
Në plejadën e intelektualëve shqiptarë të trevës së Plavës dhe Gucisë, të cilët kanë bërë emër dhe janë në zë në profilet e ndryshme të veprimtarisë dhe krijimtarisë së tyre profesionale, që kontributin e vet e japin në komunat e Plavës dhe të Gucisë, në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni të Veriut, në disa qendra të Malit të Zi, por edhe anekënd botës, radhitet edhe profesori i gjuhës e letërsisë shqipe, veprimtari universal i krijimtarisë letrare, gazetari dhe përkthyesi Enver K. Ulaj, jeta dhe veprimtaria shumëdimensionale e të cilit, edhe pse i ri në moshë, është mjaft e bujshme dhe cilësore.
U lind më 30 gusht të vitit 1973 në fshatin Vuthaj të komunës së Gucisë, nga prindërit Kadri dhe Izeta Ulaj, familje kjo tipike tradicionale shqiptare me tradita të lavdishme patriotike, atdhetare, bujare dhe mikpritëse, ku prindërit rritën tetë fëmijë – katër djem dhe katër vajza, ku Enveri ishte vëllai i tretë me radhë. I rrisnin në kushte të pavolitshme ekonomike, ku si pjesa më e madhe e familjeve të kësaj treve, ekzistencën familjare e siguronin kryesisht nga punët e përditshme bujqësore e blegtorale dhe nga ndonjë aktivitet artizanal e mjeshtëror.
Enver K. Ulaj, mësimet e para të fillores, ciklin e ulët (I-IV) e kreu në vendlindje në Vuthaj, ndërsa ato të ciklit të lartë (V-VIII) në Shkollën fillore “Xhafer Nikoçeviq” në Guci, të gjitha me sukses dhe sjellje shembullore. Për rezultatet e arritura ishte laureat i diplomës “Pishtari” në vitin 1987. Arsimimin e mesëm e filloi dhe e përfundoi në Shkollën e mesme “Beqo Bashiq” në Plavë, në vitet shkollore 1987-1991, me sukses të shkëlqyeshëm, ku po ashtu u shpërblye me diplomën “Pishtari”.
Pas përfundimit të shkollës së mesme, në vitin akademik 1993/1994 u regjistrua në Universitetin “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Studimet i përfundoi në afat të rregullt, në vitin 1997, me rezultat të lartë.
Veprimtarinë Enveri e filloi qysh në kohën e studimeve në Shkodër, kur filloi të merret me gazetari. Pas çlirimit të Kosovës, Enveri me bashkëshorten Sindorelën (edukatore) shkon të jetojë në Pejë dhe për një kohë të gjatë (1999-2014) punon në gazetari në Kosovë, me angazhim parësor në gazetën ditore “Zëri” dhe në media tjera si “KosovaLive”, “Bota Sot”. Ndërkohë ka qenë edhe bashkëthemelues dhe më pas udhëheqës i Shoqatës së Gazetarëve të Pejës “Mediawest” (2000-2012). Përmes kësaj shoqate dhe përmes organizatave “Trentino con il Kosovo”, “Syri i Vizionit”, “QR Zoom/Pejë” dhe “Let’s do it Peja”, Enveri ka qenë ligjërues dhe trajner në kurse gazetareske.
Në media, Enver K. Ulaj ka udhëhequr si kryeredaktor disa revista më specifike profesionale, si gazeta avokuese e shoqërisë civile “Kasneci” (me OSBE/USAID) (2004-2007), revistën periodike “Syri ynë” (2018-2025), si zëvendëskryeredaktor në gazetën “Dukagjini” dhe “Jubilari 2000” (2000-2002). Për angazhimin në media është vlerësuar dhe nderuar me disa çmime: Gazetari – korrespondenti më i mirë i vitit në Kosovë për vitin 2004 (Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës), Çmimi për serinë e shkrimeve antikorrupsion 2006 (UNDP dhe Agjencioni Antikorrupsion i Kosovës), Çmimi për artikullin më të mirë për zhvillimin njerëzor 2004 (United Nations Development Programme) dhe disa mirënjohje.
Si aktivist i shoqërisë civile, Enver K. Ulaj ka qenë i angazhuar nga viti 2004 dhe ka zbatuar dhjetëra projekte me organizatat: Syri i Vizionit, Solidar Suisse, Shoqata e të Verbërve të Pejës, Lions Clubs International, Let’s do it Peja, Peer Educators Network etj., me të cilat ka menaxhuar programe ose ka ofruar ekspertizën për projektet e financuara nga Bashkimi Evropian (demokratizimi, edukimi, barazia gjinore), USAID (ambienti, barazia gjinore, mediat), Solidar Suisse (orientimi në karrierë dhe ndërlidhja e shkollave me tregun e punës), Olof Palme Center (strategjitë e integrimit të komuniteteve joshumicë), KCSF (integrimi i personave me aftësi të kufizuara në shoqëri etj.)
