Për katër net, më 19-22 gusht 2026, Ulqini u shndërrua në një skenë ndërkombëtare të monodramës ku aktorë të njohur nga tetë vende të botës sollën përvojat e tyre teatrore në një prej gjinive më të vështira të artit skenik, në edicionin e parë të Festivalit Ndërkombëtar të Monodramës “Dulcinea 2026”.
Para publikut u interpretuan monodramat ”Por Una Banana“ nga Mayli Georgi Nieto (Kolumbi/Itali), “Arka“ nga Mentor Zymberaj (Kosovë), “Tregime mizogjene“ nga Angjela Marunoviq (Mali i Zi), “Aznavour për Aznavourin“ nga Aram Hovhannisyan (Armeni), “Duke pritur Çe-në – Esperando al Che“ nga Vjera Mujoviq (Serbi/Mali i Zi), “Veta e parë njëjës“ nga Vladanka Krstevski (Maqedoni e Veriut), “Marlene Dietrich“ nga Ksenija Prohaska (Kroaci) dhe “Lopata e Artë“ nga Leonard Hamitaj (Shqipëri/Kroaci).
Festivali është inicuar nga aktori i shquar i Teatrit Kombëtar të Malit të Zi, Sllobodan Marunoviq, i cili e konceptoi “Dulcinea”-n si vendtakim të artistëve të rëndësishëm nga rajoni, Evropa dhe bota, si festival që do t’i sjellë Ulqinit dhe Malit të Zi një adresë të re kulturore dhe ndërkombëtare.
“Ky festival do të thotë shumë, jo vetëm për Ulqinin, por edhe për tërë Malin e Zi. Ky nuk është një festival i zakonshëm. Ky festival është një mision. Së pari, Ulqinit i mungon teatri. Çdo qytet pa teatër nuk është qytet i vërtetë”, ka thënë ideatori, themeluesi, selektori dhe drejtori artistik i Festivalit.
Ai ka treguar se pse janë përcaktuar për monodramën, duke e cilësuar atë si sintezë të të gjitha arteve – letërsisë, muzikës, arkitekturës, teatrit etj. Ndërsa lidhur me emërtimin e Festivalit “Dulcinea”, Marunoviq ka thënë se paraqet “shpirtin e universalitetit të këtij mjedisi, ku gjatë mijëvjeçarëve kanë kaluar shumë civilizime”.
Në fjalën e hapjes, kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu ka thënë se është krenar për fillimin e një tradite të re, në vendin me histori 2500-vjeçare, ku janë shfaqur shumë histori njerëzore, drama etj.
“Ky festival duhet të paraqesë një fillim të ri, i cili duhet ta lërë në trashëgimi themelimin e teatrit tonë të qytetit, i cili është synimi ynë kryesor”, ka thënë ai ndër të tjera.
Katër netët e Festivalit treguan se Ulqini është një mjedis perfekt për zhvillimin e ngjarjeve të tilla kulturore të nivelit ndërkombëtar, duke e shndërruar këtë qytet në një vend takimi të kulturave, gjuhëve dhe traditave të ndryshme teatrore, të bashkuara rreth një prej formave më të impenjuara të artit skenik – monodramës.
Një vlerë të veçantë e edicionit të parë i dha ndërthurja e shfaqjeve me ambientin e Qytetit të Vjetër të Kalasë së Ulqinit. Muzeu i Qytetit dhe Pallati Venezia nuk ishin vetëm hapësira ku u zhvilluan shfaqjet, por u bënë pjesë e identitetit të Festivalit dhe një hapësirë ku teatri bashkëkohor dhe trashëgimia historike e Ulqinit u ndërthurën natyrshëm.
Edicioni i parë nuk kishte karakter garues, por të gjithë aktorëve u ndanë nga organizatorët statuja e Festivalit dhe diploma e laureatit të Festivalit “Dulcinea”.
Festivali Ndërkombëtar i Monodramës “Dulcinea 2026“ është organizuar nga Komuna e Ulqinit, respektivisht Sekretariati për Kulturë dhe Veprimtari Shoqërore, me mbështetjen e Forumit Ndërkombëtar të Monodramës nën patronazhin e UNESCO-s. Realizimin e Festivalit e mbështetën Ministria për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi dhe një numër i madh sponsorësh. Producent ekzekutiv i Festivalit ishte OJQ ”Montenegrin Universal Theatre“ nga Podgorica.
i. k.
