41 nxënës ngaMalësia fitues të diplomës prestigjioze

Shkolla fillore “Mahmut Lekiq” pati njëzet nxënës fitues të diplomës “Pishtari”, shkolla e mesme e përzier “25 Maji” në Tuz trembëdhjetë nxënës, medreseja “Mehmed Fatih” katër nxënës, shkolla fillore “29 Nëntori” tre nxënës, shkolla fillore “Bashkimi” në Skorraq vetëm një nxënës, ndërsa shkolla fillore “Gjergj Kastrioti - Skënderbeu” në Triesh sivjet nuk pati asnjë bartës të kësaj diplome

Të martën mbrëma, më 12 gusht 2025, datë që përkon me Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, u organizua në Tuz ceremonia solemne e ndarjes së diplomave “Pishtari” për dyzet e një fitues të shkollave fillore dhe të mesme në Malësi.
Në prani të përfaqësuesve të vetëqeverisjes lokale, prindërve dhe drejtorëve, Komuna e Tuzit u ndau fituesve të diplomës “Pishtari” shpërblimin në mënyrë simbolike.
Në fjalën përshëndetëse kreu i Komunës së Tuzit, Lindon Gjelaj, u shpreh se nxënësit me punën dhe angazhimin e tyre e kanë merituar diplomën prestigjioze “Pishtari”.
Ai shtoi se ky është një shpërblim për vite të tëra përkushtimi, disipline, mësimi e ambiciesh që i kanë udhëhequr gjatë shkollimit.
“Ju jeni krenaria e familjeve tuaja, e shkollave tuaja, por edhe e komunës sonë”, tha Gjelaj.
Ai falënderoi prindërit dhe mësuesit pasi, siç tha, pas çdo nxënësi të suksesshëm qëndron një familje që e udhëheq.
“Të dashur nxënës, le të jetë kjo diplomë një nxitje për të vazhduar të ëndërroni dhe të arrini qëllimet tuaja. Kudo që të shkoni, mos harroni rrënjët tuaja. Jemi krenarë për ju dhe besojmë në të ardhmen tuaj”, tha, mes tjerash, Gjelaj.
Shkolla fillore “Mahmut Lekiq” pati njëzet nxënës fitues të diplomës “Pishtari”, shkolla e mesme e përzier “25 Maji” në Tuz trembëdhjetë nxënës, medreseja “Mehmed Fatih” katër nxënës, shkolla fillore “29 Nëntori” tre nxënës, shkolla fillore “Bashkimi” në Skorraq vetëm një nxënës, ndërsa shkolla fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Triesh sivjet nuk pati asnjë bartës të kësaj diplome.
Diploma “Lluça” (Pishtari) është një mirënjohje për sukses të jashtëzakonshëm në mësim dhe sjellje gjatë gjithë periudhës së shkollimit. Ekzistojnë dy nivele të diplomës – “Lluça A” dhe “Lluça B”, ku “Lluça A” konsiderohet më e lartë dhe sjell më shumë pikë gjatë regjistrimit në fakultet.

t. u.

Të fundit

më të lexuarat