Tre vite në edukimin e më të vegjëlve

“Përmes aktiviteteve të ndryshme, fëmijët kanë mësuar për instrumentet tona tradicionale, për vallet, këngët dhe kostumet tona popullore, duke u njohur më thellë me trashëgiminë kulturore të vendit tonë. Kështu, përveç edukimit, kemi forcuar edhe ndjenjën e identitetit, përkatësisë dhe dashurisë për traditën tonë të bukur”, theksoi David Junçaj

Institucioni Publik Parashkollor “Nënë Tereza” në Tuz shënoi të premten, më 17 tetor 2025, Ditën e institucionit, përkatësisht trevjetorin e mëvetësimit të tij.
Drejtori i këtij institucioni edukativo-arsimor, David Junçaj, shpalosi punën dhe sfidat përgjatë një viti, sukseset që ata kanë arritur dhe projektet që kanë realizuar.
“Ky vit ka qenë i veçantë dhe i mbushur me zhvillime të reja, që dëshmojnë përkushtimin dhe punën e përbashkët të gjithë stafit arsimor. Numri i fëmijëve është rritur ndjeshëm, një dëshmi e qartë e besimit dhe vlerësimit që prindërit dhe komuniteti tregojnë ndaj institucionit tonë çdo ditë. Ky besim është forca jonë lëvizëse, që na shtyn të ecim përpara me përkushtim edhe më të madh, për të ofruar kujdes dhe edukim sa më cilësor për çdo fëmijë”, u shpreh ai.
Këtë vit, fëmijët kanë qenë të përfshirë në disa projekte që, sipas Junçajt, e kanë pasuruar ndjeshëm përvojën dhe zhvillimin e tyre.
“Gjatë vitit, fëmijët kanë marrë pjesë në vizita të shumta jashtë institucionit, duke përjetuar nga afër gjithçka që kanë mësuar në teori: si të ruajnë natyrën, të mbrojnë mjedisin dhe të kujdesen për planetin tonë. Brenda këtij projekti janë zhvilluar edhe nën-projekte të veçanta, si ato për riciklimin e materialeve, mbjelljen e bimëve dhe mësimin praktik për ruajtjen e pastërtisë dhe gjelbërimit përreth nesh”, thotë ai.
Drejtori i këtij institucioni, si pjesë të zhvillimit të qëndrueshëm të kësaj çerdheje, veçoi mësimin mbi trashëgiminë kulturore.
“Përmes aktiviteteve të ndryshme, fëmijët kanë mësuar për instrumentet tona tradicionale, për vallet, këngët dhe kostumet tona popullore, duke u njohur më thellë me trashëgiminë kulturore të vendit tonë. Kështu, përveç edukimit, kemi forcuar edhe ndjenjën e identitetit, përkatësisë dhe dashurisë për traditën tonë të bukur”, theksoi Junçaj.
Nga ana tjetër, siç shprehet ai, prindërit, përmes punëtorive dhe takimeve të përbashkëta, kanë pasur mundësi të mësojnë mbi mënyrat më të mira për kujdesin dhe zhvillimin e shëndetshëm të fëmijëve të tyre, duke krijuar një urë të fortë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi.
“Ky bashkëpunim i ngushtë ka sjellë rezultate të vlefshme, duke ndihmuar që fëmijët të ndihen të mbështetur dhe të rritur me dashuri e kujdes”, shprehet ai.
Një sukses tjetër që Junçaj e veçoi është edhe botimi i numrit të ri të revistës “Dielli”, e cila, siç tha, tashmë është shndërruar në një traditë të bukur dhe një pasqyrë të sinqertë të punës së përbashkët gjatë gjithë vitit.
“Në çdo faqe të saj ndriçon përkushtimi, dashuria dhe kreativiteti i fëmijëve tanë dhe dritat më të bukura që ngrohin dhe zbukurojnë çdo ditë institucionin tonë. Një hap tjetër i rëndësishëm që kemi ndërmarrë është zgjerimi i kuzhinës së institucionit, që do të mundësojë përgatitjen e të gjitha vakteve ditore brenda institucionit”, u shpreh Junçaj.
Ai gjithashtu falënderoi stafin e këtij institucioni, të cilët, siç tha, me përkushtim dhe buzëqeshje japin çdo ditë më të mirën për fëmijët.
Në përmbyllje të fjalës së tij, drejtori i institucionit, David Junçaj, shprehu falënderim ndaj Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Entit për Shkollim, Komunës së Tuzit dhe të gjithë prindërve për, siç tha ai, një bashkëpunim të shkëlqyer dhe për besimin e vazhdueshëm gjatë këtyre tre viteve si institucion i pavarur.
“Le të vazhdojmë së bashku, me dashuri, përkushtim dhe vizion të qartë, në rrugën tonë të bukur të edukimit. Sepse çdo hap që bëjmë sot për fëmijët tanë është një hap drejt së ardhmes së ndritur të shoqërisë sonë”, u shpreh Junçaj.
Kujtojmë se Institucioni Publik Parashkollor në Tuz, nga viti 2019 kur u hap, e deri në vitin 2022, kur u mëvetësua dhe mori emrin IPP “Nënë Tereza”, funksionoi si Njësi Edukative “Gëzimi Fëmijëror” në kuadër të IPP “Gjina Vrbica” nga Podgorica.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat