Kopshti që edukon me dashuri, dije dhe vlera

“Suksesi i këtij institucioni qëndron në bashkëpunimin e ngushtë mes stafit, prindërve dhe fëmijëve, në dashurinë për fëmijët dhe në përkushtimin e përditshëm për edukimin dhe zhvillimin e tyre të gjithanshëm”, nënvizon drejtoresha Suela Dibra – Kaca

Në kopshtin “Xixëllonjat”, i cili funksionon në kuadër të Bashkësisë Islame në Ulqin, ka nisur një tjetër vit i mbushur me emocione, entuziazëm dhe përkushtim ndaj fëmijëve.
Drejtoresha e këtij institucioni, Suela Dibra – Kaca shprehet se fillimi i çdo viti sjell ndjenja të përziera, por edhe shumë gëzim e shpresë.
“Ky vit në kopshtin ‘Xixëllonjat’ ka filluar plot emocione – si çdo fillim viti, me ndjenja të përziera. Emocione kanë fëmijët, kanë edhe prindërit: lot gëzimi, pak ankth, por edhe shumë gëzim. Megjithatë, tashmë e kemi mbyllur muajin e parë, pra shtatorin, dhe si fëmijët e rinj, ashtu edhe ata që kanë qenë edhe vitet e kaluara, janë përshtatur në grupet e tyre. Ata janë njohur me mësueset, pasi çdo vit ndodh rotacion – fëmijët kalojnë nga një grup më i vogël në një grup për fëmijët më të rritur, dhe kështu njihen me edukatoren e re, si edhe me fëmijët e rinj që i bashkohen grupit. Mund të them se zyrtarisht e kemi mbyllur periudhën e adaptimit. Fëmijët janë tashmë të qetë, të përshtatur, kanë bërë zbukurimet e klasave, janë njohur mirë me njëri-tjetrin dhe po vazhdojnë gradualisht procesin e mësimit”, thotë ajo.
Drejtoresha thekson se interesimi për regjistrim në këtë institucion parashkollor është shumë i lartë edhe këtë vit.
“Edhe këtë vit, ashtu si në vitet e kaluara, kemi regjistruar mbi 170 fëmijë. Fatkeqësisht, kemi lënë shumë fëmijë pa regjistruar, por ky është kapaciteti maksimal i objektit aktual. Shpresojmë që në një të ardhme të afërt të kemi një objekt të ri, në mënyrë që të plotësojmë më shumë nevojat dhe kërkesat e prindërve”, thotë Dibra – Kaca.
Kopshti “Xixëllonjat” numëron një staf të gjerë e të përkushtuar, që punon çdo ditë me dashuri dhe profesionalizëm për të ofruar një përvojë të pasur dhe gjithëpërfshirëse edukative.
“Jemi një staf me mbi 20 persona, duke përfshirë edukatore, staf ndihmës dhe asistente. Aktualisht kemi tetë grupe fëmijësh, të organizuar sipas grupmoshave, deri në moshën 6-vjeçare. Përveç këtyre, kemi edhe bashkëpunëtorë të jashtëm që na bashkohen në aktivitete të ndryshme. Një risi që nga viti i kaluar është se kemi edhe një mësimdhënëse të lëndës së mësim-besimit islam, e cila i është bashkuar stafit tonë. Por dua të theksoj se në kopshtin tonë nuk zhvillohet vetëm mësim fetar – përkundrazi, ofrohet një edukim i plotë parashkollor me aktivitete të shumta zhvillimore, kreative dhe kulturore, në përputhje me programet kombëtare të edukimit parashkollor”, tregon drejtoresha Suela Dibra – Kaca.
Një rëndësi të veçantë, sipas saj, i kushtohet planifikimit dhe përgatitjes së aktiviteteve që zhvillohen gjatë gjithë vitit.
“Ne bëjmë planifikimin vjetor, mujor dhe javor, dhe edhe këtë vit plani vjetor është mjaft i pasur me aktivitete të ndryshme. Ai përfshin aktivitetet e zakonshme, temat dhe projektet mujore, si dhe shënimin e datave të rëndësishme – qofshin ato me karakter kulturor, fetar, social apo të tjera. Gjatë muajit tetor do të shënojmë ditën e të moshuarve, pastaj ditën e ushqimit e plot aktivitete të tjera”, rrëfen drejtoresha e kopshtit “Xixëllonjat”.
Në fund, drejtoresha Dibra – Kaca nënvizon se suksesi i këtij institucioni qëndron në bashkëpunimin e ngushtë mes stafit, prindërve dhe fëmijëve, në dashurinë për fëmijët dhe në përkushtimin e përditshëm për edukimin dhe zhvillimin e tyre të gjithanshëm.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat