Shkolla fillore “Marko Nuculloviq” në Shtoj ka bërë një hap të madh drejt edukimit mjedisor, duke u shpallur një nga eko-shkollat më të njohura në rajonin jugor të Malit të Zi. Drejtori i shkollës, Dul Asllani rrëfen se rrugëtimi drejt këtij suksesi ka qenë i gjatë dhe kërkues, duke përfshirë përkushtim, bashkëpunim dhe angazhim të vazhdueshëm nga ana e nxënësve, mësuesve dhe komunitetit.
“Ne e filluam këtë iniciativë në vitin 2017, me qëllim t’i bashkoheshim rrjetit të eko-shkollave. Pas dy vitesh pune të palodhshme, në vitin 2019 morëm flamurin e eko-shkollës, si rezultat i angazhimit të përbashkët të të gjithëve”, thotë drejtori Asllani.
Që nga fillimi, shkolla ka synuar të krijojë një ambient që edukon jo vetëm në lëndët shkollore, por edhe në respektin ndaj natyrës.
Një nga projektet kryesore ka qenë gjelbërimi i oborrit dhe krijimi i një bahçeje shkollore me pemë frutore, ku nxënësit kanë mbjellë mollë, dardha, limonë, kumbulla e fiq.
“Nuk është që të gjithë mund të ushqehen nga bahçja, por më e rëndësishmja është se nxënësit mësojnë të kujdesen për pemët dhe të vëzhgojnë zhvillimin e frutave”, shprehet Asllani me humor.
Aktivitetet praktike, si pastrimi i oborrit, mbjellja e fidanëve dhe krijimi i hapësirave të gjelbra kanë bërë që edukimi ekologjik të jetë pjesë e përditshme e jetës së shkollës.
Shkolla ka zhvilluar bashkëpunime të suksesshme me organizata dhe institucione vendore e ndërkombëtare. Një nga partnerët më të rëndësishëm ka qenë Instituti i Gjuhëve të Huaja në Miçigan, që e mbështeti organizimin e një shkolle vere për mësimin e gjuhës angleze. Pas marrjes së flamurit të eko-shkollës, Ministria e Bujqësisë e Malit të Zi dhuroi 120 fidanë ulliri, të cilët tashmë japin frytet e para. Po ashtu, organizata japoneze JICA ka ndihmuar në mbjelljen e pishave dhe gjelbërimin e zonës përreth shkollës, duke përfshirë nxënësit në seminare dhe punëtori praktike.
“Kur një fëmijë mbjell një pemë vetë, ai e ruan atë me dashuri”, thekson drejtori Asllani.
Procesi për marrjen e flamurit të eko-shkollës ka përfshirë shtatë hapa të vlerësuara nga Enti për Arsim, dhe certifikata ripërtërihet çdo dy vjet përmes aktiviteteve të reja ekologjike. Asllani nënvizon se eko-shkolla nuk është vetëm një projekt, por një mënyrë jetese.
“Të mbrosh natyrën do të thotë të mbrosh jetën. Oksigjeni dhe ushqimi janë dy pasuritë më të mëdha që kemi, dhe detyra jonë është t’i ruajmë”, pohon ai.
Drejtori shpreh mirënjohje për mësuesit, nxënësit dhe komunitetin, duke e quajtur flamurin e eko-shkollës një fitore të përbashkët.
“Ky titull nuk i takon vetëm shkollës, por gjithë qytetit. Tregon se edhe në një zonë të vogël mund të arrihen gjëra të mëdha me punë dhe përkushtim”, thekson ai.
Sot, shkolla fillore “Marko Nuculloviq” në Shtoj është një shembull frymëzues për institucionet e tjera arsimore në rajon, duke treguar se edukimi për mjedisin mund të fillojë nga bankat e shkollës dhe të bëhet pjesë e kulturës dhe jetës së përditshme.
D. Teliqi
