Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, së bashku me një delegacion nga ky universitet, është pritur në takim të enjten, më 29 janar 2026, nga rektori i Universitetit të Malit të Zi, Prof. Dr. Vlladimir Bozhoviq.
Siç njoftohet në faqen zyrtare të fejsbukut të Universitetit të Malit të Zi, takimi iu kushtua avancimit dhe thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
“Me fokus të veçantë në fushën e shkencës dhe mësimdhënies, si dhe aplikimit për projekte të financuara nga fondet e Bashkimit Evropian dhe burime të tjera ndërkombëtare”, kanë theksuar nga ky institucion.
Gjithashtu njoftohet se Universiteti i Malit të Zi dhe Universiteti i Shkodrës, tashmë kanë bashkëpunim të suksesshëm përmes projektit “Reforma e studimeve doktorale në Mal të Zi dhe Shqipëri”.
“I zbatuar në kuadër të programit Erasmus+ për ndërtimin e kapaciteteve në arsimin e lartë, ky projekt është njohur si shembull i praktikës së mirë, ndërsa rezultati i tij më i rëndësishëm është themelimi i programit të parë të studimeve doktorale në gjuhën angleze me emërtimin ‘Zhvillimi i qëndrueshëm’”, kumtohet nga Universiteti i Malit të Zi.
Ndërkaq, rektori i Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, në profilin e tij në rrjetin social fejsbuk ka njoftuar se gjatë vizitës në Malin e Zi pati kënaqësinë të takohet me kryetarin e Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi, Faik Nika, dhe ministrin e Administratës Publike, Marash Dukaj.
“Diskutuam, së bashku, hapat konkretë dhe veprimet që duhet të ndërmerren, së shpejti, për konkretizimin e inciativës për themelimin e Institutit të Albanologjisë në Malin e Zi”, ka shkruar Gjuraj.
Sipas tij, një kontribut të veçantë në avancimin e kësaj iniciative kanë dhënë edhe Don Nikë Ukgjini dhe Gjergj Leqejza.
“Ndërkaq roli i z. Nikollë Camaj, nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi, ka qenë thelbësor në vendimmarrjen e Parlamentit të Malit të Zi në themelimin dhe mbështetjen financiare të këtij Instituti”, ka thënë Gjuraj.
t. u.
