Në ambientet e shkollës fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë, të mërkurën në mbrëmje (14 maj 2025) u mbajt ceremonia festive kushtuar Ditës së Shkollës, një ngjarje që tashmë është kthyer në një traditë të dashur për të gjithë. Me pjesëmarrjen e prindërve, mësimdhënësve, nxënësve dhe të ftuarve të shumtë, kjo ditë u shënua me një program të pasur artistik dhe kulturor që shpalosi talentin, përkushtimin dhe bashkëpunimin që karakterizon këtë institucion arsimor.
Programi filloi me intonimin e himnit të Malit të Zi dhe himnit shqiptar, si simbol i bashkëjetesës dhe respektit për identitetin kombëtar dhe kulturor të nxënësve.
Më pas, të pranishmit i përshëndeti drejtori i shkollës, Mustaf Bardhi, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e kësaj dite si simbol i përpjekjeve të përbashkëta në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për nxënësit.
Ai shprehu mirënjohje për përkushtimin e mësimdhënësve, mbështetjen e prindërve dhe arritjet e nxënësve gjatë vitit shkollor.
“Jemi mbledhur këtu për të festuar një nga ditët më të rëndësishme të komunitetit tonë arsimor: Ditën e Shkollës ‘Bedri Elezaga’. Kjo nuk është thjesht një datë në kalendar, por një simbol i krenarisë sonë, i përkushtimit dhe i përpjekjeve të përbashkëta për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për gjeneratat që vijnë. Në këtë ditë të veçantë, le të kthejmë sytë pas për të kujtuar rrugëtimin e gjatë dhe të lavdishëm të shkollës sonë. Që nga themelimi i saj, shkolla jonë ka qenë vatër e dijes dhe edukimit, një shtëpi e dytë për shumë breza nxënësish. Me përkushtimin e mësimdhënësve tanë, me mbështetjen e prindërve dhe me vullnetin e vetë nxënësve, ne kemi ndërtuar një mjedis ku çdo fëmijë ka mundësi të rritet, të mësojë dhe të formohet si qytetar i denjë i shoqërisë sonë”, ka thënë Bardhi.
Ai ka theksuar se gjatë këtij viti shkollor kanë përjetuar sfida të mëdha.
“Kemi punuar fort, por kemi arritur edhe suksese për t’u krenuar. Rezultatet e nxënësve tanë në garat lokale dhe kombëtare, përfshirja në projekte edukative dhe rritja e bashkëpunimit me shkolla të tjera janë dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për cilësinë në arsim. Përveç rezultateve, ajo që na bën më krenarë është shpirti i bashkëpunimit, solidaritetit dhe dashurisë për dijen që mbizotëron në çdo klasë të kësaj shkolle. Kjo është një frymë që duam ta kultivojmë: një shkollë ku nxënësit ndihen të sigurt, të respektuar dhe të motivuar për të ndjekur ëndrrat e tyre”, ka pohuar drejtori i shkollës fillore në Katërkollë.
Duke u drejtuar nxënësve, ai ka thënë se ata janë arsyeja përse ne jemi këtu.
“Ju jeni pasuria më e madhe që ka vendi ynë. Kurrë mos e nënvlerësoni fuqinë e dijes, të mirësjelljes dhe të përkushtimit. Bëhuni kuriozë, pyesni, sfidoni dhe mësoni çdo ditë, sepse vetëm kështu do të jeni të lirë dhe të aftë të ndërtoni të ardhmen që dëshironi”, u shpreh Bardhi.
Programi artistik u hap me vargjet e ndjera të ish-mësimdhënëses së gjuhës shqipe, Syme Kokaj, interpretuar nga nxënësja e klasës së gjashtë, Riada Draga.
Pas kësaj, skena u mbush me energji, ngjyra dhe emocione, ku nxënësit nga të gjitha klasat, nga paralelet e Katërkollës, Shtodrit, Krythës, Fraskanjelit, Klleznës, Sukubinës e Millës, sollën këngë, valle, poezi, aktrime dhe numra të ndryshëm muzikorë e kulturorë, duke treguar një angazhim të jashtëzakonshëm si nga vetë ata, ashtu edhe nga mësimdhënësit e tyre.
Kori i shkollës interpretoi këngët “Ky marak”, “Doli goca në penxhere”, “Kur bien fyelli e çiftelia” dhe “Cuca e Uskanës”, duke sjellë atmosferë festive me motive popullore.
Vallëzime tradicionale, si “Vallja e Shotës” dhe e “Pinguinit” u interpretuan nga nxënësit e vegjël, duke sjellë në skenë trashëgiminë kulturore të kombit.
Poezitë “Na lusin malet”, “Shkolla ime”, “Mirëmëngjes!”, “Dobrota”, “Andrra ime” e shumë të tjera u recituan me emocion dhe pasion nga nxënës të klasave të ndryshme.
Prezantime artistike me violinë, këngë, monologë e madje edhe arte marciale, dëshmuan se kjo shkollë është vatër jo vetëm e dijes, por edhe e shumë talenteve të reja.
Një pjesë shumë e veçantë e programit ishte edhe ndarja e mirënjohjeve për nxënësit pjesëmarrës në aktivitetin “Talenti im”, i cili u organizua për herë të parë nën kujdesin e pedagoges Arbijana Haxhibrahimi. Fituesit u shpërblyen me çmime dhe duartrokitje, duke marrë motivim për të zhvilluar më tej talentet e tyre.
Në fund të programit u shpërndanë mirënjohjet për nxënësit më të dalluar të gjeneratës 2024/2025, nga mësimdhënësit Skender Nasradini dhe Vjollca Lika – Çobi. Nga kjo gjeneratë, trembëdhjetë nxënës rezultuan me sukses të shkëlqyer, ndërsa prej tyre, fitues të diplomës “Lluça” (Pishtari) janë shpallur: Rinesa Ceka, Erjona Alaj, Vesa Jahaj, Rea Ceka, Sara Suka, Anesa Islami dhe Suela Rexha, duke kurorëzuar kështu një mbrëmje të mbushur me emocione, krenari dhe festë.
D. Teliqi
