Në sallën e gjyqit në Hagë, më 16 shtator 2026 heshtja u bë pjesë e historisë së Kosovës. Përballë trupit gjykues që kishte dëgjuar dëshmi për më shumë se pesë vjet, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi pritën verdiktin që do të përcaktonte një nga kapitujt më të debatueshëm të pasluftës.
Në orën e shpalljes së vendimit, kryetari i trupit gjykues, Çarls L. Smith (Charles L. Smith III), dha formulimin që menjëherë do të bëhej objekt debati edhe në Prishtinë: aktgjykimi po shpallej “në emër të popullit të Kosovës”. Vetë gjykata sqaroi se procesi kishte të bënte me përgjegjësinë penale individuale të katër të akuzuarve dhe jo me legjitimitetin e UÇK-së apo qëllimin e saj për një Kosovë të pavarur.
Pastaj erdhën emrat dhe vitet e burgimit.
25 vjet për Hashim Thaçin. 25 vjet për Jakup Krasniqin. 18 vjet për Kadri Veselin. 13 vjet për Rexhep Selimin. Gjithsej 81 vite burgim. Të katër u shpallën fajtorë për krime lufte që përfshijnë ndalim/arrestim të paligjshëm ose arbitrar të 385 personave, trajtim mizor të 49 personave, torturë ndaj 303 personave dhe vrasje të 96 personave.
Por aktgjykimi nuk ishte një pranim i plotë i të gjitha akuzave të prokurorisë. Trupi gjykues i shpalli katër ish-krerët e UÇK-së të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit, duke konstatuar se prokuroria nuk kishte provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se kishte ekzistuar një sulm i gjerë ose sistematik kundër popullsisë civile. Ata u shpallën gjithashtu të pafajshëm për disa incidente të veçanta të krimeve të luftës.
Momentet e rënda në sallën e Hagës
Sipas përmbledhjes së gjykimit, trupi gjykues arriti në përfundimin se katër të akuzuarit kishin përgjegjësi penale në kuadër të një qëllimi të përbashkët kriminal. Për Thaçin, gjykata tha se ai kishte marrë pjesë dhe kishte inkurajuar kryerjen e krimeve. Gjyqtari Smith përshkroi planin e pretenduar si krijimin e qendrave të ndalimit në zonat nën kontrollin e UÇK-së, identifikimin e personave të konsideruar kundërshtarë dhe arrestimin e tyre, me vrasjen si një nga pasojat e mundshme.
Thaçi e dëgjoi vendimin në heshtje. Ai i ka mohuar akuzat dhe, pas vendimit, mbrojtja e tij bëri të qartë se beteja juridike nuk kishte përfunduar. Ish-presidenti i Kosovës, i cili për vite ishte një nga figurat qendrore të politikës kosovare dhe një prej figurave të diplomacisë së luftës, tani përballet me 25 vite burgim në shkallën e parë.
Edhe tre të akuzuarit e tjerë e kanë mohuar përgjegjësinë për krimet e përshkruara në aktakuzë. Për mbrojtjen, çështja kryesore mbetet ajo e lidhjes individuale të katër figurave politike me krimet konkrete. Avokatët kanë paralajmëruar vazhdimin e betejës në apel.
“Jo në emrin tim”
Por formulimi i gjyqtarit “në emër të popullit të Kosovës” mori një kuptim tjetër, kur Prishtina filloi të reagojë.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti tha se formula juridike e gjykatës nuk duhet të ngatërrohet me vullnetin e qytetarëve. Ai e cilësoi vendimin një “padrejtësi të papranueshme” dhe kërkoi që ai të ndryshohet në apel. Sipas Kurtit, historia e UÇK-së dhe arsyeja përse ajo u krijua nuk mund të gjykohen përmes këtij procesi.
Në rrugët e Prishtinës qytetarë dhe mbështetës të ish-krerëve të UÇK-së përdorën thirrjen “Jo në emrin tim”, ndërsa protestat u shoqëruan me fotografi të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Edhe në ditët në vazhdim, mijëra qytetarë u mblodhën në Prishtinë në marshimin me moton “Drejtësi, jo politikë”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së. Organizatorët dhe pjesëmarrësit kërkuan që procesi të mos shndërrohej në një gjykim të historisë së Kosovës. Mbështetësit e ish-krerëve protestuan edhe në Hagë.
