Akademia e Shkencave e Shqipërisë njoftoi me hidhërim të thellë se të enjten, më 27 gusht 2026 u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare Akademik Emeritus Mark Tirta, një prej studiuesve më të shquar të etnologjisë dhe antropologjisë shqiptare, një personalitet i rëndësishëm i albanologjisë dhe njëri nga zërat më të spikatur të studimit të trashëgimisë kulturore shqiptare.
Me largimin e tij, shkenca dhe kultura shqiptare humbën një dijetar të përkushtuar, i cili për më shumë se gjashtë dekada ia kushtoi jetën kërkimit shkencor, dokumentimit dhe interpretimit të kulturës materiale e shpirtërore të shqiptarëve. Jeta dhe vepra e tij janë të lidhura ngushtë me përpjekjen për të njohur, ruajtur dhe përcjellë te brezat e ardhshëm pasurinë e jashtëzakonshme të traditave, besimeve, miteve, zakoneve dhe mënyrave të jetës së popullit shqiptar, thuhet në komunikatën e Akademisë në fjalë.
Akademik Mark Tirta u lind më 21 maj 1938, në Orosh të Mirditës së Shqipërisë. Kreu studimet e larta në degën Histori-Gjuhësi të Universitetit të Tiranës, të cilat i përfundoi në vitin 1961. Pas studimeve punoi në arsim në rrethin e Mirditës, ndërsa në vitin 1968 nisi veprimtarinë kërkimore në sektorin e etnografisë të Institutit të Historisë.
Prej vitit 1979 Mark Tirta vijoi veprimtarinë pranë Institutit të Kulturës Popullore, ku ndërtoi një pjesë të rëndësishme të karrierës së tij shkencore. Në vitin 2008 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Seksionin e Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike. Në vijim të veprimtarisë së tij të gjatë akademike e shkencore ai mori statusin Akademik Emeritus.
Akademik Mark Tirta ishte një prej studiuesve që e njohu kulturën shqiptare jo vetëm përmes burimeve të shkruara, por edhe përmes kërkimit të drejtpërdrejtë në terren. Ai mori pjesë në ekspedita të shumta në vise të ndryshme shqiptare, duke mbledhur dhe dokumentuar dëshmi të rëndësishme mbi jetën, traditat, zakonet, besimet dhe mënyrat e organizimit të komuniteteve shqiptare. Kjo përvojë e gjerë e terrenit u bë një prej veçorive dalluese të punës së tij shkencore.
Puna kërkimore e akademik Mark Tirtës ishte e shumanshme dhe preku disa nga çështjet themelore të etnologjisë shqiptare. Ai u mor në mënyrë të veçantë me migrimet e popullsisë shqiptare dhe mitologjinë popullore, gjithashtu studimet e tij u shtrinë edhe në aspektet e familjes, veshjeve popullore, së drejtës zakonore, toponomisë e antroponomisë, artit popullor, historisë së etnologjisë shqiptare dhe personaliteteve të kësaj fushe.
Trashëgimia bibliografike e akademik Mark Tirtës është e jashtëzakonshme. Ai la pas një trashëgimi të gjerë studimore. Ka botuar mbi 300 punime shkencore e kulturore, ka marrë pjesë me mbi 100 kumtesa në sesione shkencore, simpoziume, konferenca dhe kongrese shkencore kombëtare e ndërkombëtare, ndërsa rreth 42 punime të tij janë botuar në gjuhë të huaja.
Ndër veprat më të rëndësishme të akademik Mark Tirtës janë “Mitologjia ndër shqiptarë” (2004), “Etnologjia e shqiptarëve” (2003, 2006), “Etnologjia e përgjithshme” (2001, 2008), “Mërgime të shqiptarëve” (1999), “Mjeshtëria e kërkimit shkencor në etnologji” (2006), “Panteoni e simbolika, doke e kode…” (2007) dhe “Lëvizjet migruese të shqiptarëve, të brendshme e në popujt më afër” (2017).
Në historinë e studimeve shqiptare, akademik Mark Tirta do të kujtohet si një prej dijetarëve që i dha një dimension të rëndësishëm shkencor studimit të kulturës tradicionale shqiptare. Ai e pa etnologjinë jo vetëm si një fushë të mbledhjes dhe përshkrimit të fakteve, por si një mënyrë për të kuptuar historinë, kujtesën, identitetin dhe vazhdimësinë kulturore të shqiptarëve. Përmes punës së tij, shumë dëshmi të kulturës materiale dhe shpirtërore shqiptare u dokumentuan dhe u bënë pjesë e kulturës së shkruar shkencore.
Librat, studimet dhe materialet që la pas akademik Mark Tirta, përbëjnë një pasuri të çmuar për studiuesit e sotëm dhe të ardhshëm të etnologjisë, antropologjisë, folklorit, historisë së kulturës dhe albanologjisë. Me ndarjen e tij nga jeta, Akademia e Shkencave e Shqipërisë humbi një nga figurat e saj të shquara, ndërsa shkenca shqiptare humbi një studiues që i kushtoi gjithë jetën njohjes së rrënjëve kulturore të shqiptarëve.
Akademia e Shkencave të Shqipërisë u shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve, kolegëve dhe gjithë bashkësisë shkencore për këtë humbje të rëndë. Ajo, të premten, më 28 gusht 2026, në sallën “Aleks Buda”, zhvilloi ceremoninë e lamtumirës dhe nderimit për personalitetin e shquar të albanologjisë, Akademik Emeritus Mark Tirta.
Varrimi i tij u bë në varrezat e kryeqendrës së Shqipërisë, me nderimet më të larta në praninë e një numri shumë të madh qytetarësh, strukturash të ndryshme shoqërore, kulturore e artistike nga Shqipëria dhe nga të gjitha trojet etnike shqiptare.
Përgjithmonë do të mbetet i paharruar kujtimi i Akademik Emeritus Mark Tirta!
Pusho i qetë në shtëpinë tënde të përmotshme në gjirin e tokës shqiptare Akademik i nderuar, i respektuar dhe përherë i kujtuar, Mark Tirta!
Shaban Hasangjekaj
