Libri, urë mes dijes dhe kulturës

Në këtë panair morën pjesë rreth 35 shtëpi botuese nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës etj., të cilat prezantuan rreth dy mijë tituj, mes tyre botime të reja

Edicioni i 7-të i Panairit të Librit në Tuz, me moton “Libri, urë mes dijes dhe kulturës”, u mbajt sivjet nga data 8-11 shtator 2026, përpara godinës së Qendrës Kulturore-Informative “Malësia” në Tuz, ndërsa stendat e shtëpive botuese u vendosën në hollin e kësaj qendre.
Në natën e parë (hapjen zyrtare të panairit), sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, Marina Ujkaj, në mesazhin përshëndetës është shprehur se panairi i librit është shndërruar në një manifestim që tërheq botuesit dhe autorët më eminentë nga vendi dhe rajoni.
Ajo ka thënë se ky panair, tanimë, përveç tradicional dhe rajonal, u jep atyre besimin se Tuzi për disa ditë shndërrohet në një metropol të madh kulturor, “i cili dëshiron të japë kontributin e tij në afrimin kulturor, si ndërmjet shqiptarëve ashtu edhe ndërmjet popujve të tjerë”.
Programi i larmishëm dhe pjesëmarrja e mbi 35 shtëpive botuese, është shprehur ajo, hapin mundësi të reja si për botuesit ashtu edhe për shkrimtarët e rinj, përkthyesit etj.
Ajo ka falënderuar veçanërisht shtëpitë botuese që, siç tha, ndihmojnë në realizimin e këtij panairi gjithë këto vite.
“Falënderoj të gjithë ata që nga fillimi e deri më sot, me punën, angazhimin dhe idetë e tyre kanë kontribuuar që panairi ynë i librit të jetë ky që është sot. Besoj se në të ardhmen do të jetë edhe më madhështor dhe më i suksesshëm”, ka thënë sekretarja e Sekretariatit për Vetëqeverisje Lokale, Marina Ujkaj.
Panairi i Librit u hap zyrtarisht nga kryetari i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, i cili në fjalën e tij theksoi se për shtatë vite radhazi ky panair ka sjellë në Tuz shkrimtarë, botues, studiues dhe lexues nga trevat shqiptare dhe më gjerë.
“Kjo na gëzon sepse duam që Malësia të njihet jo vetëm për historinë, traditën dhe mikpritjen e saj, por edhe si një vend ku kultivohet kultura, dija dhe libri”, tha ai.
Gjelaj është shprehur, mes tjerash, se një vend nuk zhvillohet plotësisht nëse nuk investohet edhe në kulturë.
Ai theksoi rëndësinë që ka libri për t’i afruar të rinjtë dhe fëmijët, veçanërisht në këtë kohë të teknologjisë e cila, siç ka thënë, po ndryshon botën shumë shpejt.
“Sepse një shoqëri që lexon – mendon më shumë, krijon më shumë dhe ecën me hapa të sigurt drejt së ardhmes”, është shprehur kryetari i Komunës së Tuzit.
Gjatë kësaj mbrëmjeje u promovua romani “Brenga” i autorit Pashko Camaj, për të cilin, në moderimin e Robert Camajt, folën autori, botuesi Bujar Hudhri nga Shtëpia Botuese “Onufri”, si dhe studiuesit e letërsisë Zija Vukaj nga Shkodra, Dr. Sabina Osmanoviq dhe Liridona Sinishtaj – Doçe.
Përgjatë tri ditë/netëve pati prezantime veprash letrare, bashkëbisedime me autorë, diskutime dhe takime me krijues.
Në panairin e sivjetmë u ndanë edhe çmimet “Shtigjeve të Besës” për autorët dhe veprat më të mira. Çmimi për Librin më të mirë për fëmijë iu dha Viktor Canosinajt për veprën “Ajo kërkonte një hero”, ndërsa Çmimi për Autorin më të mirë iu dha shkrimtarit vendas Mark Pashku Lucgjonaj për veprën “Livia”. Çmimi Special iu nda Evalda Pacit, për librin studimor “Letërsia e vjetër shqipe në kontekstin ballkanik dhe evropian”.
Në panair morën pjesë rreth 35 shtëpi botuese nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Lugina e Preshevës etj., të cilat prezantuan rreth dy mijë tituj, mes tyre botime të reja.
Panairi i Librit në Tuz është shndërruar tashmë në një ngjarje tradicionale kulturore në Malësi.

T. Ujkaj

Të fundit

më të lexuarat