Për një pjesë të madhe të shqiptarëve të Kosovës, UÇK-ja është pjesë e historisë së çlirimit dhe themelimit të shtetit. Për gjykatën, ndërkaq, çështja nuk ishte nëse lufta për pavarësi ishte legjitime, por nëse individët e akuzuar mbanin përgjegjësi penale për krime konkrete.
Ky dallim u theksua qartë nga trupi gjykues që në fillim të shpalljes së vendimit: UÇK-ja nuk ishte në bankën e të akuzuarve dhe as qëllimi për një Kosovë të pavarur nuk ishte objekt i gjykimit.
Pikërisht këtu ndahen dy perceptime. Për gjykatën, përgjegjësia penale është individuale. Për kundërshtarët e vendimit, problemi qëndron në mënyrën se si një proces ndaj individëve mund të perceptohet nga shoqëria si gjykim i një lufte të tërë.
Si u krijua Gjykata Speciale?
Historia e Dhomave të Specializuara nis shumë përpara arrestimit të Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Në vitin 2011, raporti i deputetit zviceran Dik Marti (Dick Marty) në Këshillin e Evropës ngriti akuza serioze për trajtim çnjerëzor të të burgosurve, zhdukje dhe pretendime për trafikim organesh në lidhje me pjesëtarë të UÇK-së. Raporti kërkonte hetim të mëtejshëm dhe u bë një nga bazat politike dhe juridike të procesit që pasoi.
Në vitin 2011 Bashkimi Evropian krijoi Task-Forcën Speciale Hetimore për të hetuar në mënyrë të pavarur këto pretendime. Në vitin 2014 task-forca deklaroi se kishte mbledhur prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë.
Në vitin 2015 Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimin kushtetues dhe ligjin për Dhomat e Specializuara. Votimi i 3 gushtit 2015 kaloi me 82 vota pro, pesë kundër dhe një abstenim. Institucioni u krijua brenda sistemit juridik të Kosovës, por me seli në Hagë dhe me staf ndërkombëtar.
Këtu u krijua edhe ndarja e parë e madhe politike. Partitë në pushtet dhe një pjesë e spektrit politik e mbështetën krijimin e gjykatës, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje dhe forca të tjera opozitare e kundërshtuan. Në atë kohë pati edhe protesta dhe tensione në Kuvend.
Pro dhe kundër: dy logjika që përplasen
Mbështetësit e Gjykatës Speciale kanë argumentuar se ajo ishte e nevojshme për të hetuar pretendime të rënda për krime që institucionet vendore nuk kishin arritur t’i trajtonin në mënyrë të besueshme. Hjumën Rajts Uoç (Human Rights Watch), për shembull, kishte kërkuar që hetimet të kryheshin nga një prokuror i pavarur dhe të forcohej mbrojtja e dëshmitarëve.
Kundërshtarët, në anën tjetër, e kanë parë krijimin e saj si të padrejtë dhe selektiv, duke argumentuar se ajo fokusohet te krimet e pjesëtarëve të UÇK-së dhe jo te të gjitha krimet e luftës në Kosovë. Për një pjesë të opinionit shqiptar, vetë fakti që gjykata u krijua pas presionit ndërkombëtar ka ushqyer dyshime për legjitimitetin e saj.
Megjithatë, juridikisht, Dhomat e Specializuara kanë mandat të përcaktuar: krime të pretenduara të kryera gjatë dhe pas luftës, nga janari 1998 deri në dhjetor 2000, në lidhje me juridiksionin e përcaktuar nga ligji themelues.
Nuk është thënë ende fjala e fundit
81 vitet e burgimit nuk përbëjnë ende një verdikt përfundimtar. Ky është vendim i shkallës së parë dhe mbrojtja ka të drejtë ta apelojë.
Kjo do të thotë se beteja juridike vazhdon. Në Hagë, ajo do të zhvillohet përmes argumenteve mbi provat, përgjegjësinë individuale dhe interpretimin e ligjit. Në Kosovë, ndërkohë, beteja do të vazhdojë edhe në një terren tjetër: atë të kujtesës, historisë dhe perceptimit publik.
Më 16 shtator 2026, gjyqtari tha se vendimi jepej “në emër të popullit të Kosovës”. Në rrugët e Prishtinës, qytetarët iu përgjigjën me një tjetër frazë: “Jo në emrin tim.”
Mes këtyre dy fjalive qëndron e gjithë pesha politike, juridike dhe historike e ditës së verdiktit në Hagë.
Dafina Teliqi – Rexha
