Tuz – Redaksia në Gjuhën Shqipe e Radios së Malit të Zi kremtoi 60-vjetorin e themelimit të saj me një ceremoni solemne, të mbajtur të enjten mbrëma (26 qershor 2025) në Tuz, në të cilën morën pjesë drejtori i përgjithshëm i RTMZ-së, Boris Raoniq, drejtues të Radios, kryeredaktorë, redaktorë, gazetarë dhe pjesëtarë të tjerë të stafit të Redaksisë në Gjuhën Shqipe, personalitete të jetës politike e publike nga Tuzi, Ulqini dhe viset e tjera shqiptare në Mal të Zi, si dhe të ftuar të tjerë.
Me rastin e këtij jubileu u theksua se në rrugëtimin e gjatë të këtij zëri që ka bashkuar shqiptarët kudo që janë ndodhur, kjo radio nuk ka qenë vetëm burim informacioni, por edhe frymëzim, mbështetje dhe urë komunikimi ndër breza.
“Kjo radio ka qenë zëri i së vërtetës në kohë të vështira, mik në çdo shtëpi dhe mbi të gjitha fanar i identitetit tonë kombëtar”.
Drejtori i përgjithshëm i këtij shërbimi publik mediatik (RTMZ), Boris Raoniq, tha se ky jubile është shumë i rëndësishëm dhe vjen në një moment të veçantë, pasi përkon edhe me 55-vjetorin e Besëlidhjes së Malësisë, të cilën ai e konsideroi si një hap historik për krejt rajonin, dhe jo vetëm për Malësinë.
Ai theksoi se, kur bëhet fjalë për gjuhët e pakicave, shërbimi publik ka vepruar prej kohësh me, siç e quajti ai, “marsh të lartë shpejtësie”.
Në këtë ceremoni solemne, me rastin e jubileut, u ndanë disa mirënjohje për gazetarë/redaktorë dhe ish-gazetarë/redaktorë e punonjës të tjerë që kanë dhënë kontribut ndër vite dhe vazhdojnë ta japin për këtë mision fisnik në kuadër të redaksisë.
Drejtori i kësaj shtëpie mediatike, duke folur për zgjerimin e hapësirës programore në televizion për redaksinë shqipe, u bëri thirrje të pranishmëve që të ndihmojnë dhe të punojnë së bashku për të arritur më shumë se çfarë është bërë deri tani.
“Ne në vazhdim kemi plane të tjera ambicioze, ku kemi shpresuar se në Ulqin do të hapim shumë kohë më parë studion dhe korrespondenturën, dhe për këtë, si dhe për shumë plane të tjera, fatkeqësisht kemi pengesa administrative. Ju lus të gjithë juve të ndihmoni që informimi në gjuhën shqipe për kulturën, politikën dhe fushat e tjera të shoqërisë të jetë shumë më cilësor sesa ç’është aktualisht”, theksoi ndër të tjera Raoniq.
Duke uruar për këtë jubile të madh të punës së pandërprerë, madje dhe në kohët më të vështira, në kohë pandemie etj., Raoniq tha se kjo është një punë e madhe dhe serioze.
Ndërkohë, drejtori i Radios së Malit të Zi, Vuk Peroviq, tha se ky përvjetor është një jubile i rëndësishëm dhe se shumë pak institucione dhe organizata në Mal të Zi mund të mburren me një histori pune të pandërprerë që shtrihet në kaq shumë vite.
Ai theksoi se meritën për këtë përvjetor e kanë njerëzit e redaksisë ndër vite, që kanë dhënë kontribut dhe përkushtim të madh.
Redaktori i Programit për Pakica në Radion e Malit të Zi, Marash Dedvukaj, tha se kjo redaksi sot vazhdon të kryejë me sukses misionin e vet, të nisur 60 vjet më parë nga misionari Gjergj Gjokaj.
“Përmes emisionit tonë të vetëm në atë kohë, jo vetëm se kemi informuar dëgjuesit, por në të njëjtën kohë, përmes valëve të radios, i kemi edukuar ata duke përdorur shprehjet dhe fjalët e bukura të shkruara dhe të shqiptuara në gjuhën e unisuar letrare shqipe”, tha Dedvukaj.
Ai shtoi se përmes emisioneve të kësaj redaksie është ruajtur jo vetëm kultura e shprehjes, por edhe të gjitha elementet e tjera të kulturës shqiptare në përgjithësi.
Duke uruar që kjo redaksi të festojë shumë përvjetorë të tjerë, Dedvukaj apeloi që ky rrugëtim të pasohet edhe nga gjeneratat e ardhshme, për të ruajtur imazhin që ka gëzuar dhe vazhdon të ruajë kjo redaksi, si dhe për të lënë gjurmë të pashlyeshme që na karakterizojnë si popull me gjuhë dhe kulturë të lashtë shqiptare në këto troje.
Në këtë ceremoni solemne, me rastin e jubileut, u ndanë disa mirënjohje për gazetarë/redaktorë dhe ish-gazetarë/redaktorë e punonjës të tjerë që kanë dhënë kontribut ndër vite dhe vazhdojnë ta japin për këtë mision fisnik në kuadër të redaksisë.
Në këtë përvjetor u bë edhe prezantimi i monografisë “Valët e para”, botuar enkas për këtë jubile, me autor gazetarin Gjokë Dukaj. Në këtë botim është dokumentuar dhe përmbledhur historiku, arritjet dhe kujtimet e kësaj redaksie gjatë gjashtë dekadave të saj.
Për më tepër rreth kësaj monografie folën redaktori i Programit në Gjuhën Shqipe në Radio Televizionin e Malit të Zi, dhe përgjegjësi i Programit për Pakica, Senad Gilaj, si dhe vetë autori Dukaj.
Për të pranishmit u shfaq edhe një film dokumentar kushtuar 60-vjetorit të Programit në Gjuhën Shqipe të Radios së Malit të Zi, ku u pasqyrua një rrugëtim i gjatë, me sfida dhe arritje që kanë shënuar historinë e kësaj redaksie.
t. u.
