Të martën, më 10 mars 2026, nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe qytetarët e Krajës shënuan 97-vjetorin e shkollës së tyre. Nxënësit anëtarë të seksioneve të ndryshme që funksionojnë në këtë institucion edukativo-arsimor, i vetmi ku mësimi zhvillohet në gjuhën shqipe në komunën e Tivarit, kishin përgatitur një program të begatë kulturor-zbavitës. Falë punës së këtyre seksioneve, të pranishmit panë dhe shijuan për së afërmi frytet e aktiviteteve të lira të shkollës.
Manifestimi nisi me hapjen e ekspozitës së artit figurativ, ku punimet e zgjedhura i ekspozuan nxënësit, anëtarë të Seksionit të artit figurativ.
Në bibliotekën e shkollës, në një ambient kulturor në plot kuptimin e fjalës, po këtë ditë u bë përurimi i revistës së shkollës “Valët”. Brenda kopertinave të numrit 28 të kësaj reviste janë botuar krijime letrare të nxënësve anëtarë të seksionit letrar. Në fillim të revistës lexuesi gjen një kalendar vjetor të aktiviteteve të kolektivit nxënës-mësues të shkollës. Në këtë orë letrare punimet e veta në poezi, prozë etj. i lexuan nxënësit krijues.
Madhështinë kësaj ngjarjeje kulturore ia shtoi krijuesi i njohur nga Ulqini, Gazmend Çitaku. Ai me këtë rast bëri përurimin e përmbledhjes me tregime për fëmijë “Aventurat e Dorartit”, botuar këtyre ditëve. Për librin foli Ali Gjeçbritaj, i cili ndër të tjera tha se kjo përmbledhje nuk është thjesht një libër me tregime, por një ftësë e hapur për të zbuluar shpirtin e pathyeshëm të Ulqinit dhe jo vetëm.
“E kush më mirë se Gazmendi, një krijues shumëdimensional, mund ta bënte këtë. Grupi ‘Ilirët’, që përbëhet nga Dorarti dhe shokët e tij Arjani, Lisa, Deti, Andrea, Erisi, Elisa, Beni, Adea, Pranvera, së bashku me gjyshen Dila e gjyshin Lisi e ndonjë tjetër, janë personazhet që do t’i hasni ju të dashur nxënës kur ta lexoni librin. Përmes aventurave të grupit ‘Ilirët’, shkrimtari na shpie në udhëtim magjik ku historia antike, arkeologjia dhe legjenda gërshetohen natyrshëm me botën e vrullshme të fëmijëve”, ka theksuar ai.
Sipas Gjeçbritajt, përmbledhja me tregime “Aventurat e Dorartit” ia vlen të lexohet edhe nga të rriturit, sepse ka shumë mesazhe të rëndësishme.
“Libri na frymëzon të jemi të fortë, kurioz, kërkues dhe asnjëherë të mos dorëzohemi përballë vështirësive. Me sa unë kam njohuri, kanë kaluar shumë vite që nuk më ka rënë në dorë një libër me tregime për fëmijë në gjuhën shqipe i botuar në Mal të Zi nga autorë shqiptarë. Më herët, para shumë vitesh kanë botuar Hajro Ulqinaku dhe Ibrahim Berjashi. Andaj preferencë e imja është që përmbledhja me tregime për fëmijë ‘Aventurat e Dorartit’ patjetër duhet ta zë vendin e vet në Programin mësimor të gjuhës amtare, në pjesën e hapur të programit, i njohur si 20 përqindëshi”, ka pohuar ai.
Në fjalën e tij, autori Gazmend Çitaku ka thënë se nuk ka ardhur t’u flasë thjesht për një libër, por për t’i ftuar në një udhëtim ku kufiri mes përrallës dhe realitetit humb në dallgët e Adriatikut dhe në malet tona të larta.
“Ky libër tregon historinë e disa fëmijëve si ju, fëmijëve ulqinakë të cilët vendosën që kjo verë nuk do të ishte thjesht ‘plazh me akullore’, por një kërkim i madh për thesaret e fshehura të vendlindjes sonë”, ka thënë ai, duke shtuar se “aventura nis aty ku mbaron rëra dhe fillon kaltërsia”.
