Personalitet i denjë me virtyte të larta krijuese

Me gazetari ka filluar të merret qysh në vitin 1968, si bashkëpunëtor i gazetës “Rilindja” dhe i Radio Prishtinës nga Dragashi, kurse bashkëpunimin me “Rilindjen” e ka vazhduar edhe si student nga Beogradi. Gjatë viteve 1982-1985 ka punuar në redaksinë shqipe të Radio Jugosllavisë. Nga prilli i vitit 1985 ka qenë korrespondent i rregullt nga Beogradi i gazetës “Rilindja”, por edhe bashkëpunëtor i shumë gazetave e revistave të tjera shqipe në Kosovë, si i javores “Zëri i Rinisë”, gazetave “Zëri”, “Lajm”, “Koha Ditore”. Ka bashkëpunuar me gazetat “Borba”, “Nasha Borba” e “Danas” të Beogradit, “Vjesnik” të Zagrebit dhe agjencinë e lajmeve “Beta”

Shaban Hasangjekaj

Opoja, trevë kodrinoro-malore e shtrirë rrëzë e përballë bjeshkëve të larta të Sharrit, e përbërë nga 18 fshatra të banuara tërësisht me popullatë shqiptare, është njëra ndër dy viset (Opojë dhe Gorë) e Komunës së Dragashit të Kosovës, e njohur dhe e përmendur me prodhues produktivë bujqësorë e blegtorë me grigje e tufa bagëtish cilësore, të shoqëruara nga qentë e mirënjohur të Sharrit.
Mirëpo, ajo që më së shumti kohët e fundit e karakterizon Opojën është e dhëna se vendbanimet e saj rurale janë vende burimi nga të cilat kanë dalë numër vërtet i madh personalitetesh të shquara e intelektualësh në zë, por edhe zanatlinjsh e zejtarësh të profileve të ndryshme profesionale e mjeshtërore, të cilët punët e tyre i kryejnë dhe ushtrojnë në Dragash, Prizren, Prishtinë, në vise të ndryshme të Kosovës dhe më gjerë.
Njëri ndër ta është edhe gazetari, publicisti dhe përkthyesi Fahri Musliu, miku, shoku dhe kolegu im i nderuar e respektuar, me të cilin para afro 60 vitesh i filluam hapat e parë në gazetari, mu nga Opoja dhe Komuna e Dragashit, si korrespodent dhe bashkëpunëtorë të gazetës së atëhershme të përditshme “Rilindja” dhe Radio Prishtina. Me kënaqësi dhe nderim bëj me dije se më 1 gusht nga Fahriu mora gjashtë kopje të librave (pesë të tij dhe një të kolegut të tij) që m’i kishte dërguar për shokun dhe mikun e vet Dr. Hasan Hoti nga Hasi i Prizrenit, të botuara gjatë dy viteve të fundit. Dhuruesin e falënderoj dhe i jam mirënjohës.
Fahri Musliu ka lindur më 20 korrik 1948, në fshatin Zapllugje të Opojës së Komunës së Dragashit, nga babai Enveri, klerik mysliman me titull hafëz, dhe nëna Qamile, shtëpiake. Shkollën fillore katërklasëshe (I-IV) e ka kryer në fshatin e lindjes – Zapllugje, kurse ciklin e lartë të tetëvjeçares (V-VIII) në shkollën e atëhershme fillore “29 Nëntori” në Bresanë (Brodosan) në vitin 1963. Pas mbarimit të gjimnazit në Prizren në vitin 1967, ka filluar të punojë si mësues në fshatin e lindjes dhe në shkollën fillore “29 Nëntori” të Brodosanit (tani Bresanës). Pas kthimit nga shërbimi ushtarak, në vitin 1972 i ka regjistruar studimet e gazetarisë në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, ku vazhdoi të punojë dhe jetojë deri në pensionim në vitin 2013.
