Gjenerata e parë e maturantëve të Gjimnazit “25 Maji” në Tuz, pas kremtimit në muajin maj të 50-vjetorit të maturës, ishin marrë vesh që të ndërmerrnin nismën për ndryshimin e emrit të këtij institucioni edukativo-arsimor nga “25 Maji” në “Besëlidhja e Malësisë”.
Njëri ndër nismëtarët, Gjon Camaj, në një prononcim për gazetën “Koha javore”, shprehet se duke qenë se arsimimi është bartësi kryesor i zhvillimit të vendit, institucionet arsimore do të duhej të mbajnë emra meritorë të këtyre trojeve heroike të Malësisë.
“Sepse mjaft mbajtën emra ideologjikë nga e kaluara moniste dhe postmoniste! Lidhur me këtë, ne si gjeneratë e parë e këtij institucioni, vendosëm ta inicionim ndërrimin e emrit të tij dhe diskutuam shumë herë për këtë çështje duke përmendur shumë emra dhe data historike. Duke marrë parasysh rrethanat e jetës dhe mentaliteteve në Malësi, për të mos shkaktuar polemika lokale, fisnore, fetare apo politike, u dakordësuam dhe unanimisht e mbështetëm dhe e nënshkruam propozimin që kësaj shkolle t’i jepet emri ‘Besëlidhja e Malësisë’”, shprehet Camaj.
Ai thekson më tej se në këtë besëlidhje janë të përfshirë burrat dhe intelektualët përparimtarë të Malësisë, duke treguar se ata e iniciuan, e organizuan dhe e themeluan këtë akt përparimtar, duke lënë mbrapa plagën më të rëndë të vëllavrasjes.
“Ne kemi diskutuar me shumë respekt për emra heronjsh nga e kaluara e lavdishme, por duke parë mungesën e dëshirës së institucionit kompetent për ndërrimin e emrave të shkollave shqipe në Malësi me emra heronjsh nga vendi dhe për të mos shkaktuar përçarje në Malësi, ne u përcaktuam për këtë emër”, thotë Camaj.
Ai thekson se emri i propozuar përfshin vlerat e shtrenjta njerëzore të malësorëve, si: trimërinë, bujarinë, urtësinë dhe besnikërinë.
“Ne kërkesën tonë të nënshkruar ia kemi dorëzuar drejtorit të kësaj shkolle, z. Lulanaj, për veprime të mëtejshme, i cili pas disa ditëve na njoftoi se Këshilli Drejtues i shkollës e ka miratuar propozimin tonë, porse ende nuk e ka përcjellë në Ministrinë e Arsimit, që është kompetente për ndërrimin e emrave të shkollave”, thotë Camaj.
Ai shprehu bindjen se kërkesa do të merret në shqyrtim dhe do të realizohet sa më parë, edhe pse, siç kujton ai, edhe në të kaluarën ka munguar vullneti i institucioneve kompetente për ndërrimin e emrave të shkollave në Malësi me emra heronjsh.
“Unë si drejtor i shkollës në Skorraq, bashkë me Këshillin Drejtues të kësaj shkolle, gjatë dy dekadave, i kemi bërë gjashtë kërkesa me shkrim dhe i kam dorëzuar në Ministrinë e Arsimit që shkollës në Skorraq t’i jepet emri i Dedë Gjon Lulit, por përgjigje nuk kemi marrë asnjëherë”, theksoi Camaj.
Sa i përket kësaj nisme, ai shtoi se gjenerata e parë e Gjimnazit “25 Maji” shpreson që drejtori Lulanaj do ta procedojë kërkesën në Ministrinë e Arsimit.
Ndërkohë, drejtori i Gjimnazit “25 Maji” në Tuz, Sehad Lulanaj, i tha gazetës “Koha javore” se shkolla që ai drejton e vlerëson këtë propozim, duke e konsideruar atë si shprehje të kujdesit qytetar, respektit për traditën dhe lidhjen shpirtërore me shkollën.
“Propozimi i emërtimit të ri bart një domethënie të veçantë historike e kulturore, duke e pozicionuar shkollën si një pjesë të gjallë të kujtesës sonë të përbashkët”, shprehet Lulanaj.
Ai shton se procesi ka marrë tashmë miratimin e Këshillit të Shkollës.
Megjithatë, shtoi ai, Drejtoria përkatëse nuk e ka paraqitur ende propozimin pranë Ministrisë së Arsimit, e cila mbetet institucioni përgjegjës për dhënien e pëlqimit përfundimtar.
Sipas tij, vonesa lidhet me këto dy çështje: “Së pari, përkthimi i emërtimit në gjuhën malazeze, ku humbet konotacioni i plotë historik dhe kulturor i termit ‘Besëlidhja’ dhe së dyti, përcaktimi i një date të ngjarjes përkatëse, që do të ishte e mundur të manifestohej në mënyrë të rregullt gjatë vitit shkollor. Kështu që çështja ka mbetur në këtë pikë”.
Lulanaj shprehet se, në momentin që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit do të japë lejen për ndryshimin e emërtimit, institucioni që ai drejton do ta shqyrtojë me më shumë hollësi propozimin përfundimtar.
t. u.
