Plavë – Në një atmosferë të ngrohtë dhe domethënëse, një delegacion nga Shkodra zhvilloi të hënën e kaluar (25 maj 2026) një vizitë në Plavë, ku u takua me nxënësit shqiptarë të ciklit nga klasa e parë deri në klasën e shtatë, si dhe me përfaqësues lokalë të arsimit dhe institucioneve komunale.
Delegacioni përbëhej nga Uarda Albunesa, Bledar Tafaj, Avni Bruçaj dhe Ardit Taflaj, të cilët u pritën nga mësuesja Vera Hakaj, drejtoria e shkollës dhe mësimdhënësit lokalë.
Gjatë vizitës, delegacioni solli materiale shkollore dhe dhurata personale për fëmijët që ndjekin mësimin në gjuhën shqipe – një gjest që u prit me emocion dhe mirënjohje nga nxënësit dhe stafi arsimor.
Për shumë prej këtyre fëmijëve, kjo ishte hera e parë që përjetonin një vëmendje të tillë të drejtpërdrejtë dhe mbështetje konkrete për nevojat e tyre shkollore. Në një zonë ku arsimi në gjuhën shqipe përballet prej vitesh me vështirësi dhe mungesë mbështetjeje, kjo vizitë u konsiderua një shenjë solidariteti dhe përkujdesjeje ndaj brezit të ri.
Gjatë takimit u zhvilluan biseda mes drejtorisë së shkollës, mësuesve nga Plava dhe delegacionit nga Shkodra mbi mënyrat më të mira të bashkëpunimit në të ardhmen, me fokus përmirësimin e kushteve të arsimit dhe mbështetjen e fëmijëve shqiptarë në këtë trevë.
Në kuadër të qëndrimit në Plavë, delegacioni realizoi edhe një vizitë në Komunën e Plavës, ku u prit në një takim miqësor dhe konstruktiv me kryetarin e komunës. Gjatë këtij takimi u diskutua mbi rëndësinë e bashkëpunimit kulturor dhe arsimor ndërmjet komuniteteve, si dhe mbi nevojën për më shumë përkrahje ndaj arsimit në gjuhën shqipe. Të pranishmit e vlerësuan takimin si një përvojë pozitive dhe një hap të rëndësishëm drejt krijimit të lidhjeve më të forta institucionale dhe njerëzore.
Vizita u përmbyll me mesazhe shprese dhe dëshire për vazhdimin e bashkëpunimeve të tilla në të ardhmen, me qëllim që fëmijët shqiptarë në Plavë të ndihen më të përkrahur dhe më të vlerësuar në rrugën e tyre arsimore.
Kaltrina Hoti