“Personazhet tona veshin maskat, marrin frymë thellë dhe zhyten në një botë që shumica e njerëzve nuk e shohin kurrë. Poshtë sipërfaqes së detit të Ulqinit, ata zbulojnë se qyteti ynë vazhdon edhe nën ujë. Përmes syrit të tyre ata shohin vallëzimin e peshqve, misterin e shpellave nënujore dhe mësojnë se deti nuk është thjesht ujë, por një organizëm i gjallë që duhet mbrojtur me çdo kusht”, është shprehur Çitaku, duke vlerësuar se ky libër na tregon se nuk kemi nevojë të shkojmë në anën tjetër të botës për të gjetur aventura pasi që Ulqini është i mbushur me magji.
Në fund të përurimit, autori dhuroi disa kopje të librit për bibliotekën shkollore, si dhe nga një kopje për të gjithë nxënësit dhe të pranishmit tjerë.
Në vazhdim të manifestimit u shfaq programi kulturor-zbavitës, ku në fillim fjalën e rastit e mbajti drejtori i shkollës, Sami Dodiq, i cili i përshëndeti të pranishmit që kishin mbushur përplot sallën e edukimit fizik.
Përveç nxënësve, mësimdhënësve, prindërve, pensionistëve veteranë të arsimit nga Kraja dhe jo vetëm, për të përcjellë programin kishin ardhur edhe shumë ish-nxënës të kësaj shkolle si dhe mysafirë të shumtë nga Ana e Malit, Ulqini etj.
Në fjalën e vet, drejtori Dodiq ka thënë ndër të tjera se një shkollë nuk mund të jetë e suksesshme pa ata të cilët punojnë dhe kontribuojnë çdo ditë për të.
“Prandaj në këtë ditë të veçantë, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të thellë për mësimdhënësit e shkollës sonë. Me përkushtimin, profesionalizmin dhe dashurinë tuaj për profesionin ndikoni drejtpërdrejt në formimin e nxënësve tanë. Profesoni i mësuesit është profesion fisnik, andaj rezultatet tuaja nuk shihen vetëm sot por edhe pas shumë vitesh”, ka thënë ai.
Ndërkaq, duke iu drejtuar nxënësve, drejtori i shkollës fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” ka thënë se ata janë arsyeja kryesore e ekzistencës së kësaj shkolle.
“Secili kënd i saj dhe çdo aktivitet merr jetë falë energjisë edhe entuziazmit tuaj. Të keni besim në aftësitë tuaja dhe mos harroni se çdo sukses fillon me përpjekje, këmbëngulje dhe vullnet për të mos u dorëzuar. Ju jeni ardhmëria e këtij vendi dhe shpresa jonë për një shoqëri më të mirë. Le të jetë shkolla jonë vendi ku rriten ëndrrat, forcohet dija dhe ndërtohet ardhmëria e shoqërisë sonë”, ka porositur ai.
Pas fjalës së drejtorit nisi programi kulturor-artistik, i gërshetuar me këngë, valle, recitime dhe grimca humoristike. Ra në sy se për herë të parë grupi i recituesve në program recitoi poezi nga autorë vendas, gjë që e bën më të afërt komunikimin kulturor me mjedisin ku vepron shkolla. Nuk mund pa cekur punën e korit të shkollës, nën drejtimin e profesorit të kulturës muzikore Ardit Nika, i cili e ka gjallëruar jetën kulturore, jo vetëm në shkollën e Krajës por edhe gjetiu ku punon. Andaj me plot gojë mund të thuhet se shkolla në Krajë, krahas punës edukativo-arsimore është edhe bartësja kryesore e jetës kulturore në këtë trevë.
Po përmendim me këtë rast edhe një aktivitet të nxënësve të klasës së katërt dhe të pestë, të cilët për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, në Shtëpinë e Kulturës në Ostros dhanë shfaqjen teatrale për fëmijë “Hirushja”, të përgatitur nga mësueset e zellshme të kësaj shkolle – Aishe Koliqi dhe Jasmina Dragoviq.
Për fund, shqetësues mbetet fakti se numri i nxënësve në shkollën e Krajës është gjithnjë në rënie. Pa nxënës këtë vit mbeti edhe paralelja e ndarë në Arbnesh! Në shkollën fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” këtë vit shkollor (2025/2026) mësimet i ndjekin vetëm 54 nxënës, që është dhjetëfish më i vogël se numri i nxënësve që dikur kishte kjo shkollë.
Ali Gjeçbritaj
