Të premten mbrëma, më 17 korrik 2026, në ambientin unik të Kalasë së Ulqinit, u hap zyrtarisht edicioni i 38-të i festivalit tradicional “Skena Verore – Ulqin 2026”, një nga manifestimet më të rëndësishme kulturore të qytetit.
Hapja e këtij edicioni u shënua me një program të pasur artistik, ku arti pamor dhe muzika u ndërthurën për t’i dhënë publikut një mbrëmje të veçantë, duke konfirmuar edhe një herë rolin e këtij festivali në jetën kulturore të Ulqinit.
Aktivitetet nisen me hapjen e ekspozitës “Sirocco” të artistes ulqinake Emina Nimanbegu – Myrteza, e cila me krijimtarinë e saj solli para publikut një koleksion veprash që pasqyrojnë ndjeshmërinë artistike, identitetin kulturor dhe frymëzimin e marrë nga natyra, deti dhe peizazhi mesdhetar. Veprat e ekspozuara tërhoqën vëmendjen e vizitorëve për origjinalitetin, harmoninë e ngjyrave dhe mënyrën e veçantë të shprehjes artistike.
Hapjen e ekspozitës e bëri piktorja e njohur ulqinake Vahida Hasanaga – Nimanbegu, e cila në fjalën e saj prezantoi krijimtarinë e autores dhe bëri një analizë profesionale të veprave të ekspozuara.
Ajo vlerësoi lart teknikën e përdorur, ndjeshmërinë artistike, pjekurinë krijuese dhe përkushtimin e artistes, duke theksuar se ekspozita përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në pasurimin e jetës artistike dhe kulturore të Ulqinit.
Ekspozita do të jetë e hapur për vizitorët deri më 27 korrik 2026 në Galerinë “Kulla e Balshajve”, duke u dhënë mundësi artdashësve vendas dhe turistëve të njihen nga afër me krijimtarinë e artistes.
Festivalin e shpalli të hapur kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë që “Skena Verore” ka për identitetin kulturor të qytetit dhe për promovimin e vlerave artistike të tij.
“’Skena Verore’ është një prej ngjarjeve më të rëndësishme në jetën kulturore të Ulqinit. Ky festival është natyrshëm në Kalanë e Ulqinit, në qytetin tonë të lashtë, dhe është shumë më tepër se një program artistik vere. ‘Skena Verore’ është dëshmi se Ulqini, krahas bukurive të tij natyrore dhe historisë identitare, është edhe qytet i kulturës, i krijimtarisë dhe i dialogut ndërmjet njerëzve dhe qytetërimeve”, ka thënë ai.
Nimanbegu ka përkujtuar se ky festival, i nisur në vitin 1988, gjatë viteve ka pësuar transformime në përputhje me transformimin e shoqërisë sonë.
“Ulqini ka dhënë një kontribut të çmuar në kulturën shqiptare, të Malit të Zi dhe të rajonit. Ky qytet ka nxjerrë figura të shquara në letërsi, art dhe kulturë, të cilët me veprën dhe jetën e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në vetëdijen tonë kulturore. Tradita jonë shumëngjyrëshe, bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve dhe pasuritë e trashëgimisë sonë kulturore janë vlera që na dallojnë dhe që na obligojnë t’i ruajmë e t’i zhvillojmë”, është shprehur kryetari i Komunës së Ulqinit.
Ai ka theksuar se Komuna e Ulqinit mbetet e përkushtuar që kultura të jetë një nga shtyllat e zhvillimit tonë.
“Investimi në kulturë nuk është vetëm mbështetje për artistët; ai është investim në identitetin tonë, në të drejtat tona, në edukimin e të rinjve dhe në promovimin e Ulqinit si qendër e rëndësishme kulturore dhe turistike e Adriatikut”, ka thënë Nimanbegu, duke falënderuar të gjithë organizatorët dhe artistët për përkushtimin që “Skena Verore” të jetë e suksesshme.
Pas hapjes së festivalit, publiku pati kënaqësinë të ndjekë koncertin e artistit të mirënjohur shqiptar Frederik Ndoci, një emër i spikatur i skenës muzikore shqiptare. Para se të niste interpretimin e tij, Ndoci përshëndeti publikun e pranishëm dhe shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në festival.
“Ndjehem shumë i lumtur që mora ftesën për të qenë pjesë e ‘Skenës Verore’ në Ulqin. Është gjithmonë kënaqësi të rikthehem në këtë qytet me publikun e tij të mrekullueshëm. Faleminderit për mikpritjen dhe për këtë ftesë të veçantë”, u shpreh ai, mes duartrokitjeve të të pranishmëve.
Me interpretimin plot emocion, profesionalizëm dhe energji, Ndoci krijoi një atmosferë të ngrohtë dhe të veçantë, duke interpretuar disa prej këngëve më të njohura nga repertori i tij.
Prania e tij në skenë u mirëprit me duartrokitje të shumta nga publiku, i cili e ndoqi koncertin me entuziazëm dhe emocion. Interpretimi i Frederik Ndocit i dha një fillim dinjitoz edicionit të sivjetshëm të festivalit, duke e shndërruar mbrëmjen e parë në një ngjarje të veçantë kulturore.
Festivali “Skena Verore – Ulqin 2026” edhe këtë vit sjell një program të pasur me aktivitete artistike, kulturore dhe muzikore, duke synuar promovimin e kulturës, artit dhe vlerave krijuese, si dhe pasurimin e ofertës turistike të qytetit gjatë sezonit veror.
Gjatë ditëve në vijim, publiku do të ketë mundësi të ndjekë koncerte, ekspozita, shfaqje teatrore dhe programe të ndryshme kulturore me pjesëmarrjen e artistëve nga Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe vende të tjera.
Organizator i Festivalit “Skena Verore – Ulqin 2026” është Qendra për Kulturë – Ulqin, ndërsa realizimi i këtij manifestimi mbështetet nga Ministria e Kulturës dhe Medias e Malit të Zi, Organizata Turistike e Ulqinit dhe Komuna e Ulqinit.
Me traditën e saj tashmë 38-vjeçare, “Skena Verore” vazhdon të mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Ulqin, duke bashkuar artistë, krijues dhe publikun në një festë të përvitshme të artit dhe kulturës.
D. Teliqi