Me gazetari ka filluar të merret qysh në vitin 1968, si bashkëpunëtor i gazetës “Rilindja” dhe i Radio Prishtinës nga Dragashi, kurse bashkëpunimin me “Rilindjen” e ka vazhduar edhe si student nga Beogradi. Gjatë viteve 1982-1985 ka punuar në redaksinë shqipe të Radio Jugosllavisë. Nga prilli i vitit 1985 ka qenë korrespondent i rregullt nga Beogradi i gazetës “Rilindja”, por edhe bashkëpunëtor i shumë gazetave e revistave të tjera shqipe në Kosovë, si i javores “Zëri i Rinisë”, gazetave “Zëri”, “Lajm”, “Koha Ditore”. Ka bashkëpunuar me gazetat “Borba”, “Nasha Borba” e “Danas” të Beogradit, “Vjesnik” të Zagrebit dhe agjencinë e lajmeve “Beta”. Prej muajit maj të vitit 1993 deri në qershor të vitit 2005 është angazhuar si korrespondent i seksionit shqip të Zërit të Amerikës nga Beogradi, kurse në qershor të vitit 2005 ka kaluar në Radio Televizionin e Kosovës (RTK) si korrespondent i rregullt nga Beogradi, ku ka vijuar aktivitetin profesional deri në pensionim më 2013. Gjatë kësaj kohe, nga viti 1996-1998 ka qenë drejtor dhe kryeredaktor i revistës periodike “Evropa” të Beogradit në serbokroatisht dhe anglisht. Në mes viteve 2008-2012 ka bashkëpunuar edhe me redaksinë shqipe të Radios BBC dhe portalin e TV AL Jazeera Balkans.
Përpos me gazetari, Fahri Musliu merret edhe me publicistikë e përkthime dhe ka qenë aktivist shumëvjeçar i shoqërisë civile në Beograd.
Gjatë veprimtarisë së tij shumëdekadëshe ka botuar shumë libra zhanresh e opusesh të ndryshme publicistike:
“Tunelet e tmerrit” (bashkautor me Ibrahim Osmanin), Prishtinë, 1992;
“Gjykimet e pengjeve” – Prizren, 2002, dhe në serbisht “Montirani procesi protiv kosovskih Albanaca”, Beograd, 2007;
“Zyber Kadriu – Baca, atdhetar i paepur i Opojës”, Prizren, 2006;
“Ditari i një shqiptari në Beograd (janar-qershor 1999)”, Prizren, 2006, dhe në serbisht “Dnevnik Albanca u Beogradu”, 2007;
“Shthurja e nyjës së Kosovës – shikimi nga dy anë” (bashkautor me Dragan Bajnac) (shqip, serbisht, anglisht), Beograd, 2006;
“Masakra e Suharekës” (në shqip në Prizren dhe në serbisht në Beograd), 2010;
“Bekim Fehmiu – Odiseu i Kosovës”, Prizren, 2015, dhe botimi i dytë i plotësuar, më 2021;
“Ditari i gazetarit shqiptar në Beograd” (botim i dytë i plotësuar i “Ditari i një shqiptari në Beograd”), Prizren, 2023, dhe në serbisht “Dnevnik albanskog novinara u Beogradu” (botim i dytë i plotësuar), Beograd, 2024;
“Proceset e kurdisura kundër shqiptarëve të Kosovës” (botim i dytë i plotësuar i librit “Gjykimet e pengjeve”), Prizren, 2023;
“Më quajnë Bekim Fehmiu” (libërth), biografi e shkurtër me ilustrime e aktorit Bekim Fehmiu, Albas, Tiranë, 2023;
“Kosova – nyje e (pa)zgjidhur” 1, 2, Prizren, 2023;
“Në mes frikës dhe shpresës – Ditar në kohën e P(l)andemisë Covid-19 (mars 2020 – shtator 2022)”, Prizren, 2024;
“Kosova në klimaks politik – Analiza e komente të publikuara në Shtëpinë Mediatike ‘Al Jazeera Balkans’ 2015-2019”, Prizren, 2015.
Fahri Musliu aktivitetin e vet të punës së frytshme dhe të suksesshme e ka dëshmuar edhe si përkthyes
“Dialogu shqiptaro-serb I” (shqip-serbisht), Beograd, 1997;
“Dialogu shqiptaro-serb II” (shqip-serbisht), Beograd, 1998.

Të fundit

më të lexuarat