
Mali i Zi u përfshi nga trazirat dhe dhuna pas një sherri, ku sipas autoriteteve të rendit, shtetas turq dhe azerbajxhanas plagosën lehtë një banor të Podgoricës. Ky incident u bë shkas për përshkallëzimin e dhunës, protesta dhe sulme fizike kundër shtetasve turq dhe pronës së tyre, si dhe mesazheve kërcënuese dhe thirrjeve “përzini turqit”. Por ky incident ishte, si duket, vetëm pretekst i një fushate të orkestruar antiturke të filluar më herët, me deklaratat e sinkronizuara të politikanëve proserbë në Malin e Zi që lidhen me fryrjen e numrit të turqve në këtë shtet dhe krijimin e narracionit të rrezikimit të interesave shtetërore të Malit të Zi. Sepse raste të tilla krimi si ky, me plagosje dhe lëndime të lehta, ndodhin pothuajse për çdo ditë në Mal të Zi, prandaj çudit fakti se pse një ngjarje e tillë krimi, ku të përfshirë ishin shtetas turq dhe azerbajxhanas mori përmasat dhe vëmendjen shtetërore. Një masë e tërbuar dhe e shfrenuar protestuesish u tubuan duke thirrur parulla me përmbajtje shoviniste dhe gjuhë urrejtjeje ndaj turqve, si “vraje, vraje turkun”, “turqit jashtë” etj.
Në vend që të zbusë situatën, Qeveria e Malit të Zi reagoi në mënyrë aspak diplomatike. Pa bërë një analizë gjithëpërfshirëse të situatës, përmes një procedure të përshpejtuar ajo vendosi për pezullimin e regjimit pa viza për shtetasit turq. Ndërsa forcat e rendit arrestuan një shtetas turk, të cilin më vonë gjykata e liroi pas konstatimit se nuk kishte marrë pjesë në sherrin ku u plagos i riu malazez.
E gjithë kjo që ka ndodhur ditët e fundit në Mal të Zi duhet shikuar në një kontekst më të gjerë gjeopolitik, si një përpjekje për ndalimin e shtrirjes së ndikimit turk në Mal të Zi dhe në këtë pjesë të rajonit. Jo shumë kohë më parë, po në Zabjello, një lagje problematike e Podgoricës, u ndalua shfaqja e filmit shqiptar “Lejleku”, vetëm pse disave nuk u pëlqente që filmi ishte në gjuhën shqipe. Po ashtu, duhet të merret parasysh fakti se Turqia luajti rol kyç në njohjen e Kosovës nga Siria.
Në këtë kuadër duhet përmendur edhe kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Malit të Zi për vërtetim autenticiteti të dokumenteve për shtetasit e Turqisë, Shqipërisë, Kosovës etj., një akt ky i palogjikshëm dhe absurd, që bie ndesh edhe me konventat ndërkombëtare të ratifikuara nga Mali i Zi. Në pamje të parë duket sikur futja e këtyre vendeve në një thes nuk ka asnjë lidhje, por Shqipëria dhe Mali i Zi janë dy vendet e vetme në Ballkanin Perëndimor jashtë sferës së Botës Serbe.
Kjo fushatë ksenofobe antiturke, qëllimi i së cilës është të krijojë (përforcojë) narracionin për gjoja rrezikimin e shtetit të Malit të Zi, një skenar që të përkujton vitet ‘90 të shekullit të kaluar, është në fakt një fushatë kundër vetë shtetit të Malit të Zi, sepse dëmton rëndë imazhin e tij ndërkombëtar, në veçanti marrëdhëniet dypalëshe me Turqinë, si një ndër shtetet më kontributore në fushën ekonomike (të investimeve), turistike, atë humanitare përmes donacioneve të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) etj. Mali i Zi nuk rrezikohet as nga turqit dhe as nga shtetasit e tjerë të huaj, por nga politika hegjemoniste serbe dhe ruse që Malin e Zi e konsiderojnë si pjesë të Botës Serbe dhe bëjnë çdo gjë për ta penguar në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimit Evropian dhe mundësisht ta nxjerrin nga NATO-ja.

Reagim i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi për situatën aktuale dhe kërcënimet ndaj Reisit të Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Rifat ef. Fejziq
Përshkallëzim i situatës në forma të papranueshme
Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve në Malin e Zi po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit pas incidentit të ndodhur ndërmjet disa qytetarëve të Malit të Zi dhe qytetarëve turq që jetojnë e punojnë në vend. Shprehim keqardhje për ngjarjen dhe i urojmë shërim sa më të shpejtë të të lënduarve.
Jemi dëshmitarë të përshkallëzimit të situatës në forma të papranueshme të gjuhës së urrejtjes, thirrjeve raciste dhe kërcënimeve, përfshirë ato të drejtuara ndaj Reisit të Bashkësisë Islame të Malit të Zi, Rifat Fejziq.
KKSH dënon ashpër çdo formë të jotolerancës, dhunës dhe gjuhës së urrejtjes, pavarësisht nga buron ajo. Këto akte dëmtojnë themelet e shtetit multietnik dhe harmoninë ndërfetare që përbën vlerë thelbësore të shoqërisë malazeze.
U bëjmë thirrje institucioneve kompetente të ndërmarrin masat e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit dhe garantimin e rendit, sigurisë dhe të drejtave të çdo qytetari.
KKSH mbetet i përkushtuar ndaj vlerave të bashkëjetesës, respektit dhe tolerancës, si dhe beson se vetëm përmes dialogut dhe sundimit të ligjit mund të ruajmë paqen dhe të ecim drejt integrimit evropian.