Në marrëdhënie të përhershme pune, Enver K. Ulaj është i angazhuar në Qendrën Burimore për Mësim dhe Këshillim “Xheladin Deda” në Pejë që nga viti 2003, si profesor i gjuhës shqipe dhe letërsisë. Nga viti 2011, Enveri drejton Qendrën e trajnimeve në këtë institucion dhe koordinon me projektet dhe marrëdhëniet me donatorët dhe publikun.
Ai ka qenë pjesë e disa grupeve punuese në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për hartimin e programeve dhe dokumenteve specifike për arsimin në Kosovë: Grupi punues për hartimin e programit të mësimit në fusha të aktiviteteve për fëmijë me dëmtime të rënda në Kosovë, Strategjisë për përfshirjen e prindërve në orientim në karrierë, hartimin e listës së lektyrës shkollore për shkollat fillore dhe të mesme të Kosovës, si dhe është autor i disa udhëzuesve për punë në procesin arsimor në Kosovë dhe në lidhje me personat me aftësi të kufizuara në Kosovë. Është edhe ligjërues në kualifikimet për asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta në kuadër të programeve ndërkombëtare të njohura “Pearson” nga Britania e Madhe.
Veprimtaria poliedrike e Enver K. Ulajt përfshin edhe fusha të tjera. Ai është publicist, poet dhe shkrimtar, ku ka filluar të merret me krijimtari qysh si nxënës i shkollës së mesme dhe student i Universitetit në Shkodër.
Në vitin 2000 botoi përmbledhjen e poezive me titull “Tri dhembjet e mia i kam në Shkodër”, botim i Shtëpisë Botuese “Camaj-Pipa” në Shkodër, nën përkujdesjen e profesorit të tij Hasan Lekaj. Në vitin 2024 i publikohet libri me udhëpërshkrime dhe përvoja nga udhëtimet, me titull “Refugjatë dhe turistë” nga Shtëpia Botuese “Libri im”.
Enveri është duke përgatitur një studim me titull “Udhëpërshkrues dhe studiues evropianë mbi krahinën e Plavës dhe Gucisë deri në shekullin XX”, në të cilin ka mbledhur dhe është duke përkthyer dhe studiuar më se 20 autorë nga vende të ndryshme dhe me profesione dhe interesime të ndryshme, që kanë lënë gjurmët e tyre në të shkuarën e këtij vendi.
Një pjesë të madhe të punës, Enveri ua ka kushtuar studimeve profesionale pedagogjike dhe hulumtimit në fushën e edukimit dhe aftësisë së kufizuar. Në vitin 2024 ka botuar librin monografik me titull “Sportet për personat me aftësi të kufizuara në Kosovë” në bashkautorësi me Ahmet Mahmutajn, botim i Komitetit Paraolimpik të Kosovës, kurse në vitin 2025 ka botuar librin me titull “Studime tiflopedagogjike” në edicionin e BMK “Xheladin Deda” në Pejë,
monografinë për shkollën për të verbër në Pejë “25 vjet dritë” (bashkautor).
Veprimtari i denjë dhe i paepur, i shquar dhe frytdhënës, Enver Ulaj është edhe autor i publikimeve: “Udhëzuesi për rolin dhe detyrat e asistentëve për fëmijë me nevoja të veçanta”, “Udhëzues për paraqitjen e personave me aftësi të kufizuara në media”, “Edukimi i fëmijëve të verbër në institucione parashkollore” etj.
Ndërsa nën përkujdesjen e tij janë botuar edhe katër vëllimet e librit me titull “Edukimi i fëmijëve me dëmtime në të parë”, dy përmbledhje me krijime letrare nga personat e verbër, një antologji me krijuesit e verbër, tre libra shkollorë për lëndët profesionale në drejtimin e hotelerisë për shkollat e mesme të Kosovës, dhe rreth 20 libra monografikë apo autorialë të autorëve të ndryshëm, të botuar në vitet 2000-2025.
Në fund të këtij portreti vërtet të begatë dhe shumëdimensional, me admirim theksoj se Enver K. Ulaj, përndryshe miku im familjar, jeton, krijon dhe vepron në Pejë bashkë me bashkëshorten Sindorela, djalin Ormirin, student në Prishtinë, dhe vajzën Orjeta, nxënëse e shkollës së mesme të artit në Pejë.
