Festë e shijes, traditës dhe kulturës

Interesimi i madh i qytetarëve dhe turistëve tregon se “Nata e Bamjes” ka potencial të madh për t’u rritur edhe më tej në vitet që vijnë, duke u bërë pjesë e pandashme e ofertës kulturore dhe turistike të Ulqinit. Është një shembull i shkëlqyer se si një produkt lokal mund të shndërrohet në një festë që i bashkon njerëzit dhe promovon turizmin

Të premten mbrëma, më 22 gusht 2025, në ambientin e veçantë të Kalasë së Ulqinit, për të tetin vit radhazi u mbajt “Nata e Bamjes”, një manifestim tashmë i njohur që mbledh së bashku vendas, vizitorë dhe dashamirës të kuzhinës tradicionale për të festuar një nga perimet më karakteristike të këtij rajoni – bamjen.
Organizuar nga OJQ për Kultivimin dhe Promovimin e Bamjes, në bashkëpunim me Komunën e Ulqinit dhe Organizatën Turistike të Ulqinit, ky aktivitet shënoi një natë të pasur me shije, aromë dhe ngjyra lokale, duke u kthyer në një nga ngjarjet më të veçanta të sezonit veror në qytetin bregdetar.
Këtë vit, manifestimi u mbajt në tri pika kryesore të Kalasë së Ulqinit – Pallatin Venezia, Pazarin e Qytetit (pranë Muzeut) dhe sheshin pranë Hotelit “Kulla e Ballshajve”, duke ofruar një shëtitje kulturore dhe gastronomike nëpër zemrën historike të qytetit.
Në secilën prej këtyre pikave, vizitorët patën mundësinë të shijojnë bamjen e përgatitur sipas recetave tradicionale ulqinake, por edhe në forma të reja dhe kreative që pasqyrojnë përzierjen e së vjetrës me të renë. Përveç bamjes, në ofertë ishin edhe shumë gatime të tjera tradicionale, si dhe ëmbëlsira që i dhanë ngjyrë dhe shije mbrëmjes.
Në sheshin Pazari i Qytetit (te Muzeu) këndoi sopranoja Gjylije Pelingu – Hoxha nën përcjelljen në piano të Fatime Buzukut, në sheshin përpara hotelit “Kulla e Ballshajve”, përveç sofrës tradicionale dhe bamjes së pashmangshme, këndoi Junuz Muharremi nën përcjelljen e Islam Axhemoviqit, kurse në mjediset e Pallatit Venezia, publikun e argëtuan grupi Gitar Duo (Darko Nikçeviq – Srgjan Bullatoviq), Lanterna, Reina Resulbegoviq (violinë), Kastriot Xhon Marku dhe Vlladimir Nikoliq.
Dhjetëra kuzhinierë, ku përveç mjeshtërve të kuzhinës nga Ulqini, ishin mysafirë edhe nga Tivari, Kotorri, Beogradi, Bosnja dhe Hercegovina, Ukraina dhe Bangladeshi, të cilët u vlerësuan me çmime nga një juri profesionale për recetat e tyre kreative dhe shijen autentike të bamjes.
Mersiha Resulbegoviq – Mavriq, në emër të organizatorit të manifestimit, u shpreh se atmosfera këtë vit ishte veçanërisht e bukur, duke nisur nga vetë ndryshimi në organizim.
“Që nga hyrja e Kalasë e deri te porta dalëse, ndjehet prezenca dhe shpirti i këtij manifestimi. Është një kënaqësi të shohim kaq shumë vizitorë dhe pjesëmarrës që e përjetojnë këtë natë me kaq entuziazëm”, u shpreh ajo.
Në hapje të manifestimit, të pranishmit i përshëndeti kryetari i Komunës së Ulqinit, Genci Nimanbegu, i cili vlerësoi rëndësinë kulturore dhe tradicionale të “Natës së Bamjes”.
Ai theksoi se ngjarje të tilla jo vetëm që ruajnë dhe promovojnë trashëgiminë tonë kulinare, por edhe kontribuojnë në zhvillimin e turizmit dhe forcimin e identitetit lokal.
