Pushimet verore larg telefonit

Ky aktivitet synon lidhjen e teorisë me praktikën duke u dhënë nxënësve mundësinë të vëzhgojnë natyrën drejtpërdrejt, bukuritë e pyllit, gurgullimën e ujit, cicërimat e zogjve, thithjen e oksigjenit nga lloj-lloj drunjsh, shijen dhe aromën e luleve të livadheve, frymëmarrjen në ajër të pastër

Në kuadër të metodave bashkëkohore të të nxënit, nxënësit e klasave të ulëta I-V të shkollës fillore në Dacaj zhvilluan një orë mësimore në ambient të hapur, me temën “Pushimet verore larg telefonit”. Tashmë është afër pushimi veror për të gjithë nxënësit, prandaj fëmijët shumë pak kontrollohen nga ana e prindërve rreth (keq)përdorimit të mjeteve vizuele, duke veçuar telefonin. Anët negative nga përdorimi i telefonit janë shumë, si: dëmtimi i syve, lodhja, koha e humbur para telefonit, jo kontakti me të tjerët, mbyllja në shtëpi, mungesa e argëtimit me fëmijët e tjerë në natyrë etj.
Ky aktivitet synon lidhjen e teorisë me praktikën duke u dhënë nxënësve mundësinë të vëzhgojnë natyrën drejtpërdrejt, bukuritë e pyllit, gurgullimën e ujit, cicërimat e zogjve, thithjen e oksigjenit nga lloj-lloj drunjsh, shijen dhe aromën e luleve të livadheve, frymëmarrjen në ajër të pastër.
Mësimi në natyrë jo vetëm që nxit kuriozitetin dhe të menduarit kritik, por edhe forcon lidhjen e fëmijëve me mjedisin natyror. Pra, ata duke i shijuar bukuritë natyrore të rrethinës, jo vetëm si shëtitje të thjeshta, por shfrytëzimin frytdhënës të saj duke mbledhur bimë mjekuese, lule të shumta për çajra, nxjerrja e kërpudhave, luleshtrydheve, boronicave dhe shitjen e tyre në treg, pra angazhimi i fëmijëve në punë të dobishme.
Studime të ndryshme tregojnë se qëndrimi në hapësira të gjelbra ndihmon në krijimin e lidhjes së njeriut me natyrën dhe kujdesin ndaj saj, nxit fëmijët të jenë sa më aktivë gjatë kohës së lirë, vepron si stimulues për shëndetin fizik, mendor dhe emocional për ta, natyra ndikon në mënyrë pozitive përkundrejt telefonit, i cili çdo ditë e më tepër po prodhon varësi dhe për fat të keq është shkaktar i sëmundjeve të ndryshme të kohës…

Haxhi Lajçi
(mësimdhënës i ciklit të ulët në shkollën fillore “Dacaj” – Rozhajë)

Të fundit

më të lexuarat