Të mërkurën, më 24 qershor 2026, në ambientet e shkollës së mesme të përzier “Beqo Bashiq” – Plavë janë tubuar maturantët me sukses të shkëlqyer, prindërit e tyre, mësimdhënësit kujdestarë të klasave, stafi drejtues i shkollës, në krye me drejtoreshën Snezhana Bojoviq, dhe kryetari dhe nënkryetarja e Komunës së Plavës, Nihad Canoviq dhe Bellma Sharkinoviq, për të marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së diplomave “Pishtari” (Lluça) nxënësve maturantë, për rezultate të larta në mësim që kanë shënuar gjatë shkollimit fillor dhe të mesëm në këtë shkollë dhe në shkollat fillore në Plavë dhe Guci.
Nga 114 maturantë të tetë paraleleve mësimore, dy prej të cilave në gjuhën shqipe – paralelja e drejtimit Gjimnaz i Përgjithshëm me 12 maturantë dhe paralelja e drejtimit profesional Shitës me katër maturantë – 12 maturantë gjatë shkollimit fillor nëntëvjeçar dhe të mesëm kanë treguar sukses të shkëlqyer dhe sjellje shembullore. Shtatë prej tyre u janë ndarë diplomat “Pishtari I” (Lluça I), për sukses të shkëlqyer në të gjitha lëndët gjatë viteve të shkollimit, kurse pesë të tjerëve diplomat “Pishtari II” (Lluça II), që ndahen për nxënësit me sukses të shkëlqyeshëm, por jo në të gjitha lëndët.
Për suksesin e arritur në mësim dhe sjellje shembullore, me vendimin e kolektivit të mësimdhënësve të shkollës, maturantët janë shpërblyer me nga një libër.
Maturantët e shkëlqyer, laureatë të diplomës “Pishtari”, edhe Komuna e Plavës i ka shpërblyer me nga një libër, fletore shënimesh si dhe me nga 100 euro.
Drejtoresha e shkollës, Snezhana Bojoviq, e cila bashkë me kryetarin e Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, dhe nënkryetaren Bellma Sharkinoviq, i kanë dorëzuar diplomat, pasi ka përshëndetur gjithë të pranishmit në ceremoninë solemne, ka thënë se për SHMP “Beqo Bashiq” ky është solemniteti më i rëndësishëm gjatë vitit shkollor.
Ajo në vazhdim ka theksuar se “si shkollë u jemi mirënjohës nxënësve maturantë, të cilët para katër vitesh kanë trokitur në dyert e kësaj shkolle, në të cilën kanë aplikuar për të vijuar shkollimin e mesëm, e sot mu atyre ua dorëzojmë solemnisht diplomat ‘Pishtari’ (Lluça)”.
Në fjalën përshëndetëse, kryetari i Komunës së Plavës, Nihad Canoviq, maturantëve laureatë u ka dëshiruar shëndet dhe sukses në vazhdimin e shkollimit të tyre universitar.
“Rreth jush dhe për ju s’ka çka të thuhet shumë, sepse të gjitha notat pesëshe që gjenden në dëftesat tuaja, më së miri flasin dhe dëshmojnë për ju. Para jush është një udhëkryq i madh, por ai mos t’ju frikësojë. Përkundër, ai duhet t’ju trimërojë, nxisë dhe motivojë”, ka thënë ai.
Laureatë të diplomës “Pishtari I” janë maturantët: Savo Jashoviq, Neira Llalliq, Amra Leshnjanin, Hafsa Medunjanin, Milena Stijoviq, Alba Shaboviq dhe Emma Shehoviq, kurse laureatë të diplomës “Pishtari II” Ellma Bashiq, Ellmir Canoviq, Shejlla Shaboviq, Allmira Leshnjanin dhe Semih Duçiq.
Brengos fakti se në këtë vit shkollor asnjë prej 16 maturantëve të dy paraleleve me mësim në gjuhën shqipe nuk ishin laureatë të diplomës “Pishtari” (Lluça).
Këtë vit shkollor, shkolla nuk shpalli asnjë maturant të gjeneratës.
Laureatët e diplomës “Pishtari” dhe shpërblimeve tjera u zotuan se do ta vazhdojnë shkollimin e lartë në universitetet brenda dhe jashtë Malit të Zi.
Sh. Hasangjekaj
