Me pasion për natyrën dhe traditën

Veriu ofron turizëm në katër stinë. Vera është periudha me më shumë vizitorë për arsye pushimesh, por vjeshta është koha kur zonat si Lëpusha, Vermoshi, Razma, Reçi dhe Thethi marrin ngjyra të mrekullueshme dhe frekuentohen nga shumë vendas e të huaj. Në dimër, destinacionet më të vizituara janë Boga dhe Razma. Pra, mund të them se turizmi në Veri është aktiv gjatë gjithë vitit

Koha javore: Në Mal të Zi, shumë njerëz e njohin edhe më shumë Shkodrën përmes fotove dhe rrjeteve tuaja sociale, përmes aktiviteteve që realizoni dhe nismave që ndërmerrni për natyrën dhe komunitetin. Si ndiheni që keni marrë këto hapa?
M. Basha:
Për mua çdo gjë ka ardhur natyrshëm, nga dëshira për t’i shërbyer vendit tim, për ta promovuar dhe mbrojtur me aq sa mundem. Çdo veprim është një shprehje dashurie për Shkodrën dhe një dëshirë e madhe për të treguar vlerat e saj. Kur shoh që përmes rrjeteve tona sociale arrijmë të tërheqim interes dhe turizëm nga Mali i Zi e më gjerë, kjo më jep forcë dhe motivim të vazhdoj në këtë rrugë me edhe më shumë pasion.

Koha javore: Si e vlerësoni zhvillimin aktual të turizmit në Shqipërinë e Veriut?
M. Basha:
Zhvillimi turistik i Veriut ka disa vite që është në rritje. Kjo shihet qartë nga kërkesat e turistëve për akomodim në hotele, bujtina dhe hostele. Veriu është kthyer në portën kryesore të mikpritjes shqiptare, shpesh turistët e huaj thonë: “Do të vizitojmë Shqipërinë, sepse duam të shkojmë në Veri”.

Koha javore: Cilat janë periudhat me fluksin më të madh të vizitorëve?
M. Basha:
Veriu ofron turizëm në katër stinë. Vera është periudha me më shumë vizitorë për arsye pushimesh, por vjeshta është koha kur zonat si Lëpusha, Vermoshi, Razma, Reçi dhe Thethi marrin ngjyra të mrekullueshme dhe frekuentohen nga shumë vendas e të huaj. Në dimër, destinacionet më të vizituara janë Boga dhe Razma. Pra, mund të them se turizmi në Veri është aktiv gjatë gjithë vitit.

Koha javore: Në çfarë mase ndikon infrastruktura në zhvillimin e turizmit?
M. Basha:
Infrastruktura ka ndikim shumë të madh. Edhe pse turistët e huaj shpesh thonë se nuk duan rrugë të shtruara, sepse duan të përjetojnë autenticitetin, për një zhvillim të qëndrueshëm rrugët e mira janë thelbësore. Shembulli i Thethit dhe Kelmendit, me ndërtimin e rrugës deri në Vermosh, tregoi sa shumë vlerë fiton një zonë kur përmirësohet infrastruktura.

Koha javore: Cilat atraksione natyrore dhe kulturore përfaqësojnë më mirë turizmin verior?
M. Basha:
Veriu përfaqëson më së miri bukurinë natyrore, kulinarinë dhe trashëgiminë kulturore. Ushqimi tradicional, muzetë, historia, veshjet popullore dhe veçanërisht xhubleta janë thesare që na bëjnë të ndihemi krenarë. Ruajtja e këtyre vlerave është edhe një nga arsyet që turistët e huaj e duan këtë rajon.

Koha javore: A mendoni se turizmi malor dhe ekoturizmi janë zhvilluar plotësisht?
M. Basha:
Këto janë pikat më të forta të turizmit shqiptar. Ekoturizmi, agroturizmi dhe turizmi malor e kanë bërë vendin tonë të dashur për të huajt. Nëse shteti fokusohet më shumë në mbrojtjen dhe zhvillimin e këtyre formave të turizmit, Shqipëria do të ketë gjithmonë rritje dhe kurrë rënie të numrit të vizitorëve. Ne në Veri kemi dhe një histori të madhe suksesi, siç është Mrizi i Zanave, i cili ka qenë dhe një prezantim i denjë i këtyre vlerave që kemi.

Koha javore: Si ndërthuren traditat lokale me kërkesat bashkëkohore të industrisë turistike?
M. Basha:
Do të ishte mirë që këto dy gjëra të mos përzihen shumë. Çdo rajon ka identitetin e vet turistik dhe Veriu duhet të ruajë origjinalitetin, pa u ndikuar nga trendet botërore. Turistët vijnë te ne pikërisht sepse kërkojnë autenticitet dhe natyrë të paprekur.