“Ulqini është krenar që mirëpret një manifestim i cili bashkon njerëz, shije dhe histori. ‘Nata e Bamjes’ është më shumë se një festë – është dëshmi e shpirtit të komunitetit tonë”, u shpreh ai në fjalën e tij.
Disa nga vizitorët që kishin ardhur për të shijuar atmosferën e “Natës së Bamjes” ndanë përshtypjet e tyre. Shumica e tyre theksuan se ishin të impresionuar jo vetëm nga larmia e gatimeve me bamje, por edhe nga organizimi, ambienti dhe muzika tradicionale që e shoqëronte mbrëmjen.
“Është hera e parë që vij dhe jam e mahnitur nga gjithçka – gatimet janë të mrekullueshme, njerëzit shumë mikpritës dhe atmosfera fantastike”, u shpreh një vizitore nga Kosova.
Një tjetër vizitor nga diaspora tha se e kishte planifikuar pushimin në Ulqin pikërisht për të qenë pjesë e këtij manifestimi.
“Kjo natë është një kujtim i gjallë i traditës sonë – është bukur të shohësh që nuk harrohet”, tha ai, ndër të tjera.
Edhe kuzhinierët pjesëmarrës shprehën kënaqësi për pjesëmarrjen në këtë manifestim, duke theksuar rëndësinë e promovimit të kuzhinës tradicionale.
“Bamja është një nga ato gatime që të lidhë me fëmijërinë, me tryezën e familjes. Sot jemi këtu për ta paraqitur atë në forma të ndryshme, por gjithmonë me respekt për shijen e vërtetë”, u shpreh një nga kuzhinierët pjesëmarrës, ndërsa një tjetër shtoi: “Është një kënaqësi e veçantë të konkurrosh në një ambient si Kalaja e Ulqinit, para një audience që vlerëson traditën dhe pasionin për gatimin”.
Nata e Bamjes nuk ishte vetëm një festë e ushqimit, por një homazh për trashëgiminë kulturore të Ulqinit. Fëmijë të veshur me veshje popullore luajtën dhe interpretuan valle dhe këngë të trashëguara brez pas brezi, duke krijuar një atmosferë që emocionoi çdo të pranishëm. Muzika që u përhap në rrugicat e Kalasë u kujdes t’i përfshijë të gjitha brezat – nga tingujt tradicionalë e deri te muzika bashkëkohore, duke krijuar një ambient festiv për të gjithë.
Bamja, përveçse një produkt bujqësor, në Ulqin përfaqëson një pjesë të identitetit kulturor dhe kulinar të zonës. Organizatorët nënvizojnë se përmes këtij manifestimi synojnë të promovojnë jo vetëm konsumimin dhe kultivimin e bamjes, por edhe të risjellin në vëmendje rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë së gjallë të qytetit.
“Nata e Bamjes” është bërë një simbol i përkushtimit të vendasve për të ruajtur dhe promovuar atë që është autentike, duke e kthyer një produkt të thjeshtë si bamja në një urë lidhëse mes së kaluarës dhe së ardhmes, mes traditës dhe modernes.
Interesimi i madh i qytetarëve dhe turistëve tregon se “Nata e Bamjes” ka potencial të madh për t’u rritur edhe më tej në vitet që vijnë, duke u bërë pjesë e pandashme e ofertës kulturore dhe turistike të Ulqinit. Është një shembull i shkëlqyer se si një produkt lokal mund të shndërrohet në një festë që i bashkon njerëzit dhe promovon turizmin.
Organizatorët u shprehën të kënaqur me mbarëvajtjen e aktivitetit dhe premtojnë se vitin tjetër, “Nata e Bamjes” do të sjellë edhe më shumë risi dhe përmbajtje, gjithmonë me qëllimin për të promovuar Ulqinin si një qytet ku shija takohet me kulturën dhe mikpritjen.

D. Teliqi

Të fundit

më të lexuarat