërcënuar ose që jetonin në ekzil. Νë vitin pasues, PEN American Center i akordoi PEN/Barbara Gordsmith Freedom to Write Award, duke vlerësuar angazhimin e saj si mjeke, poete dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut. Në dhjetor të vitit 2000, Brovina mori në Gjermani një çmim për kurajë qytetare. Në vitin 2001 ajo u përzgjodh mes laureateve të para të Millenium Peace Prize for Women, të organizuar nga UNIFEM në bashkëpunim me International Alert.
Edhe në Kosovë puna e Flora Brovinës u vlerësua me dekorata. Presidentja Atifete Jahjaga i ndau Medaljen Humanitare “Nënë Tereza” në vitin 2012, ndërsa presidenti Hashim Thaçi e dekoroi në vitin 2018 me Medaljen Presidenciale Jubilare të dhjetëvjetorit të Pavarësisë.
Pas përfundimit të luftës, Brovina vazhdoi kontributin e saj përmes institucioneve të Kosovës.
Nga viti 2001 deri më 2019, Flora Brovina shërbeu pa ndërprerje si deputete e Kuvendit të Kosovës në gjashtë legjislatura. Një nga ngjarjet kryesore të karrierës së saj politike ndodhi më 17 shkurt 2008. Në cilësinë e deputetes, Flora Brovina u bë njëra prej nënshkrueseve të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës. Kësisoj, angazhimi i saj publik shtrihej nga rezistenca dhe burgosja në kohën e luftës deri te pjesëmarrja në artin mbi të cilin u themelua shteti i Kosovës.
Krahas kontributit në mjekësi dhe politikë, Flora Brovina zhvilloi një veprimtari të rëndësishme letrare. Në mesin e veprave të saj poetike renditen “Vërma emrin tim”, “Bimë e zezë”, “Luleborë” dhe “Mat e çmat”.
Gruaja, amësia, fëmija, atdheu, liria, lufta, burgu dhe dinjiteti njerëzor ishin ndër temat që zinin hapësirë të rëndësishme në poezinë e saj. Poezi të përzgjedhura të Brovinës u publikuan edhe në anglisht. Ajo mbajti edhe postin e kryetares së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.
Rrugëtimi i jetës dhe punës së Flora Brovinës kaloi nga gazetaria e pediatria te krijimtaria poetike, nga veprimtaria humanitare te burgosja dhe më pas tek institucionet shtetërore të Kosovës. Në figurën e saj u ndërthurën fusha që rrallë bashkohen te një person i vetëm: mjekësia, humanizmi, letërsia, rezistenca dhe politika.
Flora Brovina, pa dyshim, do të kujtohet nga populli i Kosovës dhe jo vetëm, dhe do të njihet nga historia e vendit për angazhimin e saj publik dhe veprën e saj kulturore, humanitare, aktiviste dhe publike.
Ceremonia e varrimit të Flora Brovinës u mbajt në orët e paradrekës së ditës së premte, më 18 shtator 2026, ku në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë u mbajt ceremonia përkujtimore, me ç’rast kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Prof. dr. Shyqri Galica, në fjalën lamtumirëse u shpreh se sot po ndahemi nga një njeri i veçantë, nga njëri prej tyre që dha aq shumë për atdheun, sa veprimtaria e saj, angazhimi para, në luftë e më pas, emrin e Flora Brovinës e bëjnë karakteristik, të nderuar e të respektuar në rrjedhat e jetës sonë kombëtare e më gjerë.
“Para së gjithash, ajo ishte një luftëtare e UÇK-së, e cila nga arma në brez deri në kazamatet serbe nuk e ndali veprimtarinë. Me ballë lart nuk u ndal asnjë çast për të furnizuar kolegët me armë, me uniforma, me barna e shërbime, me pajisje shëndetësore dhe me kurajën që ishte qenësore në atë kohë. Edhe në liri u dëshmua si veprimtare, humaniste e atdhetare fisnike. Duke qenë shpesh krah saj, me shokë e shoqe të tjera, veprën e Dr. Flora Brovinës e njohim nga afër, ndaj pikëllimi ynë në këto çaste dhembjeje na bën krenarë që patëm njërën nga nënat e motrat tona, pa dyshim që kurdoherë u gjend në ballë të reflektimeve e situatave, duke mos kursyer asgjë për ditën që gëzojmë sot, për lirinë e atdheut.
Përkushtimi i doktoreshës Flora Brovina, pothuajse është jetësor, duke filluar nga familja e ngushtë. Ndërkaq, pikëpamjet atdhetare i ka artikuluar dhe në veprën e saj letrare, gjithnjë e bindur se kërkohet përkushtim, dashuri, sakrificë.
Nderim dhe respekt kujtimit të përjetshëm të mikes sonë, atdhetares, luftëtares, shkrimtares e humanistes, figurës së veçantë, Dr. Flora Brovina!”, u shpreh ai ndër të tjera.
Më pas, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës u mbajtën homazhe kushtuar jetës dhe veprës së saj.
Flora Brovina u varros me nderimet më të larta njerëzore e shtetërore, në varrezat e qytetit në Dragodan, në orët e pasdrekës së ditës së premte, në praninë e një numri të madh qytetarësh nga Prishtina me rrethinë, Kosova, por edhe nga trojet etnike shqiptare, nga familjarët, miqtë, kolegët dhe mbarë farefisi.
Florë e nderuar, pusho e qetë në gjirin e kryeqendrës së cilës ia kushtove tërë veprimtarinë e jetën. Të qoftë i lehtë dheu mbi shtëpinë tënde të përmotshme!
Shaban Hasangjekaj
