Qyteti i Vjetër i Ulqinit vazhdon të jetë një burim i pakrahasueshëm frymëzimi artistik, ku historia e lashtë gërshetohet natyrshëm me artin skenik. Ditë më parë, ambientet historike të Pallatit Venezia u shndërruan në një skenë të hapur teatrore për të mirëpritur monodramën me famë ndërkombëtare “Don Kishoti”, të interpretuar nga aktori dhe regjisori i njohur armen, Aram Hovhannisyan.
Kjo ngjarje e veçantë kulturore ringjalli edhe një herë legjendën shekullore që e lidh shkrimtarin e madh spanjoll, Miguel de Servantes, me robërinë e tij të supozuar në Ulqin dhe me figurën e Dulçineas. Interpretimi i Hovhannisyanit – fitues i çmimit “Grand Prix 2024” – solli një dinamizëm të jashtëzakonshëm skenik. Megjithëse shfaqja u dha në gjuhën turke, mjeshtëria e tij aktoriale kapërceu çdo barrierë gjuhësore, duke përcjellë emocione të thella te publiku vendas dhe vizitorët e shumtë të huaj.
Përfaqësuesja e organizatorit, Mersiha Resulbegoviq – Mavriq, vuri në pah rëndësinë e gërshetimit të kulturës me turizmin, duke nënvizuar se Ulqini ofron përvojë shumë më të pasur se thjesht bregdetin e tij.
“Turizmi nuk përbëhet vetëm nga bukuritë natyrore. Është po aq e rëndësishme që vizitorët të njihen me kulturën, traditat dhe legjendat tona. Shfaqje të tilla pasurojnë përvojën turistike dhe i japin qytetit një dimension të lartë artistik”, theksoi ajo.
Nga ana e tij, aktori Aram Hovhannisyan shprehu një lidhje të thellë shpirtërore me qytetin dhe banorët e tij. Për të, ngjitja në skenë pikërisht në hapësirën historike ku frymon kujtesa e Servantesit përfaqëson një përvojë autentike.
Ai u ndal veçanërisht te filozofia e të jetuarit sipas modelit të heroit të Servantesit, duke e parë jetën e tij si një udhëtim kalorësiak.
“Unë e dua me gjithë zemër Ulqinin dhe njerëzit e tij. Banorët e këtij qyteti shquhen për ngrohtësinë, inteligjencën dhe dashurinë e madhe që kanë për artin. Për mua, Ulqini është bërë tashmë shtëpia ime e dytë. Unë jetoj me këtë vepër prej kohësh dhe jeta ime është ndërtuar në mënyrë kalorësiake, ashtu si vetë Don Kishoti – duke u përballur e duke luftuar vazhdimisht me ‘mullinjtë e erës’ për të vendosur drejtësi. Ky rol kërkon një dashuri dhe energji të jashtëzakonshme për t’i dhënë jetë në skenë çdo personazhi, duke përcjellë mesazhin e lirisë dhe së ardhmes së çdo populli”, u shpreh aktori i njohur.
Kjo mbrëmje provoi edhe një herë se arti mbetet urë e fuqishme lidhëse mes kulturave. Përmes nismave të tilla artistike, jashtë kuadrit të festivaleve zyrtare, Kalaja e Ulqinit konfirmon statusin e saj si një qendër e gjallë e trashëgimisë dhe jetës kulturore në rajon.
Eliana Peku