Koha javore: Cilat janë ngjarjet apo festivalet që nxisin më shumë vizitorë në Veri?
M. Basha:
Pas pandemisë janë krijuar shumë festa që kanë gjallëruar turizmin. Këtu vlen të përmendet “Unum Fest” në Shëngjin, por dhe festat e dhjetëvjeçarit të fundit, si “Swing Marathon” në Shkodër, Karrnevalet Shkodër, “ZaFest” në Shkodër, muaji festiv i dhjetorit pranë Bashkisë Shkodër, “Logu i Bjeshkëve” në Lëpushë, e shumë të tjera që janë në kalendaret vjetore të bashkive e bëjnë veriun një destinacion aktiv gjatë gjithë vitit.

Koha javore: Cilat janë sfidat kryesore për operatorët turistikë në Veri?
M. Basha:
Infrastruktura, mungesa e informacionit dhe aspektet e sigurisë janë sfidat më të mëdha. Shpesh operatorët turistikë duhet të bëjnë punë institucionale për të garantuar kushte më të mira dhe më shumë siguri për turistët.

Koha javore: Si ndikon mungesa e promovimit ndërkombëtar?
M. Basha:
Vitet e fundit kemi parë një përmirësim të madh në këtë drejtim. Promovimi ndërkombëtar ka ndihmuar shumë, por më e rëndësishmja është që Shqipëria të perceptohet jo vetëm si një vend i bukur, por edhe i sigurt. Kjo e bën promovimin më të qëndrueshëm dhe më efektiv.

Koha javore: Çfarë mbështetje ofrojnë institucionet publike?
M. Basha:
Në fillim ishin hostelet që e promovuan veriun, duke krijuar një frymë mikpritjeje që përfaqësoi më së miri kulturën tonë. Më pas, institucionet publike kanë kontribuar përmes panaireve, publikimeve dhe videove promovuese. Investimet në infrastrukturë dhe muze të rinj kanë ndihmuar shumë në ngritjen e imazhit turistik të rajonit.

Koha javore: Si mund të forcohet bashkëpunimi mes bizneseve lokale dhe agjencive turistike?
M. Basha:
Këto dy palë duhet të ecin paralelisht. Pa turizëm, bizneset nuk zhvillohen, dhe pa biznese të forta, agjencitë nuk mund të ofrojnë shërbime cilësore. Bashkëpunimi është thelbësor për një ekonomi turistike të qëndrueshme.

Koha javore: A zhvillohet turizmi në mënyrë të qëndrueshme në aspektin ekonomik, social dhe mjedisor?
M. Basha:
Ky është një aspekt delikat. Me rritjen e numrit të turistëve vijnë edhe sfida si ndotja, ndërtimet e pakontrolluara apo mungesa e banesave për familjet vendase, sepse shumë shtëpi po shndërrohen në AirB&B. Duhet kujdes dhe profesionalizëm që zhvillimi të mos ndikojë negativisht në jetën sociale dhe mjedisin.

Koha javore: Si e shihni të ardhmen e turizmit shqiptar krahasuar me Malin e Zi dhe Kosovën?
M. Basha:
Rajoni ynë duhet të zhvillohet si një trup i vetëm. Shkodra është porta lidhëse e këtij rajoni dhe duhet të jetë në harmoni me ofertat turistike të fqinjëve. Ne duhet të bashkëpunojmë, jo të konkurrojmë. Vetëm kështu mund të tërheqim më shumë turistë dhe të krijojmë paketa rajonale të përbashkëta.

Koha javore: Çfarë planesh apo ide të reja keni për promovimin e Veriut?
M. Basha:
Fotot, videot dhe ngjarjet që organizojmë janë baza e promovimit tonë, por synojmë të shtojmë projektet për eco-rojet turistike dhe trashëgiminë kulturore, për të treguar edhe më shumë nga bukuria dhe autenticiteti i këtij vendi.

Koha javore: Çfarë mesazhi do t’i jepni një turisti që viziton për herë të parë Shqipërinë?
M. Basha:
Ne u themi gjithmonë turistëve: “Këtu jeni si në shtëpinë tuaj”. Ata e ndiejnë menjëherë ngrohtësinë dhe mikpritjen që e karakterizon veriun. Nuk mjafton të kemi një natyrë të bukur, duhet edhe zemër e mirë, sepse ajo është ajo që e bën turistin të rikthehet. Bizneset duhet ta shohin turistin jo si dikë që vjen për të shpenzuar, por si mik që duhet pritur me respekt e dashuri.

Bisedoi: Donika Lulgjuraj

Të fundit

më të lexuarat